Ekskluzive/ Alban Rexha rrëfen sherrin me lojtarët: Halili na preu në besë

Jan 28, 2017 | 9:28
SHPËRNDAJE

Është një personazh unik. 17 vite më parë luante për Partizanin, ndërsa sot thotë me krenari se në stërvitjen me skuadrën e kuqe mbante të veshur fanellën e Tiranës.

Alban Rexha

Ish-sulmuesi Alban Rexha renditet mes ultrasve më të çmendur bardheblu, teksa edhe dje, në protestën e zhvilluar në “Skënder Halili”, u bë protagonist. “Panorama Sport” kontaktoi me Rexhën dhe ky i fundit pranoi të rrëfente ekskluzivisht  atë që ndodhi dje, por edhe premtimin që i kishte bërë presidenti  Refik Halili. Ish-futbollisti thekson se tifozët janë prerë në besë.

Alban, së pari cili ishte motivi kryesor i protestës suaj në ambientet  e kompleksit stërvitor?

Ishte e thjeshtë, shkuam në stërvitjen e skuadrës për çështjen e  stadiumit.

OK, por ndoshta protesta juaj mund të bëhej diku tjetër, çfarë faj  kanë lojtarët në lidhje me stadiumin…?  

Ekipi përfaqëson Tiranën dhe shkuam te “Skënder Halili”, pasi prisnim  që atje të ishin edhe drejtuesit e klubit. Presidenti Halili aty i ka  pasur ata që mban me vete, që nga Arbi Laçi dhe të tjerët me radhë.  Mirëpo, ata nuk ndërhynë fare, as që nuk u përfshinë në diskutimin që  bëmë. I vetmi që foli ishte trajneri Mirel Josa, i cili me respektin  më të madh na bëri të ditur mendimin që ka për stadiumin.

Çfarë iu tha më konkretisht trajneri për këtë çështje?

Profesori na tha tekstualisht: “Unë, vetë si trajner, nuk jam dakord  që Partizani të luajë në fushën e Tiranës. As kam qenë dhe as nuk do  të jem ndonjëherë i mendimit që të luajë edhe Partizani në ‘Selman  Stërmasi’, por unë nuk kam çfarë të bëj, pasi jam trajner”.

Asnjë përfaqësues i lartë i klubit nuk iu dha shpjegime për vendimin?  

Bashkë me tifozët e tjerë të Tiranës, që jemi të organizuar, kemi  folur me drejtuesit më të lartë të klubit, pikërisht me presidentin  Halili, pak orë pasi ai të bënte takimin në bashki për çështjen e  stadiumit. Presidenti Halili na bëri një deklaratë shumë të fuqishme  para takimit, duke na thënë se “S’ka shanse të japim stadiumin”. Kjo  ndodhi vetëm një orë para mbledhjes me kryebashkiakun dhe Demin.  Mirëpo, ndodhi ajo që ndodhi dhe stadiumi u dha. U shokuam!

Ndiheni të tradhtuar pas premtimit që iu bëri presidenti?  

Po, natyrisht. Ndodhi pabesia më e madhe. Ne si tifozë tashmë duam të  dimë se kush e bën këtë presion kaq të madh që ky stadium të jepet te  kundërshtari ynë. Kjo është logjika e thjeshtë e gjërave, pasi ishte  vetë presidenti që na premtoi se nuk do të jepet stadiumi.

Gjithsesi, në fushën e stërvitjes u goditën lojtarë, mes tyre Gilman  Lika. Pse duhet të irritoheshit me futbollistët?

Ju lutem, mos e fryni kaq shumë. Ka qenë një incident i vogël, që  është zgjidhur brenda sekondave. Shikojini pamjet filmike, kam qenë  unë ai që kam marrë Gilmanin dhe e kam dërguar në dhomat e zhveshjes.  Unë jam vetë një ish-futbollist dhe me këta të fundit s’duhet të ketë punë njeri. Ata përfaqësojnë fanellën tonë dhe ne duhet t’i përkrahim. Thjesht kanë qenë kore fyese ndaj lojtarëve, momente gjaknxehtësie.

Në rregull, por i morët në pyetje, duke i vendosur nën presion…?

Ne i pyetëm, duke marrë mendimin e gjithsecilit. E kuptoj që ishin nën  presion, kur iu thamë: “Doni të luajë Partizani në ‘Selman  Stërmasi’?”. Ata u sollën si profesionistë, pasi na sqaruan se paguhen  për të bërë mirë detyrën në fushë dhe nuk dinë gjë për stadiumin. Na  thanë “pse na pyesni ne, pasi na pritet buka”.

Çfarë hapash do të ndërmerrni tashmë pas kësaj që ndodhi me stadiumin?  

Hapi më i madh i yni është që çdo tifoz i Tiranës të mos shkojë më në  stadium për të ndjekur ndeshjet.

Ky është një vendim drastik, që nuk besoj se i shërben askujt…?  

Jo, nuk mendoj kështu. Tirana sot është shitur. Është shitur fanella, stadiumi dhe gjithçka në klubin tonë të zemrës. Nuk ka se çfarë  negociatash mund të bëjmë, pasi s’na i kthejnë dot më Tironën. Nuk  mund të lejojmë njerëz të na provokojnë në shtëpinë tonë.

Pse mendoni që Partizani nuk duhet të luajë në një stadium ku prej  vitesh e ka bërë një gjë të tillë, madje edhe me ju në fushë?

Kur erdhi puna që në këtë stadium të luanin tri skuadra, Partizani  zgjodhi “Qemal Stafa”-n, pasi na pëlqente më shumë në kohën kur isha  unë pjesë e tij. Partizani e cilësonte “Selman Stërmasin” si fushë  stërvitjeje më shumë.

Po nëse kjo ndodhte para fillimit të sezonit dhe dy klubet gjenin  akordin, ju si tifozë do të pranonit?  

Jo, sepse ishte vetë presidenti ynë, i cili, edhe në verën e vitit të  kaluar, na tha se: “Edhe sikur të më varin, nuk e pranoj Partizanin”.  Ne jemi të prerë në besë, sepse na premtuan vetë që nuk do e japin.  Nëse Halili fitoi lekë nga bashkia apo Partizani, nuk duhet të harrojë që ka humbur një Tiranë të tërë. Me gjithë respektin që kemi si  president klubi, ai ka humbur Tiranën dhe babain tim 75 vjeç.

Ju jeni një ish-sulmues që u afirmuat te Partizani, në një kohë që  tani jeni një ultras i Tiranës. Ju bezdis fakti që keni të kaluar të  kuqe…

Shikoni, unë simpatinë time e kam të faktuar dhe për këtë mund të  pyesni trajnerin që kam pasur te Partizani, Edmond Gëzdari. Kam qenë  lojtar i akademisë së Tiranës dhe jam huazuar te Partizani për arsye  se, në atë kohë, ekipi kishte në përbërje 4 sulmues shumë të mirë dhe  hapësirat për mua ishin të pakta.

Kam dëshmitarë shumë njerëz dhe po  ju kujtoj se kam dalë në stërvitjen e Partizanit me fanellën e  Tiranës. Vërtet kam qenë në formë të mirë kur kam luajtur me  Partizanin, por sapo përfundonte ndeshja pyesja: “Sa ka dalë Tirana?”.

Unë kam qenë i huazuar te Partizani dhe tifozët e dinë shumë mirë se  me çfarë fanelle bëja stërvitje. Kjo është diçka e rrallë, madje mbaj mend që në atë kohë kam dhënë një intervistë televizive për Dritan Shakohoxhën nga ambientet e klubit të Partizanit me fanellën e Tiranës.

JORGIS MEMO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura