Sabri Godo lë Sanatoriumin dhe shuhet në shtëpi, sot ditë zie

Dec 4, 2011 | 11:07
SHPËRNDAJE

Shuhet Sabri Godo, Presidenti i republikanëve.

Ndahet nga jeta bashkëhartuesi i Kushtetutës jeta e shkrimtarit nga lufta partizane, botimet te “Hosteni” dhe themelimi i PR.

Shuhet në moshën 82-vjeçare shkrimtari dhe politikani i njohur Sabri Godo. Pas një sëmundjeje të rëndë ai ka ndërruar jetë mesditën e djeshme në shtëpinë e tij, në katin e tretë të një pallati pranë Ministrisë së Jashtme. Por, me gjithë sëmundjen që e mundonte muajt e fundit, ai ka vazhduar të jetë aktiv në politikë. Pak kohë më parë ai u vu sërish në qendër të mediave kur deklaroi në një intervistë televizive se vitin e ardhshëm Berisha duhet të zgjidhet sërish President dhe Basha të marrë drejtimin e së djathtës. Në këto 20 vite pluralizëm, Sabri Godo i është përkushtuar më shumë politikës, sesa letërsisë, teksa ka mbajtur poste të rëndësishme dhe ka shkruar vetëm një roman.
Partizani Godo
I lindur në Delvinë, në vitin 1929, Sabri Godo nuk mbeti jashtë Luftës së Dytë Botërore. Shkollën fillore e mbaroi në Delvinë, ndërsa për të ndjekur mësimet e gjimnazit u transferua në Tiranë. Në kryeqytet bëri vetëm dy vite e gjysmë shkollë për shkak të luftës. Ai u përfshi në çetat partizane në periudhën korrik 1943 deri në maj 1945, kur u kthye nga ish-Jugosllavia. Në vitin 1948 përjashtohet nga ushtria si element i padëshiruar për shkak të bindjeve dhe të rrethanave familjare, pasi daja i tij, Selaudin Toto, ishte pushkatuar me grupin e deputetëve, ndërsa kunati i Godos ishte i arratisur politik. Gjatë kohës së regjimit komunist, Sabri Godo u përqendrua veçanërisht në letërsi. Në vitin 1966 botoi veprën e tij të parë, një roman historik, “Plaku i Butkës”. Katër vjet më vonë nxori romanin “Ali Pashë Tepelena”, që u ribotua edhe dy herë të tjera. Nga viti 1972 deri në vitin 1990 ai botoi edhe shtatë vepra të tjera, tregimet me titull “Zëra nga burime të nxehta”, tregimin “Intendenti”, romanet “Skënderbeu”, “Prova e zjarrit”, “Ujërat e qeta”, “Koha e njeriut”, si dhe reportazhin me titull “Kohët që shkojnë, kohët që vijnë”. Ka pasur gjithashtu veprimtari të dendur në publicistikë, veçanërisht në revistën “Hosteni”, ku ka botuar mbi tri mijë faqe fejtone e shkrime kritike me pseudonime.
Politikani Godo
Me rënien e regjimit komunist dhe lejimin e pluralizmit politik, shkrimtari Sabri Godo u angazhua shumë edhe në politikë. Në janar të vitit 1991 u krijua Partia Republikane, e dyta forcë politike pas Partisë Demokratike, të krijuar në fillim të muajit dhjetor të vitit 1990. PR kishte për kryetar pikërisht Sabri Godon. Këtë pozicion ai e mbajti për shtatë vjet, gjersa në vitin 1998 ia la Fatmir Mediut, të cilin deri në këtë periudhë e kishte vartësin e tij, si kryetar të degës së Fierit. “Plaku i urtë” Sabri Godo ka qenë gjithashtu deputet i Kuvendit të Shqipërisë në dy legjislatura. Fillimisht ai e fitoi mandatin në zgjedhjet e vitit 1996, kur në atë Parlament jetëshkurtër mbajti edhe postin e kryetarit të Komisionit të Punës, Çështjeve Sociale dhe Shëndetësisë. Kryetari i republikanëve mori një tjetër mandat deputeti në periudhën 1997-2001 dhe mbante paralelisht edhe postin e kryetarit të Komisionit për Politikën e Jashtme. Në vitin 1998 Godo ishte një prej hartuesve të tekstit të Kushtetutës së Shqipërisë. Pasi la postin e kryetarit të Partisë Republikane, ai qëndroi në këtë parti si kryetar i Asamblesë dhe “President Nderi” i saj. Gjatë gjithë periudhës aktive në politikë, Sabri Godo i ka kushtuar një vëmendje të madhe edhe çështjes shqiptare. Ai ka reaguar disa herë publikisht dhe ka kritikuar qëndrimin e Tiranës zyrtare sa u përket provokimeve të qarqeve greke për autonominë e minoritetit apo çështjes së pronave të popullsisë çame. Sipas tij, klasa politike shqiptare nuk mund të vazhdojë të sillet në këtë mënyrë me popullsinë çame, duke u hequr në pamje të parë sikur po merret me këtë çështje e ka predispozitën për ta zgjidhur dhe, nga ana tjetër, nuk po merret aspak për zgjidhjen e saj. “Presidenti i Nderit” i republikanëve ka dalë kundër qëndrimit të PD-së dhe i ka cilësuar ngjarjet e 1997-s si rebelim komunist, teksa i ka kërkuar qeverisë shqiptare disa herë të insistojë që Greqia të heqë Ligjin e Luftës mes dy vendeve. Në muajt e fundit ai u shfaq pak herë në media për shkak të sëmundjes që kishte. Gjatë zgjedhjeve lokale Godo u pozicionua në krahun e kandidatit të PD-së për Bashkinë e Tiranës, Lulzim Basha, për të cilin tha se është pasardhësi i Sali Berishës në këtë parti.

Semundja: “Dy ditët e fundit, më të vështirat. Mbahej në jetë me qetësues”
Mjekët: Godo la Sanatoriumin me dëshirën e tij
Dy javët e qëndrimit në spital. Vuante nga një tumor pulmonar
Ka lënë Sanatoriumin të enjten në darkë, ku ishte shtruar për gati dy javë. Sipas mjekëve, kërkesa u bë nga familjarët me miratimin e politikanit të njohur. ”Ishin familjarët të cilët e panë të panevojshëm vazhdimin e qëndrimit në spital. Njëra nga vajzat e tij është vetë mjeke dhe duke parë parametrat e sëmundjes, gjendja ishte rënduar së tepërmi dhe ishte e pakthyeshme pas”, thanë burime të sigurta nga stafi i mjekëve. Sabri Godo ka mundur të qëndrojë vetëm një ditë në shtëpi, pa arritur t’i mbijetojë sëmundjes. Sipas mjekëve dhe familjarëve, gjendja shëndetësore e tij ditën e premte është keqësuar së tepërmi. Është mbajtur me qetësues gjatë gjithë ditës, ndërsa të shtunën paradite ka kaluar për pak orë në koma. ”Ka qenë rëndë gjithë ditët e fundit, por e premtja dhe e shtuna paradite ishin ditët më të vështira. Me rëndimin e shëndetit arriti të kalojë për pak kohë në koma dhe pastaj humbi jetën. Kjo ishte pjesa më e vështirë për ne. Ai gjatë gjithë kohës ka qenë i fortë dhe e ka përballuar me kurajë sëmundjen”, thanë familjarët.
Politikani Sabri Godo vuante nga një tumor malinj në mushkëri, i diagnostikuar rreth një vit më parë. Për këtë sëmundje, nga sa kanë konfirmuar familjarët, ai është trajtuar për disa muaj edhe në Itali. Më 21 nëntor Sabri Godo u shtrua me urgjencë në spital në gjendje të rëndë shëndetësore. Nga sa pohuan mjekët, fill pas shtrimit i është bërë hapja e mushkërisë për ta zvogëluar, duke i hequr likuidin e tepërt. ”Kishte ujë në mushkëri dhe ndërhyrja u krye me sukses. Likidi pleural (ujë në mushkëri) bën që uji në mushkëri tubohet (mblidhet ose derdhet) në alveola (brenda në mushkëri) dhe kjo ndodh në 90% të rasteve si pasojë e ngarkesës së zemrës që ndërlidhet me tumoret primare pulmonare apo sekondare-metastaza nga organet e tjera. Por gjendja është e rëndë dhe rreziku për jetën është gjithmonë prezent në rastin e tumoreve malinje”, u shprehën mjekët pas ndërhyrjes.
Për disa ditë ai qëndroi në terapi intensive dhe u  intubua me oksigjen për shkak të problemeve në frymëmarrje. Më 25 nëntor mjekët e panë të arsyeshme që 82-vjeçari të linte reanimacionin dhe të transferohej në pavijon. ”Parametrat shëndetësorë na lejuan që ta nxirrnim nga reanimacioni. Po trajtohet me qetësues”, u shprehën mjekët pas transferimit në pavijon. Sipas tyre, ai ka qene koshient dhe ka komunikuar normalisht. Gjatë gjithë kohës pranë 82-vjeçarit kanë qëndruar dy vajzat e tij dhe familjarë të tjerë. “Babai është i fortë dhe nuk i trembet sëmundjes. Ka një tumor pulmonar dhe po lufton me sëmundjen ashtu siç di vetëm ai ta bëje. Te koka po i qëndrojnë të gjithë familjarët, është mami  gjatë gjithë kohës në spital, ne të dyja vajzat, nipat, miqtë e shumtë që e telefonojnë gjatë gjithë. Padyshim janë dhe mjekët të cilët dua t’i falenderoj për kujdesin që po tregojnë ndaj babit tim”, është shprehur e bija Anila Godo.

Punoi në uzinë për 10 vjet
Gjatë regjimit komunist Sabri Godo ka qenë shkrimtar në profesion të lirë për një vit, por u përjashtua me akuzën se nuk i ishte përmbajtur linjës së realizmit socialist. Si ndëshkim do t’i hiqej e drejta e botimit dhe u dënua me riedukim, duke punuar në një uzinës për 10 vjet. Kontributi i Godos në letërsi dhe gazetari përfshin 8 libra, kryesisht romane historike dhe qindra artikuj dhe reportazhe.

Prezantoi Berishën për deputet në 2005
Në zgjedhjet e vitit 2005, kur sistemi zgjedhor ishte maxhoritar i korrektuar me proporcional, Sabri Godo i propozoi elektoratit të Kavajës kandidatin Sali Berisha për deputet në Parlament. Marrëdhëniet e tij me Kryeministrin kanë qenë shumë të mira, pavarësisht se herë pas here ai kritikonte në media qeverisjen e Berishës. Në vitin 2007, kur klasa politike debatonte për zgjedhjen e Presidentit të ri, pasi Moisiut po i mbaronte mandati, në skenë doli edhe emri i Godos, por që u sfumua shumë shpejt.

Homazhet për Godon në Kuvend

Qeveria shpall zi kombëtare për nder të politikanit. Detajet e ceremonisë sot në mesditë.
Janullatosi, i pari për ngushëllim, varrimi në Tufinë.
Homazhet për politikanin e njohur Sabri Godo do të zhvillohen sot në mesditë, në ambientet e Parlamentit. Brenda 24 orëve, ky institucion do të presë për herë të dytë një ceremoni funebre, pas përcjelljes për në banesën e fundit ditën e djeshme të pretendentit për fronin mbretëror, Leka Zogu I. Në një mbledhje të mbrëmshme të Këshillit të Ministrave është vendosur që nga ora 12:30 deri në 14:30, kohë kur do të zhvillohen edhe homazhet, do të jetë ditë zie kombëtare. “Me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave vendosi: Shpalljen zi kombëtare nga ora 12:30 deri në 14:30, ditën e diel, datë 4.12.2011, në nderim të të ndjerit, z. Sabri Godo, shkrimtar dhe politikan i shquar; në të gjitha institucionet, shtetërore dhe publike, të ulet Flamuri Kombëtar në gjysmë shtizë dhe në orën 14:30 të mbahet një minutë heshtje; ceremonia e homazheve të organizohet ditën e diel, datë 4.12.2011, ora 12:30 deri 14:30, në mjediset e sallës së seancave plenare të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë”, thuhet në vendimin e qeverisë, të publikuar në faqen e internetit. Në të njëjtën kohë është përcaktuar që Televizioni publik të transmetojë muzikë funebre gjatë ceremonisë, ndërsa shpenzimet e varrimit dhe të ceremonialit do të përballohen nga buxheti i Ministrisë së Jashtme. Në përfundim të homazheve, kortezhi do të drejtohet në Tufinë, ku do të prehet trupi i Sabri Godos.
Vizitat
Politikani dhe shkrimtari i njohur u nda nga jeta mesditën e djeshme, rreth orës 13:00, në shtëpinë e tij në Tiranë. Familja hapi dyert rreth orës 14:30 dhe personaliteti i parë që shkoi për të ngushëlluar ishte kryepeshkopi i Kishës Autoqefale, Janullatos. Pas rreth 90 minutash, në familjen Godo, ku qëndronin dy vajzat e politikanit, shkoi për vizitë edhe kryetari i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha dhe pas tij kryetari i Komisionit të Sigurisë Kombëtare, Leonard Demi dhe drejtori i Agjencisë së Legalizimeve, Shaban Memia. Në mbrëmje në familje ngushëlloi edhe ministri i Arsimit dhe Shkencës, Myqerem Tafaj. Në të njëjtën kohë, Fatmir Mediu, i shoqëruar edhe nga funksionarë të lartë të Partisë Republikane, ka qëndruar gjatë gjithë kohës pranë familjes Godo. Gjatë orëve të darkës kanë zhvilluar një vizitë ngushëllimi edhe Kryeministri Sali Berisha, i shoqëruar nga bashkëshortja e tij si dhe kryeparlamentarja Jozefina Topalli. Në një prononcim për mediat, në përfundim të vizitës, kreu i qeverisë u shpreh se “Sabri Godo, këto njëzet vite, me veprimtarinë e tij politike, u shndërrua në simbol të urtësisë, maturisë, mençurisë së politikanit. Ai themeloi partinë e dytë opozitare në Shqipëri, e drejtoi atë me aftësi dhe mençuri të madhe, dha një kontribut thelbësor në ligjet dhe procesin e ligjeve themelore të vendit, dha kontribut të madh në të gjithë dialogun midis forcave politike në Shqipëri, por edhe midis faktorëve politikë shqiptarë janë Shqipërisë”.

PR, 12 kurora për Godon
Mbrëmjen e djeshme, kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, ka thirrur një mbledhje urgjente të Kryesisë për të koordinuar punën për ceremoninë që do të zhvillohet sot në mesditë për të përcjellë themeluesin e kësaj partie për në banesën e fundit. Burime nga PR-ja bëjnë të ditur se është ngritur një grup pune, i cili do të kryesohet pikërisht nga Mediu, që do të caktojë të gjitha detajet e ditës së sotme. Mësohet se janë duke u përgatitur 12 kurora me lule, nga njëra për secilin qark të vendit, që do të vihen pranë varrit të Godos. Gjithashtu është vendosur që në përfundim të ceremonisë të shtrohet një drekë, sipas të gjitha gjasave në Hotel Tirana International për rreth 250 persona. Në të njëjtën kohë janë përcaktuar edhe personat që do të qëndrojnë në Parlament gjatë kohës kur do të zhvillohen homazhet.

Ceremonia
Arkivoli me trupin e pajetë të politikanit do të qëndrojë në shtëpi deri sot në orën 12:00 kur do të niset për në sallën e seancave plenare të Parlamentit, ku do të kryhen homazhet. Për rreth 120 minuta, krerët e shtetit, ministra, deputetë, përfaqësues të Trupit Diplomatik dhe qytetarë të thjeshtë do të kenë mundësi që të kryejnë homazhe përpara se trupi të përcillet për në banesën e fundit. Sipas pikës 8 të kapitullit 7 të ligjit për protokollin e shtetit, “në homazhe zyrtare, funerale ose gjatë ceremonisë së varrimit marrin pjesë personalitete shtetërore ose personalitete zyrtare të huaja të ardhura me këtë rast. Me dëshirën e tij mund të marrë pjesë edhe Trupi Diplomatik i akredituar në Republikën e Shqipërisë. Për homazhe nga Trupi Diplomatik hapet një Libër Ngushëllimi”.

Protokolli
Për kryerjen e ceremonisë funebre, qeveria i është referuar ligjit të protokollit të shtetit, i cili përcakton edhe detajet për këtë rast. “Ceremonia e homazheve organizohet (me lejen e familjes), në institucionin përkatës, ku vendoset arkivoli dhe hapet Libri i Ngushëllimeve. Në orën e caktuar, kortezhi i përmortshëm niset drejt varrezave i eskortuar vetëm nga patrulla policore”, thuhet në protokoll. Gjithashtu kjo ceremoni nuk përmban bandë, truprojë nderi dhe të shtëna me armë. Në varreza marrin pjesë personalitete të larta të shtetit. Pas mbajtjes së përshëndetjes së fundit, arkivoli zbret në varr. Pjesëmarrësit qëndrojnë në heshtje deri në fund dhe pasi përshëndeten me familjen, largohen. “Organizimi i ceremonisë dhe shpenzimet e funeralit përballohen nga institucioni përkatës”, vijon më tej përcaktimi i ligjit të protokollit.

Mesazhet ngushëlluese për Godon
Bamir Topi, President:
“Sabri Godo ishte jo vetëm një shkrimtar i madh me portretizimet e spikatura të figurave historike kombëtare, por edhe mishërimi i një politikani atdhetar e të moderuar, i cili ka lënë gjurmë të pashlyeshme në skenën politike pluraliste të dy dekadave të fundit, si dhe në hartimin e Kushtetutës, dokumentit themeltar të Shqipërisë moderne e demokratike”.
Jozefina Topalli, kryetare e Kuvendit: “Zoti Godo për disa vite ishte kryetar i Partisë Republikane, shkrimtar dhe historian i njohur. Me ndarjen nga jeta të zotit Godo, familja humbi njeriun e dashur, bota e letrave një shkrimtar, Partia Republikane themeluesin e saj”.
Sali Berisha, Kryeministër: “Me ndarjen nga jeta të Sabri Godos politika shqiptare humbi një nga më të urtit e saj, bota e mendimit intelektual shqiptar humbi njërën prej mendjeve më të ndritura të saj, letrat shqipe korifeun e romanit historik të tyre”.
Lulzim Basha, kryetar i Bashkisë së Tiranës: “Sabri Godo ishte ikonë e mençurisë qytetare, urtësisë politike dhe patriotizmit të vërtetë shqiptar. Do të na mungojë shumë”.
Edi Rama, kryetar i PS: “Sabri Godo ishte një kundërshtar politik i Partisë Socialiste, por ka qenë e do të mbetet për ne një figurë e respektuar e këtyre dy dekadave tranzicion, si njëri ndër autorët e Kushtetutës së Shqipërisë dhe si një aktor me rëndësi i jetës politike shqiptare, i cili në momentet e vështira të vendit u mundua ngaherë të ndihmojë për të gjetur rrugën e arsyes”.
Fatmir Mediu, kryetar i PR-së: “Shqipëria humbi politikanin e urtë e vizionar dhe shkrimtarin e shquar. Në janar të vitit 1991 Sabri Godo themeloi Partinë Republikane të Shqipërisë dhe ishte kryetar i saj për shtatë vjet”.
Ilir Meta, kryetar i LSI-së: “Politikës do t’i mungojë fjala e urtë e Sabri Godos. Ai ishte një shembull i qetësisë dhe maturisë
Shpëtim Idrizi, kryetar i PDIU-së: “Shqiptarët nga të gjitha trevat, nga Çamëria në Kosovë, humbën një personalitet të shquar të skenës politike dhe shoqërore, një zë të matur dhe të fuqishëm të çështjeve të mëdha të kombit tonë”.
Aleanca Kuq e Zi: Aleanca Kuq e Zi i ka shprehur ngushëllimet familjarëve të Sabri Godos për këtë humbje. Aleanca Kuq e Zi vlerëson punën e politikanit në denoncimin e plagëve të Vorio-Epirit.

ADI SHKEMBI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura