Rubens Shima: Artet nuk bëhen ‘të bukura’ me vendim parlamenti

Mar 12, 2018 | 10:28
SHPËRNDAJE

NGA RUBENS SHIMA

Ky shkrim merr shkas nga një iniciativë e Ministrisë së Kulturës për ndryshimin e emrit nga Galeria Kombëtare e Arteve, në Muzeun e Arteve të Bukura, saktësisht përmes projektligjit “Për Artin dhe Kulturën” të ndryshuar, neni 4. pika 2. citoj: “Togfjalëshi ‘Galeria Kombëtare e Arteve’ zëvendësohet me togfjalëshin ‘Muzeu Kombëtar i Arteve të Bukura'”. Kaq mjafton që pas aprovimit në Parlament, emri Galeri Kombëtare e Arteve të pushojë së ekzistuari.

Rubens
Kuratori Rubens Shima

Nuk është parë e logjikshme të jepet asnjë sqarim apo argumentim rreth nevojës së ndryshimit të emrit të një prej institucioneve më të rëndësishme të kulturës. Dhe, gjithashtu, asnjë analizë nëse lënda përmbajtësore, koleksioni i saj, përmbush kriteret artistike, historike, shoqërore për t’u quajtur Muze i Arteve të Bukura apo siç njihet ndryshe “Artet e Larta”. Po çfarë është një galeri? Sallës së një muzeu, ku shfaqej art për publikun, shpesh në të shkuarën i referoheshin si galeri; gjithashtu, për shembull, një dhomë dedikuar Artit Egjiptian të Antikitetit, shpesh quhej Galeria e Egjiptit. Pra, në një lloj kuptimi, një hapësirë që shfaq një tipologji të caktuar arti quhet galeri. Ndoshta, mbështetur në këtë përkufizim, kushtëzuar nga hapësira e vogël e godinës së parë të Galerisë – hapur më 1954, por edhe te lloji i përcaktuar i artit të shfaqur, me një korrektesë formale, sistemi komunist vendosi ta quajë Galeria e Arteve Figurative.

E tillë, e pandryshuar në emër, do të mbetej edhe në vitin 1976, kur koleksioni i saj i zmadhuar në kohë, do të transferohej te godina e re, në bulevardin kryesor, ku është ende sot. Galeria e Arteve u projektua nga sistemi komunist me qëllim politiko-kulturor, për të shfaqur, shpërndarë, porositur apo blerë për nevoja partiake propagandistike artin e realizmit socialist, kryesisht pikturën dhe skulpturën. Por njëkohësisht edhe për të nxitur ndjenjat nacionaliste në shoqërinë shqiptare.

Koleksioni i veprave të saj, në pjesën dërmuese, ka këtë përmbajtje. Emri “Galeria e Arteve Figurative” mbeti i patrazuar për afro 50 vjet, pavarësisht se regjimi autoritar ushtronte gjithë kontrollin në aktivitetin e saj. Në vitin 1996, Galeria e Artit Figurativ me vendim qeverie ndryshon emër në: Galeria Kombëtare e Arteve. Ironikisht, në një lloj kuptimi, arti i realizmit socialist i grumbulluar në Galeri prej dekadash “sanksionohet” “art kombëtar”.

28907207_10155642556758068_943978757_n
“Mussolini che miete il grano” nga Basilio Cascella

E preferoj këtë deduksion rastësor apo logjik qoftë. Sot, më 2018 Galeria Kombëtare e Arteve, me një tjetër vendim qeverie, përgatitet të shndërrohet në Muze Artesh të Bukura. Historia jonë është e mbushur me ndryshime të vazhdueshme emra institucionesh, partish, godinash pa e vrarë fare mendjen për përmbajtjen apo historinë e tyre. Madje, te ne kjo është pjesa më e pavlerë, me e parëndësishmja. Por lind pyetja: çfarë ndryshoi, apo pritet të ndryshojë që befas Galeria Kombëtare e Arteve do të rilindë si Muze i Arteve të Bukura?

***

Çfarë janë Artet e Bukura? A janë zhvilluar ndonjëherë në Shqipëri? Le t’i hedhim një sy përkufizimit të Arteve të Bukura: “Kjo kategori përfshin ato vepra arti që krijohen kryesisht për arsye estetike (art për hir të artit) dhe jo për përdorim komercial ose funksional. Duke synuar lartësimin dhe përmirësimin e jetës, artet e bukura përkufizojnë zakonisht artet e larta, tradicionale të Europës Perëndimore, si piktura, skulptura, vizatimi, grafika, kaligrafia”.

29004353_10155642558688068_537102322_n
“Nikola Çaushesku. heroi i paqes”, vepër nga Deak Barna

Historikisht, produktet kulturore që më shpesh konsiderohen si pjesë përbërëse e kulturës së lartë, me shumë gjasa janë krijuar gjatë periudhave të qytetërimit të lartë, për të cilat një shoqëri urbane e gjerë, e sofistikuar dhe e kamur, ofron një kornizë estetike koherente dhe të vetëdijshme, si dhe një mjedis me shkallë të gjerë njohjeje për artet pamore, duke furnizuar me materiale dhe financuar veprat e artit. Një mjedis i tillë u mundëson artistëve realizimin e potencialit të tyre krijues me sa më pak shtrëngesa praktike dhe teknike të jetë e mundur. Në këtë mjedis social mund të krijohen Artet e Bukura apo Artet e Larta.

A ka pasur ndonjë periudhë historike apo stad zhvillimi të lartë shoqëria shqiptare që të ketë mundësuar realizimin e veprave të tilla arti? Për aq sa e njohim historinë tonë, sigurisht që “JO”. As në të shkuarën dhe as do të ketë në 100 vitet pasues. Çka gjendet e ekspozuar dhe e ruajtur sot në Galerinë Kombëtare të Arteve është kryesisht arti i realizmit socialist. Realizmi socialist filloi të instalohet dhunshëm nga sistemi totalitarist aty rreth viteve 1950-’60. Ishte e vetmja formë arti e lejuar dhe aprovuar zyrtarisht nga partia-shtet në Shqipëri.

Piktura, skulptura apo forma më pak të përhapura, si grafika etj., u transformuan në mjete propagande të regjimit. Qëllimi i vetëm i prodhimit artistik ishte përhapja e doktrinës komuniste, duke ndikuar në ndërgjegjen e qytetarit, ashtu edhe në pikëpamjen e tyre për jetën. Në qendër të këtyre pikturave është punëtori, fshatari në fabrikë apo bujqësi, duke paraqitur jetën e tij të lumtur dhe punën si të admirueshme. Piktura, skulpturat, monumentet, paraqisnin një Shqipëri ku standardi i jetës së punëtorit ishte rritur falë revolucionit.

Partia dhe udhëheqësi ishte subjekti me i rëndësishëm dhe gjithmonë duhej të shfaqej në mënyrën më të pëlqyeshme. Koncepte si: besnikëria, patriotizmi, puna, drejtësia, revolucioni, përshkojnë këto vepra. Qëllimi përfundimtar i këtij arti ishte krijimi i asaj që Lenini e quajti “një lloj krejtësisht i ri i qenies njerëzore”, përshtatur te ne si “njeriu i ri”. Imazhet e zakonshme të përdorura në pikturën e realizmit socialist ishin: punëtori, ushtari, rinia, rrezet e diellit, fluturimi, industria, metalurgu dhe teknologjitë, imazhe që ilustronin ëndrrën komuniste.

"Shpallja e Republikës", vepër nga Fatmir Haxhiu
“Shpallja e Republikës”, vepër nga Fatmir Haxhiu

Si edhe imazhe patetike patriotike, të ndotura me ideologji nacionaliste banale, që shpesh vijnë nëpërmjet paraqitjes së personazheve historike apo subjekteve si: lufta, atdheu, Skënderbeu, qëndresa, etj.. Për shkak se e tashmja dhe e ardhmja u idealizuan vazhdimisht, realizmi socialist duhet të përcillte një ndjenjë optimizmi të detyruar. Tragjedia dhe negativiteti nuk lejoheshin. Arti i realizmit socialist nuk preokupohej për të bukurën. E bukura nuk ishte në misionin e tij. Bukuria dhe soditja e saj, pa mesazh politik konsiderohej borgjeze, dekadente, reaksionare, toksike për njeriun e ri.

***

Bëra këtë parashtrim, ndoshta të zgjatur, për të qartësuar për aq sa mundem këtu, dallimet mes Arteve të Bukura dhe Artit të realizmit socialist. Është gati e pabesueshme që pa u thelluar, pa u menduar dy herë, me një të rënë të lapsit, tërë trashëgiminë e realizmit socialist ta quash “Artet e Bukura” apo “Artet e Larta”. Dhe Galerinë e Arteve që ruan dhe ekspozon pothuajse vetëm këtë lloj arti – Muze i Arteve të Bukura. Vështirë të kuptosh arsyet që motivojnë Ministrinë e Kulturës për këtë propozim. Personalisht, nuk kam dëshirë të spekuloj rreth tyre.

Për analogji; mendoni për një moment sikur dikush të çmendej sot në Departamentin e Kulturës në Berlin dhe artin e periudhës naziste ta quante “Arte të Bukura”, ndërsa godinën ku mbahen mbyllur veprat e propagandës, Muze të Arteve të Bukura. Të nderuar hartues të ndryshimeve në projektligjin “Për Artin dhe Kulturën”, me përulësi dëshiroj t’ju sqaroj se: pikturat që paraqesin Adolf Hitlerin si kalorës mesjetar në dyluftim me historinë, apo Benito Mussolinin me llërat përveshur që korr grurin dhe mbjell pemë, apo Josef Stalinin me kostum ushtarak rrethuar me pionierë me buqeta trëndafilash të kuq në duar, apo Nikolai Çausheskun veshur si gjahtar që vret arinjtë e tërbuar, apo Shokun Enver që shpall “Republikën e re” rrethuar me çingije me dajre dhe lodra në duar, apo së fundmi edhe portretet e Kim Jong-ut me raketat e tij të dashura në sfond – nuk janë dhe nuk quhen arte të bukura, por thjesht art i regjimeve totalitare.

Vendet e qytetëruara me vetëdije shoqërore, që me përgjegjësi dhe pendesë janë ballafaquar me të shkuarat e tyre historike, e shfaqin këtë lloj arti në muze të veçantë për realizmin socialist ose për artin totalitarist, me qëllim kryesor informimin dhe edukimin e shoqërisë për deformimet e rënda që shkakton arti, te njerëzit dhe shoqëria kur përdoret për qëllime ideologjike, apo total politike. Në Shqipëri, me pak përjashtime, është lëvruar vetëm arti i realizmit socialist dhe nuk ka ekzistuar gjë tjetër veç këtij arti, ndaj nuk duhet të kemi asnjë kompleks për të pranuar këtë fakt.

Propozimin për të ndryshuar emrin nga Galeri Kombëtare e Arteve (duke njohur përmbajtjen ideore të koleksionit që ajo ka) në Muze të Arteve të Bukura e konsideroj të pajustifikueshëm. Përpjekje false dhe një tentative për manipulim historik që me shumë gjasë shkaktohet nga moskuptimi ose keqkuptimi i periudhave historike dhe koncepteve bazë të artit. Galeria Kombëtare e Arteve është muze, në statut dhe në mision dhe nuk e ka aspak të nevojshme ndërrimin e emrit. Ndaj kurseni veten nga këto punë të kota dhe na i kurseni edhe ne përrallat me muza dhe me Artet e Bukura.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura