Rinovimi i patentës, kush përjashtohet nga testimi/ Do të ketë “pit stop” edukativ. Drejtoria e Transporteve sqaron qytetarët

Nov 25, 2021 | 9:27
SHPËRNDAJE

Rifreskimi i njohurive si kusht për të rinovuar lejen e drejtimit ka bërë që shumë qytetarë të dynden në sportelet e Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor këtë javë, përpara datës 1 dhjetor, kur u njoftua implementimi i të ashtuquajturit “pit stop” edukativ.

pat

Kjo e fundit s’është veçse rifreskim i njohurive të Kodit Rrugor, me qëllim për të parë nëse ata i kanë informacionet e duhura për të dalë në rrugë me automjet. Ndonëse janë bindur se ky reagim është tregues se po ecën në rrugën e duhur, sërish DPSHTRR-ja shprehet e keqardhur për këtë panoramë të trishtë.

Drejtues që tremben nga ajo që duhet të dinë përpara se të ngasin automjetin si dhe të tjerë që iu ka skaduar me kohë patenta, duke qarkulluar pa leje të rinovuar. “Ndjejmë keqardhje për të gjithë ata që dynden drejt sporteleve të DPSHTRR-së për rinovimin para kohe të lejes së drejtimit të tyre nga frika absurde dhe të keqkuptuar se mos do i kapë ‘pit stop’-i edukativ, si një risi e shërbimit tonë që do të nisë së shpejti! Skena që na dëshmojnë se ka shumë individë që i tremb vetvetja, të cilëve si kategori u paskemi prekur damarët e duhur! Ndërsa tregues pozitiv është fakti që risia e ‘pit stop’-it edukativ ka shkundur edhe shumë individë që kanë vite pa e rinovuar lejen e drejtimit dhe që vijonin ngisnin mjetet rrugore me lejedrejtimi të skaduara, në kundërshtim me ligjin”, nënvizon Drejtoria e Shërbimeve në njoftimin për mediat. Dhjetë ditë më parë, Drejtoria e Shërbimeve të Transportit njoftoi se nga muaji i ardhshëm do të nisë testimi i detyruar për freskimin e njohurive të atyre që adresohen pranë sporteleve të DPSHTRR-së për rinovimin apo dublikimin e patentës.

KUSH FUTET NË PROVIM

Ndonëse janë përmendur disa herë kategoritë që do të testohen për të rimarrë lejen e drejtimit, DPSHTRR-së i është dashur ta sqarojë sërish se cilat kategori do t’i nënshtrohen “pit stop”-it edukativ dhe cilat përjashtohen në momentin e aplikimit për rinovim lejedrejtimi. “Nuk ka asnjë ndryshim procedure për drejtuesit korrekt të mjeteve rrugore! Pra, për tërë ata që janë me pikë të plota dhe pa tri kundërvajtje të rënda të përsëritura në vitin e fundit paraardhës.

Do të ketë një ‘pit stop’ edukativ për këdo që sistemi i Policisë Rrugore e pikas si kontingjent përsëritës, me tri shkelje të rënda, me heqje pikësh, në vitin e fundit paraardhës! Do të ketë një ‘pit stop’ edukativ për këdo që rinovon lejedrejtimin, nëse ka mbi tri vjet që i ka skaduar”, thuhet në njoftimin e Drejtorisë, i cili shton gjithashtu se nuk ka asnjë tarifë shtesë. Libërthi dhuratë për të cilin thuhej se po punohej për ata që drejtohen për testim, nuk do të jepet në fillim, por në fund të ritestimit. Ai ka informacione me baza orientuese, këshilluese mbi situatat dhe nocionet bazë të trafikut dhe të kujdesit për të tretë.

RINOVIMI I PATENTËS

DO TESTOHEN: -Do të ketë një “pit stop” edukativ për këdo që sistemi i Policisë Rrugore e pikas si kontingjent përsëritës, me tri shkelje të rënda, me heqje pikësh, në vitin e fundit paraardhës! -Do të ketë një “pit stop” edukativ për këdo që rinovon lejedrejtimin, nëse ka mbi tre vjet që i ka skaduar!

PAGESA: Nuk ka asnjë tarifë shtesë për ata që do t’i nënshtrohen “pit stop”-it edukativ!

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura