Qendra Historike e Vlorës, rizbulimi i dimensionit të harruar

Oct 14, 2019 | 10:00
SHPËRNDAJE

ELVA MARGARITI  elva

Sa herë që vijmë në Vlorë, natyrshëm na vijnë ndërmend vargjet e Ali Asllanit, këtij poeti të dashur, që si askush tjetër i ka kënduar qytetit, që është i lidhur me simbolika të fuqishme kombëtare dhe me ngjarje të mëdha të historisë së këtij kombi.

“Zonjë e rëndë, e lartë, fisnike!
Qiellit i vjel ylberin,
në blerim i mbolle puthjet,
diellplotë e mbushe nderin”

Vlorën rëndom e lidhin thjesht dhe vetëm me detin. Çdo verë qindra-mijëra turistë e vizitojnë atë dhe shijojnë detin, diellin, natyrën e mrekullueshme të këtyre anëve.

Ndërsa çdo 28 Nëntor kujtohemi se Vlora është edhe qyteti i Flamurit, ku Ismail Qemali shpalli pavarësinë e vendit në vitin 1912 dhe përshkoi bash këto rrugë, ku ne gjendemi sot.

Dhe po, Vlora nuk është vetëm det. Vlora është edhe histori, ose më saktë, Vlora është më së shumti histori.

Dhe këtë dimension që Vlorës ia kishte venitur dëshira për fitime të shpejta, kakofonia e ndërtimeve të larta, shkëlqimi kallp, abuzimi me pronën publike, ne po përpiqemi t’ia rikthejmë, për të treguar atë çka është me të vërtetë ky qytet.

Për të rinxjerrë në dritë nga hiri, që i kishte mbuluar gjatë varfërisë gjysmëshekullore, përpara viteve ’90 dhe rrëmuja e 30 viteve tranzicion, këtë zonë të qytetit, një perlë të vërtetë, me ndërtesa të fillimshekullit XX, na është dashur të ndërmarrim një aksion të vështirë.

Por, nuk do ta kishim nisur, dhe nuk do të ishim këtu, nëse nuk do të kishim besuar dhe nëse nuk do të kishim një vizion të qartë për Vlorën.

Një vizion tek i cili besoi edhe partneri ynë: Fondi Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim, që na ka mbështetur në projekte të rëndësishme, që synojnë shndërrimin e Shqipërisë në vendin që meriton të jetë, pjesë e familjes së madhe europiane. Së bashku kemi krijuar një sinergji, që na udhëhoqi të sigurt në këtë rrugëtim.

Ndaj dhe nuk u stepëm kur nisëm prishjen e rreth 20 strukturave pa leje, volume ose objekte (shkallë, tualet, shtesa anësore, kate shtesë etj.), të cilat i kishin marrë frymën ndërtesave, që ju shihni sot.

Kur projekti ishte ende në letër, dukej si një ëndërr e largët, të mund të ndërhynim në rreth 60 objekte, në rikonstruksione çatish, mbulime me tjegulla, hidroizolime në një sipërfaqe mbi 3000 m2.

Dhe ja ku jemi sot këtu, për të parë se si është kthyer në identitet shtëpia e qëndistares së flamurit, Marigo Posios, apo godina monument kulture pranë Ish-Klubit Labëria

Përshkuam me kënaqësi rrugët kryesore të zonës historike, “Justin Godard” dhe atë të Hebrenjve, ku janë kryer punime rrënjësore në infrastrukturë, sa utilitare aq edhe estetike, duke evidentuar çdo element të arkitekturës dhe trashëgimisë kulturore, qemerë, harqe mullinj, që shumë shpejt do të jenë të ekspozuara për publikun.

Po kemi ende shumë për të bërë, për t’ia kthyer këtë zonë komunitetit. Kjo pamje do të jetë më e plotë pas përfundimit të restaurimit të ish-Galerisë së Arteve, ku dikur ka qenë qendra e vjetër tregtare e qytetit, restaurimit të dy muzeve, atij Etnografik dhe Historik apo kthimit në identitet të Kullës së Sahatit, një objekt simbol i Vlorës, së cilës do t’i kthehet shkëlqimi që meriton.

Projekti i rikualifikimit në zonën urbane pranë qendrës së qytetit të Vlorës, është një nga ato investime të qëndrueshme, që synojnë, jo vetëm t’i kthejnë Vlorës identitetin e humbur, por njëkohësisht të kenë një impakt të drejtpërdrejtë te komuniteti dhe ekonomia vendase.

Qeveria shqiptare e ka konceptuar Rilindjen urbane jo si një demagogji, por si një filozofi.

Jo si një makijazh për të mbuluar çfarë fshihet pas saj, por si një operacion të thellë, që kthen jetë, që kthen shpresë, që rrit mundësi për zhvillimin e biznesit, që u jep besim të rinjve se ky vend e ka të ardhmen që ata meritojnë.

Kjo që po them nuk është retorikë, por bindje që vjen prej shembujve të suksesit, që na japin garancinë se jemi në rrugën e duhur. Kushdo që ka qenë së fundi në Pazarin e Korçës, është mahnitur nga shndërrimi që ka pësuar kjo zonë e qytetit, nga gjallëria dhe aktivitetet që gjenerojnë zhvillim ekonomik.

Apo në Gjirokastër, Krujë, Tiranë…, të tjera projekte që kemi realizuar së bashku me Fondin Shqiptaro-Amerikan të Zhvillimit, që falë prekjeve konkrete dhe efikase, janë kthyer në modele, që mund të merren si shembull dhe në të tjera qytete e qendra të trashëgimisë kulturore.

Shqipëria është një nga ato vendet e bekuara me një natyrë të mrekullueshme, me një larmi marramendëse, por po ashtu e zbukuruar me tradita dhe trashëgimi kulturore. Kjo pasuri e jashtëzakonshme, që na bën të ndihemi krenarë për përkatësinë tonë shqiptare, na shton edhe më shumë përgjegjësinë, për ta evidentuar, ruajtur e promovuar.

Shqipëria zotëron 2228 monumente kulture, që përgjatë këtij viti janë vizituar nga qindra mijë turistë. Shifrat janë ftohta, por domethënëse.

Numërojmë:

380 mijë vizitorë në Parqe Arkeologjike;

280 mijë vizitorë në monumente kulture;

260 mijë vizitorë në muze.

Edhe më shumë do të jenë nesër, pas përfundimit të projekteve të ngjashme. Të gjithë ata që e panë këtë projekt me skepticizëm, që mendonin se nuk do t’i bënin kurrë dy vlonjatë bashkë, në një mendje, në mos kanë filluar ta kuptojnë, shumë shpejt do ta ndiejnë se kjo ishte ndërhyrja e duhur për Vlorën dhe qytetarët e saj.

Sepse Vlora nuk është vetëm det, por edhe histori!

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura