Pronat, çmimet e kompensimit për kryeqytetin

Feb 8, 2016 | 14:28
SHPËRNDAJE

Qeveria ka vendosur të dyfishojë çmimin për metër katror të tokës bujqësore. Të paktën kjo është ajo çfarë ka ndodhur në periferi të Tiranës, ku vlera e pronës ka shkuar përkatësisht nga 230 lekë/m² që ishte para një viti, në 448 lekë.

Ky ndryshim i paraprin hyrjes në fuqi të ligjit të ri të pronave. Formula e re parashikon që kompensimi të bëhet mbi bazë të zërit kadastral që toka ka pasur në momentin e konfiskimit.

Banesat sociale në Durrës, foto ilustruese

Nga kjo, vetëm në kryeqytet, sipas një studimi të bërë nga AKKP-ja, preken 26 për qind e vendimeve.

Këto të fundit, pavarësisht se sot janë tokë truall, do të llogariten me çmimet e tokës bujqësore, të miratuara së fundmi nga qeveria. Por pavarësisht kësaj rritjeje modeste, vlerat e regjistruara mbeten ende larg atyre që ekzistojnë në tregun e lirë, për pasojë edhe masa e përfitimit për pronarët pritet të jetë larg pritshmërive të tyre.

TABELA Gazeta boton sot tabelën me çmimet e tokës bujqësore në 137 fshatra të kryeqytetit.

Ashtu siç mund të shihet, vlerat për metër katror për kategorinë e tokës bujqësore luhaten nga 202 në 523 lekë/ m². Më e ulëta është në Dritas, e cila edhe këtë vit do të kushtojë njësoj. Ndërkohë vlerat më të larta janë në Shënkoll, Mjull Bathore dhe në Lundër. Në raport me hartën e çmimeve për vitin e kaluar, vihet re që ulje ka pasur në Zall Herr dhe Bërzhitë. Në këtë të fundit vlera e tokës nga 405 lekë/m² që ka qenë është bërë 375 lekë. Sakaq tendencë rritjeje kanë shfaqur edhe sipërfaqet e tokës pyjore, si edhe kullotat.

PRONAT Referuar ligjit të ri, prona e njohur për kompensim do të vlerësohet në bazë të zërit kadastral që ka pasur në kohën e shpronësimit, ndërsa çmimet do të jenë këto të sotmet.

Kjo prek një numër të konsiderueshëm dosjesh, të cilave u ka ndryshuar zëri kadastral. Skema e re përcakton që vlerësimi për pronën bëhet duke marrë si referim zërin kadastral sipas origjinës së pronës, e cila ndodhet më afër pronës që do të kompensohet. Kështu, një ish-pronar që ka një tokë të konfiskuar me sipërfaqe 1000 m², në periferi në Tiranës, kur është shpronësuar, ajo ka qenë një tokë bujqësore, ndërsa sot, për shkak të zgjerimit të qytetit, është tokë truall.

Me ligjin e ri parashikohet që llogaritja e kompensimit të mos bëhet me çmim si tokë truall (siç është sot), por me çmim si tokë jashtë qytetit, pra, siç ka qenë në kohën e konfiskimit. Çmimi i tokës jashtë qytetit do të merret ai aktual. Pra, ai i sotëm, i përcaktuar nga qeveria për zonat jashtë qytetit.

Kështu, në rast se si tokë truall, ish-pronari do të kompensohet me 20 mijë lekë për metër katror, si tokë jashtë vijës së verdhë do të kompensohet me 448 lekë për metër katror. Pra, do të shënojë rënie vlera e pronës.

cmimet1

cmimet2

cmimet3

cmimet4

ADA HAZIZOLLI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura