Plagos djalin e pronarit të truallit, pranga ndërtuesit

0
SHPËRNDAJE

Tiranë, Policia: Autorë, ndërtuesi i pallatit në Yzberisht dhe shoku i tij

Ndërtuesi i një pallati në zonën e Yzberishtit në Tiranë tentoi dje të vriste djalin e pronarit të sheshit të ndërtimit, për shkak të një debati për motive pronësie. Policia thotë se shkak i konfliktit ka qenë një garazh. Punimet që po kryente në një garazh në katin e parë të pallatit pronari janë konsideruar “pa leje” nga ana e ndërtuesit, dhe për këtë arsye ka nisur një konflikt i ashpër deri në përdorim armësh zjarri.

Ngjarja ka ndodhur pasditen e djeshme në afërsi të Yzberishtit në kryeqytet dhe në konflikt janë përfshirë ndërtuesi Armand Lilo, 35 vjeç, miku i tij Ervis Nakja, 24 vjeç dhe babë e bir, pronarë të truallit ku ishte ndërtuar pallati, Adriatik e Edlir Bello, përkatësisht 57 e 22 vjeç. Burime nga Policia sqaruan se fillimisht ndërtuesi Lilo dhe bashkëpunëtori i tij Nakja kanë rrahur, duke e goditur me grushte Adriatik Bellon, pronarin e truallit, i cili po kryente punime në një pallat. Më pas kanë qëlluar në armë në drejtim të tij, por aty ndodhej edhe djali i pronarit, Edlir Bello, i cili ka mbetur i plagosur.

Shërbimet e Komisariatit Nr.6 dhe oficerët e Seksionit Kundër Krimeve ndaj Jetës dhe Shëndetit kanë shkuar menjëherë në vendin e ngjarjes, duke ndaluar dy të dyshuarit si autorë, Armand Lilon dhe Ervis Nakjen. Ndërsa i plagosuri, 22-vjeçari Bello, është transportuar në Spitalin Ushtarak në gjendje të rëndë shëndetësore, por sipas mjekëve e ka kaluar rrezikun për jetën.

(Lajmin e plote nga Etleva Delia e lexoni sot ne Panorama)

Te lidhura

 

Artikulli paraprakBasha merr titullin e nderit në Londër
Artikulli tjetërBasha, 'Qytetar i lirë i Londrës'

S'KA KOMENTE

Comments are closed.