23 Prill, 2018

Egla Harxhi: Jeta ime 3 muaj pasi jam bërë nënë, pse është keqkuptuar lidhja ime treshe


KLOTILDA HARKA/ Tre muaj që është bërë nënë e djalit Luxifer, nga historia shumë e komentuar me fotografin e famshëm, Ale de Basseville, “Miss Albania 2007”, Egla Harxhi, ka ç’të rrëfej nga jeta e re. U kthehet edhe një herë komenteve të marrëdhënies treshe, nisur nga shumë stigmatizime që i janë bërë marrëdhënies së tyre si njerëz me shpirt e mendje të lirë, të angazhuar për projektin e tyre deri diku utopik, Principatën e Libofshës. Për përjetimet e një miss-i që bëhet grua, nudizmin në plazhet shqiptare dhe jetën ndryshe nga të tjerët, Egla i rrëfen në këtë intervistë për «Panorama Plus».

Kanë kaluar tre muajt e parë pasi linde djalin, si do e përshkruaje jetën e re?

Çdo ditë zgjohem duke falënderuar energjitë e universit për këtë dhuratë, këtë mrekulli në jetën time. Kam kuptuar pse nuk doja fëmijë më përpara, sepse e dija që do të lidhesha aq shumë shpirtërisht. Është një dashuri, një ndjenjë aq e fortë, e cila të mbush me dritë dhe energji të forta e ndonjëherë të duket sikur do të shpërthejë kraharori. Përveç kësaj, sigurisht është e lodhshme sidomos kur punon në të njëjtën kohë, e kjo më bën të reflektoj se si duhet t’i kanalizoj energjitë e mia për t’i balancuar ato në një mënyrë që mos të ezaurohem.

Para se të lindje bëre revolucion me fotot topless në plazhin e Dhërmiut. Po tani do të vazhdosh ta nxjerrësh gjoksin po njësoj?

Nuk kam dashur të bëj revolucion, kam dashur vetëm të jem në harmoni me natyrën. Lidhja që kam me natyrën është shumë e fortë, kam nevojë të ndjej zbathur rërën, tokën, kam nevojë të ndjej detin zhveshur nga çdo artificë apo material shtesë, vetëm për të qenë e mbuluar në sytë e tjerëve. Jam shumë e frymëzuar nga kultura dhe tradita skandinave, ku trupi është në harmoni me natyrën dhe askush nuk e vret mendjen se çfarë ke veshur. Kemi harruar se ç’do të thotë të jesh një me natyrën dhe jam e ndërgjegjshme që vendi ynë nuk e përkrah këtë traditë dhe se ndrydhja e shekujve nën pushtimin osman, komunizmi kanë prodhuar një kulturë antinjeri dhe antinatyrë. Por ky nuk është një justifikim për brezat që po vijnë që të sillen po njësoj. Vendi ynë ka nevojë të çlirohet nga paragjykimet, mentalitetet, fanatizmat, nga mosrespektimi i jetës së tjetrit dhe natyrës.

Si të komenton Ale si fotograf me eksperiencë i nudove tani? Çfarë sheh ai të bukur te trupi nudo i një nëne lehonë?

Ale nuk është shprehur ndonjëherë mbi këtë fakt, por unë personalisht do të thoja se ai ka një talent të kthejë çdo trup në vepër arti nëpërmjet fotografisë. Që në fillim të njohjes sonë më ka thënë se nuk ka rëndësi forma fizike, por mënyra se si sillesh apo se çfarë shpreh përpara kamerës. Madje këtu do të shtoja dhe një shprehje të Marlene Dietrich: «I dashur, nuk janë këmbët e mia të cilat janë të bukura, por mënyra si i vendos ato».

Meqë jemi këtu, mund të na rrëfeni si e ka ndryshuar marrëdhënien ardhja në jetë e fëmijës, pra, si mund ta përshkruash familjen tuaj?

Do të thosha që jeta jonë nuk ka ndryshuar. Djali më tepër është përshtatur me jetën tonë. E marrim gjithmonë me vete kur dalim, rri me ne kur punojmë dhe vëzhgon, merr pjesë në diskutimet tona, edhe pse në pamje të jashtme duket sikur nuk kupton. Unë jam e bindur që truri i një fëmije është si një sfungjer që thith gjithë kohës. Duam që të rritet me njerëz, të socializohet, të ketë dëshirën të dalë, të shëtisë, të eksplorojë.

Mund të quhesh gruaja e Ale, apo keni një emërtesë tuajën të personalizuar?

Jemi kundra emërtimeve. Kemi vendosur të ndajmë jetën në një vizion të përbashkët dhe jo robërimi të individit.

Nisur nga një status i fundit, çfarë mësimi të ka dhënë jeta me ikjen e disa njerëzve nga jeta dhe hyrjen në jetë të një njeriu si Ale?

Dua të sqaroj se statusi im është keqinterpretuar dhe nuk ka të bëjë fare me mënyrën që është trajtuar në media. Ai status kishte të bënte me miqësinë dhe me njerëz me të cilët isha në marrëdhënie pune. Nuk kishte të bënte me partnerët e jetës sime personale. Është e nevojshme të kuptohet që për ne aktualisht më i rëndësishëm është projekti i Libofshës dhe avancimi përpara. E kam thënë dhe herë tjetër që marrëdhëniet personale janë në plan të dytë, sepse nuk ka kohë për t’u marrë me to. Partnerja ime është një person i zgjuar, me bindje të forta, me një motivim shumë të madh për të punuar dhe përparuar. Ne nuk do të shprehim më asgjë që ka lidhje me jetën personale, sepse nuk i takon më askujt.

Moderatorja e emisionit të mëngjesit në «OraNews», u shpreh në transmetim kundër marrëdhënies treshe me ju si shembull, aq më tepër të sjelljes në jetë të një fëmije. Si do u përgjigjeni të gjithë atyre që ndajnë të njëjtin mendim?

Nuk ka asgjë të keqe të jesh kundra diçkaje, por kur ke arsye dhe ke argumente. Fjalori i limituar dhe injoranca e shoqërisë së sotme është e frikshme. Një moderatore që askush nuk e njeh, përpiqet të përbaltë me fjalorin e saj të limituar diçka të cilën nuk e kupton dhe nuk e njeh. Është e njohur që nga fillimet e civilizimit njerëzor që raca njerëzore atë që nuk e njeh dhe nuk e kupton, e përbalt. Do e pyesja këtë vajzë të shkretë se çfarë ka bërë në jetën e saj, çfarë ka bërë ajo përpara se të gjykojë të tjerët? Shqipëria ka nevojë për vizion dhe njerëz të cilët mund të investojnë, jo për njerëz të paditur. Nuk habitem që ky vend është në këtë gjendje, sepse njerëz të shkretë si puna e saj që nuk kuptojnë asgjë, nuk kanë pikën e kulturës dhe kanë dy gram tru në kokë, kanë të drejtën e votës. Përsa i përket, bëjmë apo jo ne fëmijë, nuk është për atë të vendosë, ndaj mos të na tregojë se çfarë duhet të bëjmë. I them të shohë punën e saj dhe i them se je vetëm një moderatore në një provincë të vogël dhe rëndësia jote është inekzistente. Kur të arrish 1 të 1000000-ën e asaj që Ale ka arritur të bëjë në jetë, mund të flasësh e t’i përmendësh emrin!

Djali do të rritet në Paris apo në Libofshë?

E rëndësishme është të rritet me dashurinë për natyrën dhe kafshët dhe këtë nuk ka për ta mësuar as duke jetuar në Paris dhe as në Tiranë. Lidhja me këto elementë esencialë të jetës arrihet duke qenë në kontakt me to. Gjatë gjithë fëmijërisë sime, 3 muajt e verës deri sa fillonte shkolla i kam kaluar në shtëpinë tonë në plazh, në atë kohë kur nuk ishin ndërtuar ende përbindëshat që kanë përpirë bregdetin shqiptar.

Kishte vetëm det, rërë dhe pisha. Kjo kohë e kaluar në natyrë ka forcuar tek unë për vite me radhë dashurinë për çdo element natyror, e kthimi në shtator në Tiranë ishte një vuajtje e madhe për mua. Dua që fëmija im të rritet me këtë frymë, në një ambient natyror. Dua që Luxifer të rritet me ne kudo që të jemi, duke kuptuar dhe bërë pjesë në luftën politike që i ati i tij po bën për mbrojtjen e natyrës, zhvillimin e ushqimit bio dhe përpjekjet për të ndryshuar modelet ekonomike në funksion të ekosistemit.

PANORAMA PLUS

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"
© Panoramaplus.al