13 Qershor, 2018

A është nevrik Edi Rama, kush e ka rrogën më të madhe, a mund të bëhet Shqipëria aq e bukur sa shtëpia juaj?


Çdo pyetje është e bukur dhe asnjë pyetje nuk paragjykohet, mjafton që ajo të dalë nga goja e një fëmije. Madje, një fëmijë mund të të bëjë edhe pyetje nga ato që një gazetar profesionist as nuk do t’i çonte nëpër mend si në rastin e pyetjeve që fëmijët e “Piter Panit” i bënë bashkëshortes së Kryeministrit Edi Rama, zonjës Linda Rama. Një intervistë e pazakontë, me pyetje ngacmuese dhe intime, të cilat Linda i përballoi me sportivitet, humor dhe inteligjencë. Më poshtë një pjesë nga intervista e realizuar nga fëmijët e programit “Në kurthin e Piter Panit” me zonjën e Kryeministrit.

Është hall apo qejf të jesh gruaja e Kryeministrit?

Ti mund të bëhesh kryeministër, por ti mund të bëhesh edhe gazetar me këtë super pyetje. Hall nuk është, e sigurt. Nuk është hall sepse kryeministrin e zgjedh populli t’i drejtojë. Dhe është një vlerësim i madh dhe një peshë që ia vlen ta mbash.

Kur Lindi Zaho, a qave?

Të gjitha mamatë qajnë se fëmija është bekim. Këtë që do them, e dinë të gjitha mamatë: Mrekullia është vetëm fëmija.

Po të bëhesh ti kryeministre, çfarë do bëje për popullin?

Nuk do bëja sa bën Edi. Por po fantazoj si Piter Panistat. Për një minutë mund të mendoni se do t’u jepja një vëmendje të madhe fëmijëve që kur lindin e deri në moshën 10 vjeç. Do të modernizoja sistemin e edukimit në kopshte e shkolla, sepse unë mendoj se fëmijët janë e vetmja Europë që ne kemi.

Kush e ka rrogën më të madhe, ti apo ai Edi?

Familja krijohet nga dashuria dhe jo nga pasuria. Ajo është e vetmja vlerë. Nuk janë të tjerat, kush ka rrogën më shumë e kush më pak. Ju jeni shumë të vegjël që të merreni me lekun tani. Juve ju duhet vetëm dashuria.

A keni hequr dorë nga gjëra të jetës tënde pas martesës me Edin?

Kam fituar shumë nga lidhja me Edin, por sigurisht më është dashur të heq dorë nga disa gjëra të jetës sime, më parë se të takoja xhaxhi Edin. Ja p.sh.: Unë jepja mësim dhe më mungojnë studentët dhe klasat.

A qan Edi Rama?

E kam parë unë lotin e Edi Ramës kur ka humbur miqtë e ngushtë.

Edi Rama në televizor është nevrik. po në shtëpi?

Joo…, ai nuk është nevrik. Ai është i qetë dhe kur qeveris, edhe kur rri në shtëpi në divan, edhe kur i bie asaj dajres. Nuk është e vërtetë që Edi Rama është nevrik, ai është një burrë i qetë.

A mërzitet djali kur je në punë gjithë ditën?

Ne punojmë të gjithë: Rea, Gregu, mama Linda dhe babi Edi. Ne e shijojmë mëngjesin, bëjmë gara kur ikim në kopsht. Por telefoni na bën shumë punë. Ndajmë foto dhe video dhe na mundëson që ta shijojmë më shumë njëri-tjetrin, edhe gjatë ditës kur nuk jemi bashkë.

Kush gatuan në shtëpinë tuaj?

Në fillim Linda fillon të tregojë me shaka: Xhaxhi Edi, sigurisht gatuan. Pjatë të parë, të dytë, të tretë, lan enët, pastron shtëpinë, bën pazaret… të gjitha ai i bën. Pastaj tregon të vërtetën: Gatuan mama Linda, sepse mendoj se shija e duarve të mamit është e jashtëzakonshme.

Kur shkoj te mamaja e Edit, që është mjeshtre e rafinuar, ushqimi i duarve të saj është më i miri në botë. Edhe kur shkoj te mamaja ime prapë është ushqimi më i mirë në botë. Kështu që gatuaj unë dhe Edi vazhdon të pëlqejë angjinaret.

Cila është fjala e parë që ka thënë Zaho?

Ba ba ba ba…

A të ka bërë Zaho ndonjë pyetje të çuditshme?

Ju eksploroni tërë kohën dhe është kjo mosha 3-4 vjeç që të surprizoni. Para pak ditësh kisha vënë pak qumësht për ta ngrohur, kurse ai po merrej me lodrat e veta. Qumështi u derdh dhe mamatë dhe gjyshet tuaja e dinë se çfarë është të të derdhet qumështi. Dhe unë po thoja: Obobo… ç’bëra more Zaho, derdha qumështin, bëra një gabim. Ai më tha i qetë: mos u mërzit. Ti herën tjetër nuk do ta bësh më. Qetësohu! M’u përgjigj siç e kanë mësuar edukatoret. Të nesërmen i thashë sa mirë që më qetësove, kurse ai më tha: mama Linda, ti ishe e vogël kur e bëre gabimin? Jo, i thashë nuk bëjnë vetëm të vegjëlit gabime, bëjnë edhe të rriturit, të cilët kërkojnë edhe falje.

Si ka qenë fëmijëria jote?

Të gjitha fëmijëritë janë të bukura. Edhe gjyshërit tuaj thonë se kanë qenë të bukura, të gjitha janë të bukura dhe me kalimin e kohëve rritet nostalgjia dhe kthehet në kurth. Kam kaluar tre fëmijëri: një fëmijëri e imja, një e Reas dhe Gregut se janë në të njëjtën moshë dhe një e Zahos. Fëmijëria është aromë, është ndjesi, para ca ditësh ndjeva trëndafilin e gjyshes se kisha nevojë për aromën e gjyshes. Mbesa ime e quajti dashurinë e tyre si ata që i mësojnë harmonitë fëmijëve.

A ke frikë nga gjilpëra?

am, po tani e kam kaluar, ama kur isha e vogël kisha shumë frikë. Mbyllja edhe veshët edhe sytë se më duket se kisha më pak dhimbje dhe ndërkohë dëgjonim një zë: mos u shtrëngo, mos u shtrëngo, mos u shtrëngo.

Pse vishesh me të zeza?

Sepse është elegante. Por një njeri i madh që pëlqente të zezën ka thënë: Të gjitha ngjyrat më pëlqejnë, boll që të jenë të zeza. Por unë sonte nuk kam veshur vetëm të zeza, kam edhe të kuqen.

A të ka bërë Edi Rama ndonjë dhuratë romantike ty?

Edi është artist dhe artistët kanë doza të mëdha romance brenda. I bëjnë dhuratat spontane. Mund të gjesh një bluzë të pikturuar apo një vezë pashke, ku me ngjyra shkruhet një mesazh për ty.

A thotë Edi “më fal” kur bën gabime?

Të gjithë njerëzit bëjnë gabime dhe thonë “më fal”, po ka disa profesione dhe politikani është një ndër ato që kanë këtë pjesë, por Edi e ka kaluar këtë fazë. Di të thotë “më fal” edhe heshturazi, edhe me zë të lartë.

E keni diskutuar në familjen tuaj që Shqipëria të bëhet po aq e bukur dhe komode sa shtëpia juaj?

Shqipëria është shtëpia jonë e përbashkët. Çdo familje sot përpiqet të rregullojë të mirën e vet brenda mureve të shtëpisë, por asnjëherë sado e bukur të jetë një shtëpi, nuk do ishte aq e bukur pa Shqipërinë, shtëpinë e madhe. Dhe ne të gjithë duhet të përpiqemi që Shqipëria, shtëpia jonë e madhe, të bëhet e bukur, e paqtë dhe më shumë ngjyra e komode për brezat që do të vijnë.

Ndihesh një grua me fat që ke bashkëshort Edi Ramën?

Ndihem e privilegjuar që kam bashkëshort Edi Ramën.

Çfarë qëndrimi keni për epokën virtuale në të cilën jetojmë?

Ka ndodhur një revolucion i madh jo vetëm në Shqipëri, por në botë sot, që është teknologjia e informacionit dhe, për çudi, bota dhe aq më shumë Shqipëria, ishin të papërgatitura për t’i paraprirë këtij revolucioni. Mendoj që duhen ftuar në skenë sot mendimtarë, filozofë, sociologë, të flasin më shumë për këtë botë. Unë kam parë statistika dhe teknologjia e informacionit dhe interneti është një realitet në Shqipëri. Statistikat e tregojnë dukshëm këtë. Nuk është çështja, do ta pranojmë apo s’do ta pranojmë. Ai është mes nesh, ndodh çdo ditë në familjen tonë, ne nuk mund t’u themi njerëzve mos ua lini fëmijëve telefonin, mos ua lini internetin. Kjo është një fazë e ezauruar dhe do të thotë të shkaktosh më shumë konfuzion te prindërit, aq më shumë te gjyshërit.

Nuk besoj që nuk ka një prind që nuk e ndjen peshën e frikës se çfarë ndodh pas atij ekrani çdo ditë në duart e fëmijëve dhe të rinjve veçanërisht. Duhet të shkojmë te gjithë ky diskutim, në kushtet kur ne duhet ta pranojmë dhe të fillojmë të mendojmë për të parë se si interneti mund të përdoret dhe të kthehet në përfitimin tonë dhe nuk duhet të harrojmë që ky revolucion ka sjellë aq shumë gjëra të mira, siç është mjekësia, për shembull, gjëra që më përpara as që imagjinoheshin, sot shpëtojnë jetë njerëzish, por ndërkohë ne duhet ta kthejmë në të mirë të njerëzimit dhe kemi nevojë të dimë se si do ta përdorim internetin, kush janë platformat që nuk shkaktojnë rrezik për fëmijët dhe prindërit këto nuk kanë se si t’i dinë. Duhet të ketë hapësira televizive. Veçanërisht, Radio Televizioni publik Shqiptar duhet të krijojë hapësirën e këshillimit për prindërit dhe për të rinjtë, për të parandaluar ato fenomene, që ne i kemi frikë brenda vetes sonë dhe për më tepër ne duhet të përpiqemi shumë të gjithë që mos ta lejomë ekranin që të na vërë hije mbi dijen dhe shpirtin njerëzor. Këto të dyja duhet ta sfidojnë atraksionin e kotë dhe garën për vëmendje të internetit.

PANORAMA PLUS

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"
© Panoramaplus.al