Në shkelje të Kodit Zgjedhor, Rama ‘josh’ pensionistët me shpërblim në prag të zgjedhjeve. Paralajmërimi i Ilirjan Celibashit: Nuk e bën dot, ka penalitete…

Mar 30, 2023 | 7:33
SHPËRNDAJE

Kryeministri Edi Rama njoftoi ditën e sotme një shpërblim prej 5 mijë lekësh për pensionistët, që do të jepet në muajin prill. Ai e bëri me dije këtë vendim pas daljes nga mbledhja e qeverisë, ku u pyet nga gazetarët nëse kjo quhet shkelje e kodit zgjedhor, duke qenë se jemi vetëm pak javë nga zgjedhjet e 14 Majit.

“Këto janë të gjitha çështje, dhe janë të gjitha zotime që janë marrë dhe nuk kanë asnjë lidhje me kodin zgjedhor dhe nuk kanë asnjë lidhje me zgjedhjet. Dhe mbi të gjitha për pensionistët që janë mbi të gjithë dhe për 1001 arsye kanë dhënë më shumë se të gjithë dhe në të gjithë këtë histori ndryshimi kanë marrë më pak për të gjithë”, tha Rama.

Akuzat për shkelje të kodit zgjedhor, kryeministri i ka quajtur analfabetizëm. Nga ana tjetër Rama thotë se kjo klauzolë që ndalon qeverinë të marrë vendime të tilla funksionon vetëm para zgjedhjeve politike që kanë të bëjnë me krijimin e qeverisë së re. “Analfabetizmi politik është ku e ku më i keq se sa analfabetizmi real apo ai funksional! Neni që ndalon rritjen e pagave 4 muaj para zgjedhjeve lidhet me zgjedhjet politike, ku flitet për periudhën para krijimit të qeverisë së re”, ka shkruar Rama në Twitter.

Por çfarë thotë kryekomisioneri Ilirjan Celibashi

Pak javë më parë i ftuar në emisionin “Log.” Në Panorama TV, Celibashi tha se KQZ është duke e monitoruar sjelljen e institucioneve publike duke theksuar qartazi se kreu i qeverisë nuk mund të marrë vendime të tilla gjatë fushatave elektorale. Kur u pyet nëse do ta dënojë KQZ kryesocialistin në rast se e ndërmerr një hap të tillë, ai nuk nguroi të pohonte një gjë të tillë.

Pjesë nga biseda në studio

Ilirjan Celibashi: E vërteta është se ajo dispozitë lidhet me zgjedhjet e përgjithshme për Kuvendin, por gjithsesi në frymën e saj Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është duke e monitoruar sjelljen e institucioneve publike.

Endri Xhafo: Edi Rama jo më larg se sot tha se do i rrisim pensionet dhe pagat përsëri

Ilirjan Celibashi: Nëse e ka premtim elektoral, por nëse e vendos sot dhe i gjen paratë këtë nuk e bën dot.

Endri Xhafo: Po nëse e bën?

Ilirjan Celibashi: Nëse ai thotë sot, ka penalite dhe sanksione.

Endri Xhafo: Do keni guxim ta penalizoni

Ilirjan Celibashi: Po, si mendon do e kemi guximin?

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura