“Ne e kemi qejf shumë burgun”- Zbardhet debati mes deputetëve të PS për bixhozin: Po shkojmë në Evropë apo në Afrikë që të presin dorën…

May 29, 2019 | 19:17
SHPËRNDAJE

ERVIN KOÇI/ Deputetët e Partisë Socialiste u përfshinë dje në debate për sa u përket dënimeve me burg për personat që marrin pjesë në lojërat e fatit.

siguria

Ditën e djeshme, në Komisionin e Sigurisë Kombëtare u shqyrtua nen për nen projektligji, i cili amendon disa nene të Kodit Penal, ku pjesë e tij ishin edhe dënimet me burg për organizatorët dhe pjesëmarrësit në lojërat e paligjshme të fatit.

Deputeti socialist, Paulin Sterkaj, theksoi në diskutimin e tij se nuk duhet të vendosen masa të ashpra me dënime me burg për pjesëmarrësit, pasi është një dënim shumë drastik.

Ai ngriti edhe dyshime për mënyrën sesi është përpiluar ligji, duke theksuar se burgu nuk duhet të jetë filozofi, por dënime alternative si gjoba. Por diskutimet e tij nuk gjetën mbështetjen e kolegëve të tjerë dhe për rrjedhojë, ai votoi kundër nismës së propozuar nga një grup deputetësh.

deputetet-e-PS

DEBATI

Felaj: Dënimi duhet të përshkallëzohet. Nëse në paragraf të dytë, të tretë apo të katërt flasim për një rrethanë të rënduar, rrjedhimisht duhet të vijë duke u rënduar. Përgjithësisht, si mekanizëm, duhet të vijë duke u rënduar, jo duke u bërë më i butë.

Braho: Dakord jam me këtë nen, vetëm më bën përshtypje një gjë. E para, parimisht, ne duhet të vendosim dënime me gjobë. E dyta, dënimin me gjobë ne e kemi lënë relative, nuk kemi parashikuar se sa është kjo gjobë dhe si varion kjo gjobë. Madje, po ta shohësh me kujdes, të tëra propozimet që parashikojnë dënimet me gjobë, nuk kanë masën e gjobës. Kështu që duhet të jemi të kujdesshëm nëse do të biem dakord të caktojmë masën e gjobës, se pastaj ia fut Gjykata si t’i dojë qejfi.

Felaj: Në këtë dispozitë të propozuar nuk ka asnjë paragraf ku është parashikuar dënimi me gjobë. Vetëm e fundit, ku është minimumi i gjobës.

Braho: Sa është minimumi i gjobës?

Sterkaj: Ore, unë e shoh që ne e kemi qejf shumë burgun dhe duam të prodhojmë burgje përditë në Shqipëri.

Shameti: Jo, po frika ruan vreshtin…

Sterkaj: Pse nuk parashikohen në çdo nen edhe dënimet alternative. Vetëm burgu qenka praktikë këtu në Shqipëri. Apo shtet i pasur shumë ne dhe kemi mundësi që t’i mbajmë në burgje me taksapaguesit shqiptarë. Por kemi punësi që t’i mbajmë me dënime alternative si punë sociale. Njeriu nuk riparohet vetëm në burg. Riparohet edhe me masa të tjera penale. Pse duhet të jemi kaq të ashpër ne në Kodin Penal? Kemi mundësi që të gjejmë dënime alternative, janë praktikë europiane. Ne duam të hyjmë në Europë dhe duam të kthehemi nga Afrika, t’i presim dorën atij që vjedh. A kemi mundësi që të kemi dënime alternative? E mendoni atë që po bëni apo jo? Nuk është vetëm burgu që zgjidh çdo gjë në këtë botë. Njeriu bie në gabim edhe pa dashje, edhe nga një emocion, edhe nga një gjendje jo e mirë shpirtërore, shkon edhe në bixhoz. Pse në burg duhet të ikë ai? Nuk ka mundësi që të bëjmë një dënim alternativ për të? Të ketë dënime alternative që t’i japim mundësi gjithkujt që të kuptojë që s’duhet të bëjë gabime. Sepse ai që bën një gabim, dënohet me gjobë dhe nuk gabon më sepse e ka vuajtur me financa. Nuk është vetëm burgu ai që rëndon edhe buxhetin e shtetit, edhe mundësitë për t’i administruar. Të gjithë njerëz jemi. Me këtë Kod Penal i bie që të shkojë të paktën gjysma në burg. Lërë mundësinë që të ketë dënime alternative.

Felaj: Besoj se shqetësimi i zotit Sterkaj ka vend, por duhet treguar sesi funksionon.

Shameti: E para, sa i takon dënimit me gjobë, neni 34 i Kodit Penal, bën specifikimet e mënyrës së deklarimit fajtor dhe dënimit me gjobë, kështu që ezauron të gjithë çështjen e masave të dënimeve me gjobë. E dyta, për shqetësimin e z. Sterkaj. Në pjesën e përgjithshme të Kodit Penal, neni 59 e vijues bën edhe analizën dhe identifikimin e alternativave të dënimit me burgim, paçka se në këto paragrafë, në këtë dispozitë thuhet që kjo vepër dënohet nga kaq vite burgim, në pjesën e përgjithshme të Kodit Penal ka gjetur zgjidhje dhe ky shqetësim se në cilat raste Gjykata vendos pezullimin e gjykimit. Është Gjykata, e cila, në përputhje me rekordet kriminale të personit në hetim, nëse ka kryer apo jo vepër penale, ekzistenca në disa rrethana lehtësuese, vendos aplikimin e dënimeve alternative apo të pezullimit të ekzekutimit të dënimit me burg. Kështu që mos e merrni aq me frikë, sepse për çdo rast apo për çdo vepër penale të kryer do të ketë burg se s’bën.

Sterkaj: Mos na thuaj neve mos e merrni me frikë. Nuk jemi përdorues të bixhozit, as në administrimin e lojërave të fatit, por duhet të mendohet, siç është fëmija yt në këtë pjesë. Ne jemi në një moshë që mund të gjykojmë që të bëjmë ligje që realisht duhet të zënë vendin e duhur në opinionin publik, por edhe në jetën e përditshme. Të gjithë kanë fëmijë, të gjithë kanë lidhje, prandaj duhet të bëhet një ligj që duhet të funksionojë. Në Shqipëri diku luhet bixhoz, diku tjetër ndalohet. A mund të presim sa t’u mbarojë kontrata këtyre që luajnë bixhoz dhe më pas të vendosim ligje të ashpra sepse unë këtë e kam problem. Diku jepen licenca për bixhoz, diku tjetër dënohet për bixhoz. A ka mundësi që të japim dënime alternative, të mos shkojmë te ekstremi se çfarë ju ka shtyrë juve në këtë konkluzion.

Felaj: Po krijohet konfuzion me termin dënim alternativ…

Sterkaj: Unë kam bindjen time. Kësaj i thonë t’i rrisim autoritetin gjykatës dhe me i dhënë shpirtin Gjykatës. Për çfarë është bërë Reforma në Drejtësi?

Braho: Alternativa është alternativë dënimi. Vetëm ne shqiptarët e kemi kështu.

Sterkaj: Në kohë të Enverit kanë vënë bast se ku do të ndalet miza. Ndalet më përpara tek unë apo te ty dhe kanë vënë bast kaq lekë. Për lojëra futbolli. Ka 1001 forma për të luajtur bixhoz. Në këtë vend lejohet bixhozi, në disa vende dhe në disa të tjera i dënon me burg.

Shameti: Kjo është e tejkaluar, që kur kemi miratuar ligjin në atë gjuhë që e kemi votuar.

Felaj: Që të dënohesh për lojërat e fatit, duhet të bësh atë që përcakton ligji për lojërat e fatit, jo për gjithçka.

PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura