Muho Asllani: Si e njoh Enver Hoxhën, ndryshimi me Mehmet Shehun (Pjesa III)

Jan 21, 2016 | 7:48
SHPËRNDAJE

Ish-anëtari i Byrosë politike, Muho Asllani tregon në vijim të intervistës së tij për gazetën “Panorama”, marrëdhëniet që ka pasur me krerët e partisë dhe të shtetit shqiptar në kohën e monizmit.

Për Enver Hoxhën, Muho Asllani tregon se ishte natyrë shumë e ndryshme nga ajo e Mehmet Shehut. Ai është gjetur i befasuar në takimin e parë që ka pasur me Enver Hoxhën, pasi ishte zgjedhur antar i Komitetit Qendror të PPSH-së në kongresin e 6 të partisë. Hoxha njihte jo vetëm se kush ishte Muho Asllani, por dhe historinë e prejardhjes së mbiemrit të tij.

enveri-mehmeti

Për ish-anëtarin e Byrosë Politike, Enver Hoxha, me qetësinë dhe mbështetjen që i ka dhënë, e ka shpëtuar atë nga burgu pas shkeljeve që iu konstatuan gjatë aksionit kombëtar për zhdukjen e pasojave të tërrmetit shkatërrues të vitit 1979 në zonën e Shkodrës. Muho Asllani, në detyrën e sekretarit të parë të partisë së rrethit, kishte ndërtuar shkolla të reja të mesme bujqësore, rrugë, shatërvanin në qytet madje dhe stadiumin e futbollit me fondet që ishin dhënë për tërmetin.

Ai tregon diskutimin e bërë në këtë mbledhje ku propozohej procedimi i tij penal. Kur e keni takuar për herë të parë Enver Hoxhën? E kam takuar për herë të parë në Kongresin e 6-të të PPSHsë në vitin 1971. Atëherë isha sekretar në Komitetin e Partisë së rrethit Shkodër për çështjet e bujqësisë. Në këtë kongres mua më zgjodhën anëtar të Komitetit Qendror të PPSH-së, pa kaluar më parë fazën e kandidatit të Komitetit Qendror. Në një nga sallat e kongresit, u mblodhëm të gjithë anëtarët e rinj të Komitetit Qendror dhe bashkë me Hysni Kapon erdhi dhe Enver Hoxha dhe na takoi të gjithëve.

Kur erdhi radha ime për t’u prezantuar, Enver Hoxha më tha: Muho, ti ke mbiemrin tënd Artunda, pse të thërrasin Asllani? I thashë: Shoku Enver, edhe nënën time ta pyesësh nuk e di se çfarë do të thotë Artunda. Por emrin tim ma ka vënë prifti.

Ai qeshi. Si ka mundësi që ta ka vënë emrin prifti? Në 1945-n, kur u bënë regjistrimet ne e kishim mbiemrin Kraja dhe Kraja në Shkodër kishte katolikë dhe myslimanë dhe i thanë babait që duhet ndryshuar mbiemri dhe i propozuan disa mbiemra, por babai nuk i pëlqente. Në fund i thanë do ta vesh Artunda, që do të thotë flori. Por, ngaqë nuk më njihte njeri me Artunda në Shkodër dhe meqë babai ishte kryetar këshilli, nisën të më thërrasin me emrin e babait, Asllan dhe më mbeti emri i babait si mbiemër. Enver Hoxha na e njihte biografinë më mirë sesa ia njihnim ne vetes tonë. Kishte informacione nga të gjitha burimet.

Çfarë marrëdhëniesh keni pasur me Enver Hoxhën? Unë me Enver Hoxhën kam pasur marrëdhënie që më lidhte puna, por nga ai njeri unë kam marrë cilësi, e kam kopjuar në një lloj mënyre. Nga Enver Hoxha unë mësova të dëgjoj tjetrin, të marr informacion nga ai gjerë e gjatë dhe pastaj të flas. Enver Hoxha nuk ngutej, nuk nxitohej siç bënte Mehmet Shehu. Me Enver Hoxhën nuk guxoje t’i paraqisje gjërat të zbukuruara, apo aq më keq të deformuara. Ai kishte informacion të saktë dhe verifikonte çdo informacion. Kur erdha në Durrës, Enveri më pyeti në një takim: Çfarë po bëhet me Kalanë e Boshtovës? Unë s’e kisha idenë se ku ishte Kalaja e Boshtovës, e kisha dëgjuar vetëm në shkollë. Enver Hoxha ishte shumë i kujdesshëm si shtetar, i rregullt, gjithmonë me kostum, si një lider perëndimor, gjithmonë vinte 10 minuta para mbledhjes, asnjëherë nuk e kam parë këmbë përmbi këmbë, s’e kam parë asnjëherë me tespihe në dorë. Madje, do të thosha se ajo që thotë për Kadri Hazbiun në videon që është dhënë disa herë … jo duke treguar bërrylin… apo kur thotë mut muti (më fal për shprehjen) janë montazhe. Nuk bënte vaki që Enver Hoxha të përdorte fjalë të tilla nga goja e vet.

Muho Asllani 2

A keni pasur ndonjëherë përplasje me Enver Hoxhën? Jo, asnjëherë, madje ai më ka shpëtuar se ishin duke më shkarkuar dhe ndoshta futur në burg. Kur mbaroi likuidimi i pasojave të tërmetit të Shkodrës 1979, Manush Myftiu ishte kryetar i kontrollit të shtetit dhe zëvendës i Mehmet Shehut dhe duhej të rakordoheshin financimet që kishte dhënë shteti për të zhdukur pasoja e tërmetit. Por unë kisha bërë 6 shkolla të reja të mesme, të cilat s’kishin lidhje fare me tërmetin, deri në Tamarë. Kisha bërë nja dy shtëpi, shtëpinë e komunistit të 1941, Çun Jonuzi, atij tërmeti dy tjegulla i kishte dëmtuar. Bëra po ashtu shatërvanin, stadiumin dhe disa objekte të tjera për qytetin dhe nuk m’i njohën si objekte të planifikuara. Me këto, unë shkoja në burg. Rrahman Hanku, i cili ishte ministër i Ndërtimit, nuk i firmoste, Adil Çarçani që ishte kryetari i Shtabit për likuidimin e pasojave të tërmetit, po ashtu. Gabimi i shtabit tonë të rrethit ishte se objektet e ndërtuara nuk i kishin përfshirë në planifikimin e përgjithshëm. Më thirrën në sekretariatin e Komitetit Qendror, ku më bënë një lloj gjyqi që mua më groposnin shtatë pash nën dhe. Mehmet Shehu, që ishte Kryeministër, më thotë: Mirë shkeljet që ke bërë me shkollat dhe rrugët, por stadiumin përse e bëre? E kisha përgatitur veten se do të më shkarkonin, ndoshta më fusnin në burg, por jetën do të ma falnin se isha djalë i ri dhe nuk kisha abuzuar me fondet e shtetit. Nuk kisha lejuar të më qerasnin asnjë kafe dhe asnjë shtëpi apo ndërtim të afërmve të mi, se e dija që do të kapeshin pas atij fakti. Bëra edhe një shtëpi në Dukagjin, sepse kishte shumë alpinistë, të cilët po t’i bllokonte bora apo mjegulla, s’kishin ku rrinin. U quajt Shtëpia e Alpinistëve, madje e quanin shtëpia e Muhos. Sot, katër mure kanë mbetur.

Si e kapërcyet këtë moment në “gjyqin” që po ju bëhej? I thashë Mehmetit se Shkodra ka qenë vilajet, Shkodra e Madhe, Kisha e Madhe, Xhamia e Madhe, Bërdica e Madhe, Arra e Madhe. Më kanë ardhur trajneri dhe gjashtë lojtarë në zyrë, dhe më kanë kërkuar që t’u bëj stadiumin. “Sa mirë që të solli Enver Hoxha dhe Byroja Politike në Shkodër se je i pari sekretar i Parë që je shkodran. Të lutemi, na rregullo stadiumin, se jemi qyteti ku ka filluar futbolli në Shqipëri”. Mehmet Shehu më tha se e ke planifikuar stadiumin dy herë më të madh se “Qemal Stafa”. Mendova ta bëja një herë e mirë. Madje, sportistët më thanë që bëje stadiumin se nuk të dënon shoku Enver, se është tifoz i Vllaznisë dhe Besës së Kavajës, se shoferin e ka shkodran dhe kuzhinierin nga Kavaja. Në sekretariat, nuk ia mbante askujt të qeshte. M’u kthye Mehmet Shehu: Se ti je lokalist, konservator, ty të kam thënë se ke lindur fshatar dhe do të vdesësh malësor. Ndërhyri shoku Enver dhe i tha: Mehmet, edhe ne në moshën e Muhos e kemi bërë ndonjë gabim, dhe Muho mendoi me këtë rast po i bëj një stadium qytetit. Jo shoku Enver,- i tha Mehmeti,- nuk kemi bërë gabime. Më thuaj një gabim të tillë.

Në 1947-n,- i tha shoku Enver,- me kredinë që morëm nga Titoja, ne bëmë fabrikën e qelqit në Korçë. Pse ta bënim në Korçë, mund ta bënim në Tiranë, apo Elbasan? Por në Korçë ju ishit pesë anëtarë të Byrosë Politike, prandaj e çuat atje. Unë nuk e hodha në votë dhe e pranova që të bëhet. Edhe Muho kështu e bëri, por të mos harrojmë se Muho ka bërë punë kolosale për eliminimin e pasojave të tërmetit. Pyeti Manush Myftiun: Ka futur gjë në xhep Muhoja? Jo,- tha Manushi. Ke vërejte që u ka bërë shtëpi familjarëve të tij, se janë gjashtë fëmijë këta. Jo,- tha Manushi,- edhe shtëpinë e vjehrrës që është prishur, nuk e ka ndërtuar. E dija unë këtë se do ta nxirrnin në mbledhje më vonë dhe e lashë pa e ndërtuar. U ngrit dhe Hysni Kapo dhe më numëroi të gjitha detyrat që kisha pasur e që i kisha realizuar me sukses dhe prandaj nuk isha për t’u ndëshkuar. Manush Myftiu propozonte shkarkimin tim si sekretar i Parë dhe qenien në parti ta diskutonte organizata e partisë, dhe t’i jepej organeve të drejtësisë për ndjekje penale. U çua dhe Adil Çarçani dhe e vlerësoi punën time. Në fund, pas diskutimeve, u çua shoku Enver dhe propozoi vërejtje me shkrim në kartën e anëtarit, sepse ky, me këtë hov që ka marrë dhe me këtë moshë që ka, kudo që ta çojmë, do të na bëjë prapë shkelje, prandaj ta frenojmë pak. Vërejtjen e parë në kartën e anëtarit e kam nga shoku Enver. Më pas, mora dekoratë sepse Shkodra u shpall “Heroi i punës socialiste”, ndërsa unë mora “Urdhrin e flamurit të klasit të parë”.

Si e keni nisur punën si sekretar i parë? Kur shkova në Burrel, pashë një varfëri të madhe sepse dita e punës në bujqësi ishte nga më të ulëtat. Unë hyja në brigada ku punonin fshatarët, ulesha me ta edhe në pushim kur hanin bukë. Më ka bërë shumë përshtypje kur kam parë të hanin bukë me ujë. Mbushnin një shishe me 2/3 me ujë, pastaj i hidhnin pak uthull dhe pastaj sheqer, pinin këtë dhe hanin bukë me një domate, ose spec turshi. Kur e trajtova unë këtë çështje në Byronë Politike për problemet e Burrelit, u ngrit njëri, të cilit nuk dua t’ia përmend emrin, sepse mund të lëndoj nipat apo mbesat e tij sot, dhe më tha që një gjë e tillë nuk ka mundësi të ndodhë. I thashë se kështu kanë ngrënë dhe motrat e mia, por pas çlirimit, jo në 1974-n. Por Enver Hoxha çdo shqetësim e verifikonte me rrugët e veta. I verifikoi edhe këto dhe dolën siç unë kisha raportuar. Më pas kam shkuar në Kukës, ku kam zëvendësuar Pali Miskën si sekretar i Parë i Komitetit të Partisë, ndërsa në Burrel u zëvendësova nga Rrapi Gjermeni nga Lushnja. Edhe në Kukës kishte vështirësi ekonomike, por njerëzit ishin më të vendosur, më atdhetarë dhe më punëtorë.

Kishit momente të vështira kur mund të dënoheshit nga Partia? Kam pasur shumë raste të tilla. Më kujtohet që, në Burrel, ndërmarrja e grumbullimit kishte mbetur pa marrë paradhënie për punët që do të bënte, sepse Mehmet Shehu nuk kishte pranuar të jepej paradhënie për zonat e vështira, por donte që ato të nxirrnin veten gjatë dimrit. Por, paradhëniet jepeshin sidomos në ndërmarrjet pyjore dhe atë të ndërtimit, sepse në atë kohë ndërtohej Uzina e Ferrokromit. I kërkova drejtorit të Pyjores që, meqenëse ishim në prag dimri, që të mos humbnim financimin nga shteti për mbjelljen e fidanëve, i thashë t’i paguante kooperativat bujqësore sikur i kishin mbjellë fidanët, ndërkohë që ky t’i ruante që të mos thaheshin dhe t’i mbillnin në pranverë. I thirra kryetarët e kooperativave dhe sekretariatin që të bëjmë një aktmarrëveshje, sikur fidanët janë mbjellë dhe me këto para të kalonin dimrin. Kështu u bë. Por letrat anonime të merrnin në qafë. Kishin bërë një letër anonime për këtë çështje dhe e mora vesh më vonë që e kishte bërë kryeinxhinieri i Ndërmarrjes Pyjore. Më thirri shoku Hysni dhe i shpjegova se çfarë kishte ndodhur. I thashë se kisha mbledhur sekretarët e partisë në rreth dhe jo byronë e rrethit dhe vendosëm që të mos i lëmë njerëzit të hanë vetëm patate gjithë dimrit, ndaj e bëmë këtë veprim. Ramë dakord. E di që është gabim dhe kam shkelur ligjet, por e bëra për të mirë të popullit. Më dëgjoi dhe më tha mos e bëj më këtë veprim. Por Hysni Kapo e kishte zyrën ngjitur me zyrën e Enver Hoxhës. Doli nga zyra, më takoi dhe më tha se çfarë ishte ajo që kisha bërë. Unë i tregova edhe shokut Enver të vërtetën. I thashë se kisha shkuar në Kryeministri te shoku Mehmet dhe ai nuk na kishte pranuar shtimin e paradhënies që kërkohej për zonat tona. Shoku Enver, pasi më dëgjoi, më tha se duhet ta kisha vënë edhe atë në dijeni, por të mos e përsërisja më këtë veprim. Unë isha djalë i ri në detyrë dhe ai vrulli më rrëmbente ndonjëherë. Partia ma fali masën, sepse duke qenë anëtar i Komitetit Qendror, ose haje ting-tingen (plumbin), ose hyje në burg, ndërsa unë kam marrë dy herë masë dhe nuk u dënova.

ARISTIR LUMEZI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura