Monitorohen financat e universiteteve publike/ Mbi 32.5 milionë euro për shpërblime, pajisje zyre dhe karburant gjatë vitit online! Për kërkimin shkencor vetëm “thërrime”

Oct 27, 2021 | 16:34
SHPËRNDAJE

BESARTA BASHA/ Edhe pse studentët nuk shkelën asnjë ditë në auditor, titullarët e universiteteve nuk u kursyen nga shpenzimet e luksit. Afro 32.5 milionë euro janë dhënë përgjatë vitit pandemik online 2020-2021 nga gjashtë universitetet të monitoruara nga organizata “Qëndresa qytetare”.

 

Peshën më të madhe nga ky fond e zënë shpërblimet dhe honorarët, blerjet e pajisjeve në zyra dhe siguri godinash. Ndërsa në shuma më të papërfillshme në listën e shpenzimeve, mbi 17 mijë euro, ka shkuar për kërkime shkencore.

Çka dëshmon se fokusi i universiteteve publike është gjithçka përveç studimeve shkencore. Politekniku është treguar më zemërgjeri me shpenzimet, duke kapur shifrën e afro 10 milionë eurove, ndjekur nga Universiteti i Durrësit, Elbasanit, Tiranës, Shkodrës dhe Korçës.

MONITORIMI

Mosprania e studentëve në auditor nuk ka ndikuar aspak në shpenzimet korrente, të përmuajshme në IAL-të publike. Për arsye që nuk dihen, përgjatë vitit pandemik janë dhënë shpërblime dhe honorarë me shumicë, duke tejkaluar këtë tregues me 723 mijë euro më shumë se vitin e shkuar.

Një tjetër handikap janë orenditë e zyrave. Ndonëse çdo vit shpenzohen mijëra euro për t’i blerë, sërish janë të pamjaftueshme. Gati 1 milion euro dhanë vitin e shkuar të gjashta universitetet. Dhe për t’i ruajtur ato bashkë me godinat janë dhënë edhe 1.9 milionë euro të tjera (130 mijë euro më shumë se vitin e kaluar).

Në vitin pandemik ku shumëkush mund të reflektonte dhe në pozitat komode të krijonte, librat dhe publikimet kanë qenë të pakta. E po ashtu edhe studimet dhe kërkimet shkencore, për të cilat universitetet publike u treguan dorështrënguar. Vetëm 17 mijë e 700 euro shkuan për këtë kategori.

Shërbimi për internetin është ndër treguesit që pësuan ulje në krahasim me vitin e shkuar. Nga afro 90 mijë euro, me mospraninë e stafit u shpenzuan diçka më shumë se gjysma e kësaj vlere. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për karburantin, me gjithë abuzimet e ndonjë IAL-je, shumatorja finale e shpenzimeve për “arin e zi” është ulur me 65 mijë euro.

Me gjithë vitin pandemik, “firmëtarët” në universitete nuk e kanë lënë pa ndarë dieta. Plot 147 mijë euro pagesa për udhëtime apo trajtime të veçanta. I vetmi tregues në vendnumëro është ai për pastrimin, mbi 300 mijë euro për të gjashtë IAL-të në një vit.

“ÇUDIRAT”

Titullarët e universiteteve, rektorët dhe kryetarët e bordeve të administrimit as janë lodhur fare për të gjetur mënyrën e duhur për të kamufluar shpenzimet e kota. Në të gjashta universitetet e monitoruara ka handikapë nga më të çuditshmit. Për shembull, në Universitetin e Shkodrës më 21 prill është lidhur një kontratë në vlerën e 51 mijë e 500 eurove për gazoil për ngrohjen e godinave boshe.

Ndërsa ai i Elbasanit, pasi ka blerë 40 mijë euro bojë printeri, ka porositur shërbim printimi në vlerën e 34 mijë eurove. Në kulmin e pandemisë, ku grumbullimet me më shumë se dhjetë persona ishin të ndaluara, “Aleksandër Moisiu” në Durrës ka bërë konferencë, për të cilën janë dashur 3300 euro vetëm për ushqim.

Janë paraqitur apo jo në punë çdo ditë, këtë nuk dimë ta themi, ama Politeknikut i janë dashur mbi 50 mijë euro për karburant makine. Ndërsa Universiteti i Tiranës duket ka gjetur momentin e duhur të instalojë kamera sigurie në vlerën e 260 mijë eurove, që me siguri nuk janë dashur gjatë vitit pandemik.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura