“Miss Trans Albania” për herë të parë do të zgjidhet me juri, detajet e spektaklit në Tiranë

Dec 21, 2017 | 9:37
SHPËRNDAJE

Një garë e veçantë bukurie do të organizohet në Tiranë në datën 23 dhjetor, pikërisht spektakli “Miss Trans Albania”, që do të mbahet në “Disco Lix” në orën 21:00, ku do të sfidojnë në majë të takave transvestitet apo transseksualet më të bukura nga Shqipëria. “Pritet të ketë performanca fantastike nga zemrat tona”, shkruhet në eventin e reklamuar në rrjetet sociale, nga përfaqësues të LGBTI-së në Tiranë. Xheni Karaj, drejtuesja e LGBT-së në Shqipëri, ka filluar të reklamojë eventin në rrjetet sociale.

Në një postim të fundit në Facebook, Karaj u bën thirrje ndjekësve të saj që të kontribuojnë në organizimin e spektaklit të bukurisë. “Thirrje për gocat e Facebook: Nëse keni tualete dhe fustane që nuk ju duhen, ju lutem na i dhuroni pasi po organizojmë Miss Transin”, shkruante Xheni në statusin e saj. Nuk kanë munguar komentuesit që, të shtyrë nga kurioziteti, i kanë bërë pyetjet e tyre Xhenit. Pyetja nëse konkurrentet do të jenë të gjitha elegante apo jo, Xheni i përgjigjet: “Kemi miss-e me masa të ndryshme”.

Sa për detajet e pjesëmarrjes, nëse do të prezantohen me emra apo nickname për të mos dalur hapur, dhe cilët do të jenë anëtarët e jurisë që do të zgjedhin më të bukurën që do të përfaqësojë Shqipërinë në eventet ndërkombëtare, do të mësohen në ditët në vazhdim. Ndërkohë që për aktivistët e LGBT-së ky event bukurie konsiderohet i rëndësishëm për hedhjen e një hapi tjetër në mbrojtjen e të drejtave të tyre./Panorama Plus/

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura