Mbesa e At Zef Pllumit: Dekorimi i persekutorëve, fyes, dënim i dytë

Dec 3, 2015 | 12:42

“Dekorimi pas 25-vitesh i persukutorëve të “At Zef Pllumit” është një veprim fatal që e dënon për herë të dytë këtë figurë të kombit shqiptar si dhe poshterimi i radhes për familjen e tij”. Kështu janë shprehur familjarët e klerikut “At Zef Pllumi”, të cilët jetojnë në Ishull-Shëngjin të Lezhës.

Angjelina, duke folur për "Panorama"
Angjelina, duke folur për “Panorama”

Sipas mbesës së tij Angjelines, “At Zef Pllumi” i fali përsekutoret e tij, por asnjëherë nuk do ta kishte menduar se pas rënies së komunizmit këta persekutorë do të nderoheshin nga një qeveri demokratike.

Ajo thotë se nuk ka ku të ankohet apo të ngrejë zërin për këtë çështje dhe nuk beson se vendimi do të rikthehet.

“Ne jemi ndjerë shumë keq dhe të poshtëruar. Dekorimi i hetuesit, i cili ka dënuar axhën tim është një akti i turpshëm. Me këtë veprim ata e dënuan këtë figurë për herë të dytë dhe për ne ishte shumë e dhimbshme, m’u duk sikur po kthehet ajo koha kur ai ka vuajtur, dhimbjet dhe poshtërimet që ai ka përjetuar. Unë se kisha menduar asnjëherë që Qeveria Shqiptare do ta bënte një veprim të tillë, pasi në çdo ditë po flasim për dekriminalizimin dhe pak ditë më parë është miratuar edhe në Parlament një ligj i tillë”- thotë ajo.

Angjelina shton më tej se Shqipëria është i vetmi vend që nuk i ka dënuar persekutorët e saj kohe. “Por tashmë po na i bën edhe hero dhe kjo më duket e pakuptimtë. Ky është një akt shumë fyes për ne si familje, të cilët kemi vuajtur shumë në atë kohë si dhe për axhen tonë i cili nuk jeton më. Ata me këtë veprim e kanë dënuar për herë të dytë “At Zef Pllumin”- thotë ajo.

© Panorama.al

Te lidhura