Ishulli i Sazanit, duke nisur nga 1 maji, do të vizitohet nga turistët. Ministrja e Ekonomisë, Milva Ekonomi, dhe ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli, nënshkruan dje marrëveshjen që do të lejojë përdorimin e ishullit për qëllime turistike.

Ministrja Ekonomi tha se ishulli i Sazanit do të hapet për turistët nga fillimi i muajit maj deri në fund të tetorit, pikërisht gjatë kohës së sezonit veror. Ministrja Ekonomi tha se hapja e ishullit për turizëm përmbush një nga kërkesat e vazhdueshme të operatorëve turistikë.
“Në marrëveshjen që sapo nënshkruam, ishulli hapet më 1 maj 2017 dhe përfundon aksesin në 31 tetor po të këtij viti. Ishulli do të jetë subjekt i vëzhgimit nga ana e sigurisë për një periudhë kohe të caktuar. Kjo është një ngjarje e rëndësishme për ekonominë shqiptare. Nga komunikimet që kemi pasur me turoperatorët dhe agjencitë, jemi informuar se më shumë turistë nga vendet europiane, por edhe për më tej, kërkojnë të vizitojnë vendin tonë. Një nga kushtet që turistët kanë pasur vazhdimisht në vëmendjen e tyre ka qenë siguria. Ne jemi duke e diskutuar edhe me forcat e Shtabit të Përgjithshëm për mënyrën se si do aksesohet Sazani, cilat do të jenë shtigjet dhe çfarë mund të bëjë një vizitor në Sazan. Shumë shpejt do të ketë edhe një kalendar aktivitetesh”, u shpreh Ekonomi. Ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli, garantoi sigurinë e turistëve.
“Ne do të sigurojmë, nëpërmjet strukturave tona dhe angazhimit tonë, qoftë të Shtabit, qoftë të Ministrisë së Mbrojtjes, një akses të mirë dhe një lehtësim të procedurave për të gjithë ata që kanë dëshirë ta frekuentojnë gjatë sezonit turistik këtë zonë dhe njëkohësisht edhe për të siguruar sigurinë e tyre fizike, që është shumë e rëndësishme për çdo njeri që udhëton në një vend të huaj”, u shpreh Kodheli.
© Panorama.al











