Lila firmos te Janina për 200 mijë euro

Jun 25, 2011 | 11:30
SHPËRNDAJE
Andi Lila në një dyluftim

Andi Lila është zyrtarisht blerja e re e PAS Janinës. Mbrojtësi i Tiranës dhe Kombëtares ka hedhur dje firmën në kontratë për 3 vite.Lajmi është konfirmuar nga faqja zyrtare e klubit grek në interenet, si dhe nga mediat helene, të cilat i kanë bërë një jehonë të madhe këtij transferimi. Për “Panorama Sport” foli edhe vetë mbrojtësi i Tiranës, duke pohuar se tashmë mund të quhet lojtar i Janinës. Në fakt, ai nuk kërkoi të jepte detaje të kontratës, edhe pse burime të sigurta pranë tij kanë konfirmuar për gazetën se lojtari do të marrë 200 mijë euro në sezon. “Po, është e vërtetë që kam firmosur me PAS Janinën. U mendova gjatë dhe vendosa të nënshkruaj sot (dje) zyrtarisht. Të mërkurën do të udhëtoj në Janinë për të bërë edhe prezantimin me ekipin e ri. Jam i lumtur, pasi më është realizuar çdo kërkesë nga ana e presidentit të Janinës, Jorgos Hristovasilis. Zgjodha këtë skuadër jo vetëm se më plotësoi ato që kërkova në aspektin financiar, por edhe sepse është afër Shqipërisë. Ky është një faktor që ka ndikuar shumë. Nuk e mohoj që kam pasur një ofertë tunduese nga klubi ukrainas, Arsenal Kiev. Madje, shifra që më ofruan ishte shumë më e lartë se e Janinës, por nuk shkova,”- tregon Lila. Lojtari kavajas nuk ngurron të lëshojë edhe një batutë, lidhur me afërsinë gjeografike të qytetit grek dhe Shqipërisë. “Në Janinë jam i bindur që do t’më duket vetja si në Shqipëri, pasi kur të mërzitem, do t’i hipi makinës dhe do të shkoj në Gjirokastër,”- shtoi mbrojtësi duke qeshur.
Kontrata
Në kontratën 3-vjeçare që Lila ka firmosur me Janinën parashikohet që lojtari të marrë një shumë prej 200 mijë eurosh në sezonin e parë. Në vitin e dytë mësohet se kontrata shkon 250 mijë euro në sezon, ndërkohë që ka edhe disa klauzola, të cilat janë në varësi të objektivave të klubit. Në parim gjërat ishin mbyllur mes palëve që 10 ditë më parë, por Lila hezitoi të firmoste, për shkak të disa sinjaleve nga Ukraina dhe Kroacia.

 

JORGIS MEMO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura