Libra që ia vlen të lexohen… nga çdo moshë

Sep 11, 2017 | 13:41
SHPËRNDAJE

Listën e dhjetëra titujve për fëmijë, të gjithë tituj të letërsisë më të mirë klasike apo bashkëkohore, me autorë shumë të njohur e të vlerësuar si nga kritika ashtu edhe nga lexuesit e vegjël e të rinj, Sh. B.DITURIA e pasuron këtë verë me katër libra argëtues e në të njëjtën kohë edukativë, të cilët janë pjesë e projektit të përkthimit letrar Different Voices, me mbështetjen e Programit Europa Krijuese të Bashkimit Europian.

1

Të katër librat spikatin për vlerat e veçanta artistike, por mbi të gjitha njerëzore, për temat unike, për mjeshtërinë e stilit dhe historitë që gjithmonë mbeten aktuale. Libra që ia vlen të lexohen… nga çdo moshë.

“Kebaria, vajza që lexonte bukur” është një nga librat më të pëlqyer të shkrimtares Janja Vidmar – autore e 50 librave, shumë skenarëve, dramave për teatër etj., ndër më të vlerësuarat e letërsisë sllovene për fëmijë e të rinj.

Historia e një vajze rome, nga një kulturë tjetër, që shkon në një shkollë sllovene dhe që për shkak të origjinës është në konflikt të vazhdueshëm me shokët e klasës, mësuesen dhe gjithë mjedisin që e rrethon. Një mal me telashe ka edhe në familjen, veçanërisht sepse të gjithë ia fshehin të vërtetën se përse babai nuk është më në shtëpi. Historia, në formë ditari, e ndarë sipas ditëve të javës, e pasuruar me ilustrime, është shumë tërheqëse për lexuesit e rinj.

2

Një kombinim i shkëlqyer i koncepteve letrare, artistike dhe grafike, libri përshkohet nga një rrëfim dinamik dhe i sinqertë, i ndërtuar me mençuri nga autorja, me një gjuhë të pasuruar nga shprehjet rome, ku mesazhet aktuale për dallimet dhe mirëkuptimin, dialogun shumëkulturor dhe shumëgjuhësinë, ndërthuren bukur me mesazhe të përjetshme për vlerat themelore të njeriut, siç janë dashuria, e vërteta, besnikëria etj.

Babai i tregon Kebaries përralla të mrekullueshme dhe e inkurajon të lexojë (njerëzit e quajnë Kedi, që në gjuhën rome do të thotë “leximtare”!) fakt që nënvizon rëndësinë dhe domosdoshmërinë e rrëfimit dhe të leximit. Në të gjitha aspektet e saj, kjo është një vepër bashkëkohore me vlera të jashtëzakonshme dhe si e tillë mund të kontribuojë në maturimin e lexuesve të rinj dhe të ofrojë një përvojë të mprehtë leximi për të rriturit. Finalist për çmimin “Večernica” në vitin 2010.

3

Alki Zei është një pasuri e çmuar për letërsinë bashkëkohore greke, por edhe për atë europiane. Ajo shkruan kryesisht për fëmijët, por u drejtohet njëkohësisht edhe të rriturve. Brenda rrëfimeve të librave të saj, ajo i transformon përvojat e veta në romane, megjithatë asnjëherë nuk harron të ruajë distancën e mjaftueshme nga autobiografia. E tillë është edhe historia e Lefterisë në librin “Çadra e purpurt”, një vajzë dhjetëvjeçare, të cilën vëllezërit më të vegjël binjakë e thërrasin Letro. Ajo nuk i ka aspak qejf punët e shtëpisë dhe as ato që quhen “punë për goca”, por ka dëshirë të bëjë ca gjëra që nuk i pëlqejnë aspak babait të saj, si për shembull të lexojë libra apo të shohë teatër. Në katin e sipërm të shtëpisë së tyre jeton zoti Marsel, një francez i vendosur përgjithmonë në Greqi, që ka nën kujdes nipin e vet, Benuain, i cili bëhet shok i pandarë me fëmijët. Lodra kanë pak, por fantazia nuk u shteron kurrë. Një libër plot të papritura, aventura dhe humor, një nga ata libra që e lexon me një frymë.

4

“Skellig. Historia magjike e një miqësie të pazakontë”, e shkrimtarit të mirënjohur anglez David Almond, është historia e bukur, e mprehtë dhe shumë emocionuese e Majkëllit, një djaloshi 10-vjeçar. Gjithçka  nis kur familja e tij shpërngulet në një shtëpi të re, në garazhin e vjetër e të shkatërruar të së cilës Majkëlli zbulon diçka magjike: një krijesë, edhe burrë, edhe zog, edhe engjëll, që me sa duket ka nevojë për ndihmë. Quhet Skellig dhe i pëlqen shumë ushqimi kinez dhe birra e zezë. Askush nuk e di se çfarë është në të vërtetë kjo krijesë, por e rëndësishme për Majkëllin dhe motrën e tij të sapolindur, që është në spital, pezull mes jetës dhe vdekjes, është që Skelligu ekziston. Majkëlli është një fëmijë si gjithë të tjerët. Shkon në shkollë, luan futboll dhe ka shokë me nofka si Liki dhe Kuti. Por jeta e tij bëhet e jashtëzakonshme, falë Skelligut dhe Minës, vajzës fqinje të çuditshme e kokëfortë, me “ca sy që duket se mund depërtojnë brenda teje”, së cilës i pëlqen një shkrimtar si William Blake dhe nuk e ndjek shkollën, sepse nuk do që “të mbyllet në kafaz”.

Një libër magjik, që të prek e të mallëngjen dhe ku, si në çdo vepër të Almondit, nuk mungojnë temat qendrore që lidhen me fuqinë e dashurisë e të familjes, me misteret e jetës dhe të vdekjes, me miqësinë, dhembshurinë, besimin, kurajën për të vazhduar përpara…

Ulf Starku është një nga shkrimtarët më të mëdhenj të letërsisë për fëmijë dhe ndër më të dashurit për publikun e ri. Romanet e tij spikatin për ndjeshmëri të thellë dhe humori të hollë, madje me këtë të fundit autori përpiqet të çdramatizojë telashet e vogla të jetës së një fëmije. Është autor i tridhjetë librave për fëmijë e të rinj, që janë përkthyer në njëzet e pesë gjuhë (dy prej tyre edhe në shqip nga Sh.B.DITURIA: “Klubi i zemrave të vetmuara” dhe “A di të fërshëllesh, Johana?”) dhe kanë fituar çmime të shumta, ndër të cilat çmimin Astrid Lindgren më 1993 dhe çmimin prestigjioz Deutsche Jugendliteraturpreis më 1994.

Historitë e Ulf Starkut kanë qenë muzë frymëzimi për shumë filma televizivë apo kinematografikë; ndodhitë e veçanta dhe shumë interesante kanë rrëmbyer njëherë e përgjithmonë zemrat e miliona lexuesve të vegjël anembanë globit, sidomos historia e veçantë e djaloshit Berra në librin “A di të fërshëllesh, Johana?”. Berra nuk ka gjysh dhe krejt papritur një ditë, i mahnitur dhe i mrekulluar nga historitë plot aventura që shoku i tij i pandarë Ulf i rrëfen për gjyshin e vet, vendos që, së bashku me Ulfin, të shkojë në shtëpinë e të moshuarve. Aty takon Nilsin, gjyshin ideal, dhe që të tre bëhen miq të ngushtë.

Me ilustrime të jashtëzakonshme dhe të gjalla, “A di të fërshëllesh, Johana?” është një libër plot aventura, sa argëtues aq edhe prekës, klasik në shumë vende, një dëshmi e lidhjes mes brezit të ri dhe brezit të vjetër.

“Kebaria, vajza që lexonte bukur”

Autore: Janja Vidmar
Përktheu: Nikollë Berishaj
128 f., 500 lekë

“Çadra e purpurt”

Autore: Alki Zei
Përktheu: Kleo Lati
224 f., 600 lekë

“Skellig. Historia magjike e një miqësie të pazakontë”

Autori: David Almond
Përktheu: Erblina Kërçishta
192 f., 700 lekë

A di të fërshëllesh, Johana?

Autori: Ulf Stark

Përktheu: Sokol Demaku

52 f.,    500 lekë

 

Përgatiti: Jeta Hamzallari

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura