Kryevepër e kuqezinjve, Shqipëria ngrin vikingët

Mar 23, 2013 | 13:09
SHPËRNDAJE

Kryevepër kuqezi në Oslo. Në një mbrëmje kur temperaturat shkonin deri në -10 gradë celsius, ata që “ngrinë” në fakt ishin vendasit, kjo falë një skuadre, e cila, si rrallëherë ndonjëherë në një ndeshje në transfertë, hyri në fushë jo thjesht për t’u mbrojtur. Një perlë e mirëmenduar dhe e provuar më parë nga De Biazi në seancat stërvitore, e konkretizuar nga bomberi Salihi; një skuadër e vendosur gati me milimetra në fushë dhe teknikisht thuajse perfekte, si dhe një super Etrit Berisha, bënë që vikingët të dilnin kokulur nga “Uleval stadium”. Ishte fitorja e “murit” difensiv: Mavraj “të çmendte” me qetësinë e tij, Agolli luftarak e Dallku pozicional në mjaft momente të vështira. Ishte fitorja e mesfushorëve: me një Bulku të palodhur dhe me Bashën, i cili tregoi se vinte nga Seria A, sidomos në pjesën e dytë duke administruar mesfushën. Ishte fitorja e Salihit dhe Çanit, një gjigant ky i fundit që fitoi thuajse çdo dyluftim me kundërshtarin. Por, mbi të gjitha, ishte fitorja e Xhani de Biazit. Moduli 4-4-2 i zgjedhur nga italiani ndryshonte si me buton, në varësi të aksionit: kur ishim ne në sulm shihje edhe Lilën brenda zonës norvegjeze, dhe kur sulmonin vendasit, nuk përbënte lajm teksa topi largohej prej Edgar Çanit. Takimi nis mjaft mirë për kuqezinjtë, të cilët provojnë që në minutën e dytë me anë të Salihit, por gjuajtja e këtij të fundit u prit pa vështirësi nga portieri vendas. Sakaq, Norvegjia shtyn disi përpara, duke marrë iniciativën dhe duhet thënë se me pak më shumë fat edhe mund të na kishte ndëshkuar kur një top tokazi në zonën tonë nuk u devijua si duhet nga mesfushori Soderlund. E megjithatë, kuqezinjtë nuk shpërqendrohen dhe në mjaft raste tentojnë të vënë në lëvizje shpejtësinë e Roshit nga krahu si dhe kokën e Çanit, i jashtëzakonshëm thuajse në çdo dyluftim me mbrojtësit norvegjezë. Gjithsesi, kemi momente kur kthehemi në origjinë duke gabuar në mesfushë si në minutën e 36-të, kur Basha e teproi me mbajtjen e topit. Kundërsulm i norvegjezëve, Abdelaoue pason për Eljounousin në zonë, i cili gjuan plot siguri drejt portës, por fatmirësisht sfera ndalet nga Dallku dhe përfundon në korne. Momente paniku te porta jonë, por që nuk shfrytëzohen si duhet fatmirësisht nga vendësit.
Edhe fillimi i pjesës së dytë “flet” shqip. Përveç një goditjeje dënimi të dhuruar nga arbitri në hyrje të zonës, Norvegjia nuk pati ndonjë rast të pastër shënimi. Madje as rivëniet me dorë, të cilat në thuajse të gjitha rastet ktheheshin si një goditje dënimi për vendasit, nuk prodhuan asgjë, kjo edhe për një mbrojtje tejet të kujdesshme të kuqezinjve, e dirigjuar nga portieri Berisha. Sakaq, tenton edhe Bulku të marrë një penallti për një rrëzim në zonë, por arbitri vazhdon lojën. Por jo për shumë kohë. Minuta e 66-të, Lila tenton të futet në zonë nga krahu i djathtë dhe rrëzohet nga një mbrojtës. Arbitri akordon goditje dënimi për kuqezinjtë. Te topi shkon Bulku dhe atëherë kur prisje një kros në zonë, vjen skema: top tokazi në qendër të zonës, aty ku shkëputet bukur Salihi, i cili pa u menduar dy herë gjuan menjëherë duke shtangur portierin. Vendasit nuk u besojnë syve dhe nisin ofensivën ndaj portës së Berishës, por ky i fundit është në një natë perfekte dhe kthehet në një digë të pakalueshme për çdo top që u hodh në zonën e tij. Në fund ka edhe pak ngjyrim arbitral, pasi ashtu sikundër në Bosnjë, edhe në Oslo, gjyqtari holandez na lë me një lojtar më pak dhe si për koincidencë, është sërish Lila. Rasti i fundit u përket vendasve, por një super, super, super-Berisha neutralizoi një gol të sigurt, duke i dhënë kështu Shqipërisë një fitore historike në transfertë.

Norvegji    0
Shqipëri    1
Shënues:
Salihi 67′
Kartonë të verdhë: Forren 52’/ Roshi 43′, Cana 79′, Lila 85′, 89′, Agolli 90+2′
Karton i kuq: Lila 89′
Gjyqtarë: Kevin Blom/ P.Langkamp dhe D.Gosens (HOL)
Norvegjia (4-5-1): Jarstein; Hogli, Hangeland, Forren, Rise; Soderlund (Berisha 75′), Henriksen, Nordtveit, Jensen, Eljounousi (King 62′); Abdelaoue.
Trajner: Egil Olsen
Shqipëria (4-4-2): E.Berisha; Dallku (Hysaj 80′), Cana, Mavraj, Agolli; Bulku, Basha, Lila, Roshi; Çani (Bogdani 75′), Salihi (Curri 89′).
Trajner: Xhani de Biazi

Grupi E/ Kalendari
Shqipëri-Qipro        3-1
Zvicër-Shqipëri        2-0
Shqipëri-Islandë        1-2
Shqipëri-Slloveni        1-0
Mbrëmë
Slloveni-Islandë        1-2
Norvegji-Shqipëri        0-1
SOT
Zvicër-Qipro        

07.06.2013
     Shqipëri-Norvegji    
06.09.2013
Slloveni-Shqipëri    
10.09.2013
Islandë-Shqipëri        
11.10.2013
Shqipëri-Zvicër     
15.10.2013
Qipro-Shqipëri

Grupi E
RENDITJA
Ekipi    ND    F    B    H    Gola    P
Zvicra    4    3    1    0    7-1    10
Shqipëria    5    3    0    2    6-5    9
Islanda    5    3    0    2    6-5    9
Norvegjia    5    2    1    2    6-6    7
Slloveni    5    1    0    4    4-8    3
Qipro    4    1    0    3    4-8    3

Cana: Triumf historik edhe për tifozët
Lorik Cana e cilëson si një fitore historike atë ndaj Norvegjisë. “Këtë që arritëm këtu në Norvegji dua ta cilësoj si një fitore të madhe. Ishte një triumf për tifozët tanë, të cilët na kanë mbështetur fuqimisht deri në Oslo. Vërtet kemi bërë një punë të shkëlqyer gjatë gjithë 90 minutave. U organizuam në mënyrën më të mirë dhe në fund e merituam fitoren. Favori që kemi është se luajmë në shtëpi dhe tifozët do të na shtyjnë drejt një tjetër fitoreje në kthim”.

Bulku luan me injeksion: Fitore e madhe
Ervin Bulku ishte një nga lojtarët më të mirë në fushë ndaj Norvegjisë. Falë eksperiencës së tij, 32-vjeçari arriti që bashkë me Bashën në qendër të mesfushës t’i bllokonte norvegjezët. “Jam shumë i lumtur që sot (dje) arritëm një fitore kaq të rëndësishme. Mendoj se kemi bërë një hap të madh, pra atë që nuk e kemi bërë kurrë në gjithë këto vite. Ishte një ndeshje në të cilën e merituam fitoren, pasi guxuam. Kam luajtur me injeksion për shkak të një dëmtimi”.

Migjen Basha
Debuton edhe Migjen Basha. Kosovari i Torinos ka luajtur dje nga minuta e parë ndaj Norvegjisë që në grumbullimin e parë me fanellën kuqezi. Kështu, Basha bëhet lojtari i 16-të që thirret në Kombëtare nga tekniku italian (Etrit Berisha, Erjon Dushku, Mërgim Mavraj, Renato Arapi, Alban Meha, Burim Kukeli, Bruno Telushi, Hair Zeqiri, Mërgim Brahimi, Armando Vajushi, Bekim Bala, Erjon Vucaj, Armando Sadiku, Edgar Çani, Valdet Rama) dhe i 13-ti që aktivizohet nga De Biazi (nuk kanë  luajtur Valdet Rama, Erjon Dushku dhe Erjon Vucaj).

Mungesat
Fitorja e djeshme ndaj Norvegjisë në Oslo ka edhe anën tjetër të medaljes për Kombëtaren shqiptare. Kjo pasi trajneri Xhani de Biazi në ndeshjen e kthimit ndaj norvegjezëve, e cila do të luhet më 7 qershor të këtij viti, nuk do të ketë të gatshëm tre prej lojtarëve të tij titullarë, që janë të ndëshkuar me kartonë. Kështu, Cana ka marrë dje karton të verdhë, duke plotësuar numrin, ashtu sikundër Roshi. Po ashtu edhe Lila, i cili dje u ndëshkua me dy kartonë të verdhë dhe e la ekipin tonë përfaqësues me 10 lojtarë për disa minuta.

Lila: Arbitri nuk gaboi, e meritoja kartonin
Në një natë të tillë madhështore, të gjithë duan të jenë sa më pozitivë, e natyrisht, edhe të sinqertë. Dhe kur kjo vjen edhe nga Andi Lila, atëherë themi se vërtet kuqezinjtë ishin në qiellin e shtatë. Megjithatë, kavajasi, me një sinqeritet për t’u admiruar, ka pohuar se në rastin e dytë ai e meritonte kartonin e verdhë dhe më pas edhe të kuqin. “E meritoja të kuqin. E bëra atë ndërhyrje sepse nëse rivali na ikte, kishte shumë mundësi të na ndëshkonte me gol. Më vjen keq për kartonin e kuq, por jam i lumtur për fitoren. Ndoshta ndihem i çliruar për faktin që fituam, por gjithsesi, në këtë rast, që të jem i sinqertë, arbitri nuk gaboi”, tha Lila.

Tifozët
Ashtu si në çdo takim, edhe në ndeshjen e djeshme ndaj Norvegjisë, ultrasit kuqezi nuk kanë munguar në shkallët e stadiumit. Nga 12 mijë të pranishëm në stadium, rreth 4 mijë kanë qenë shqiptarë, një pjesë e të cilëve janë banorë të Norvegjisë dhe një pjesë tjetër kanë udhëtuar duke sfiduar temperaturat e ulëta. Edhe pse organizatorët e ndeshjes kishin hedhur në treg vetëm 1200 bileta për mbështetësit e Kombëtares sonë, këta të fundit kanë arritur të sigurojnë edhe plot 2800 të tjera për të qenë të pranishëm në një ndeshje të tillë.

LEONARD KARAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura