Koncesionet, KLSH kontroll kontratave të 25 viteve

| 13:11
SHPËRNDAJE

Kontrolli i Lartë i Shtetit, nëpërmjet një plani 3-vjeçar, do të auditojë të gjitha koncesionet e dhëna gjatë këtyre 25 viteve.

bujar_leskaj_11070

Përveç kësaj, Kontrolli i Lartë i Shtetit duhet të ndjekë në Prokurorinë e Përgjithshme të gjitha kallëzimet penale dhe më pas t’i dorëzojë Kuvendit një analizë të çështjeve për të cilat nuk ka nisur shqyrtimi. Kërkesat u paraqitën dje nga deputetët e Komisionit parlamentar të Ekonomisë gjatë seancës për miratimin e rezolutës të punës së Kontrollit të Lartë të Shtetit.

Deputetët kërkuan që KLSH çdo vit t’i dorëzojë Kuvendit një raport mbi moszbatimin e masave që ai rekomandon për zhdëmtimin e dëmit financiar ndaj buxhetit. Deputeti i Partisë Socialiste, njëkohësisht dhe relatori i raportit të 2015-s të KLSH-së, nënvizoi se auditi i koncesioneve, si dhe bashkëpunimi me Prokurorinë kanë si qëllim rritjen e cilësisë të kontrolleve dhe kulturës së ndëshkueshmërisë.

“Kontrolli i Lartë i Shtetit nxitet që për 3 vjet të auditojë të gjitha kontratat koncesionare dhe ato të privatizimeve strategjike të dhëna gjatë këtyre 25 viteve, për të vlerësuar ligjshmërinë, efektivitetin dhe ndikimin e tyre në buxhetin e shtetit dhe në publik. Kontrolli i Lartë i Shtetit duhet të angazhohet të rrisë bashkëpunimin me Prokurorinë e Përgjithshme nëpërmjet monitorimit të ecurisë së padive penale dhe të zhvillojë një analizë, në rast të pushimit të çështjeve ose mosfillimit të çështjeve të referuara nga Kontrolli i Lartë i Shtetit në organin e akuzës. Kjo do të shërbejë për të kryer një analizë përfundimtare më të plotë, si dhe rritjen e cilësisë së kontrolleve të auditimit. KLSH duhet të vijojë punën në intensifikimin e procesit auditues për të parandaluar, zbuluar dhe denoncuar aktet korruptive në funksion të kulturës së ndëshkueshmërisë”, u shpreh deputeti Koçi.

Për monitorimin e punës së Kontrollit të Lartë, nga deputetët u kërkua ngritja e një nënkomisioni.

“Të shikojë mundësinë e krijimit të një nënkomisioni parlamentar brenda Komisionit të Ekonomisë dhe Financave për të monitoruar në mënyrë sistematike aktivitetin e Kontrollit të Lartë të Shtetit dhe zbatimin e rekomandimeve”, u shpreh deputeti i Partisë Socialiste.

Në rezolutën e miratuar nga Kuvendi, u kërkua që institucioni i KLSH t’i dorëzojë Kuvendit edhe një raport mbi performancën e zbatimit të rekomandimeve.

“KLSH, në kuadër të bashkëpunimit institucional për intensifikimin e luftës kundër korrupsionit dhe për miradministrimin e fondeve publike dhe pasurive publike, duhet të rishikojë marrëveshjet e bashkëpunimet me organet ligjzbatuese për t’iu përgjigjur kërkesave dhe sfidave të kohës.

KLSH, duke filluar nga viti i ardhshëm dhe në vijim, duhet të bëjë pjesë integrale të raportit që paraqitet në Kuvend, ku të përfshijë shkallën dhe mënyrën e zbatimit të rekomandimeve, si dhe një raport kontrolli të cilësisë audituese. Kontrolli i Lartë i Shtetit, duke filluar nga viti i ardhshëm, të bëjë pjesë integrale të raportit vjetor të performancës analizën e shkallës së zbatimit të rekomandimeve që kanë në përmbajtje të tyre masa zhdëmtimi”, thuhet në rezolutën e miratuar nga deputetët.

 

Te lidhura



Subscribe

      
             

Për t’u bërë pjesë e grupit të "Panorama" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI PANORAMA ONLINE: https://facebook.com/groups/panoramaonline/

 

S'KA KOMENTE

Comments are closed.