Komisioni në PD nis filtrimin e 3600 propozimeve për deputetë/ Enriketa Papa: Filtrat që duhet të kalojnë kandidatët në fazën e parë

Aug 10, 2020 | 18:26
SHPËRNDAJE

Mariglen Kume/ Komisioni i Seleksionimit i ngritur në Partinë Demokratike ka evidentuar 3600 propozime të bëra nga anëtarësia e PD-së, nga 25 qershori deri më 25 korrik, për kandidatë për deputetë dhe kryetarë bashkish.

papa

Në një intervistë për gazetën “Panorama”, anëtarja e komisionit, e cila është edhe e vetmja grua në grupin e punës, bëri një bilanc të shkurtër të punës. Sipas Papës, në fazën e parë anëtarët e komisionit do të filtrojnë propozimet e bëra bazuar në pastërtinë e figurës, kontributin në komunitet e parti dhe më pas, lista që do të bëhet do t’i dërgohet sërish bazës për të votuar kandidatët, të cilët nuk duan që të jenë në listën finale. Sipas Papës, ky proces do të reformojë politikëbërjen në Shqipëri.

Znj. Papa, tashmë që komisioni ka disa ditë që ka nisur nga puna, a keni evidentuar një numër të saktë se sa kandidatë janë propozuar nga anëtarësia?

Po, kemi evidentuar nga sekretariati bashkëngjitur komisionit, se bëhet fjalë për afro 3600 emra, të cilët janë propozuar nga anëtarësia e PD-së për të qenë përfaqësuesit politikë.

Komisioni i Seleksionimit e ndan në dy faza punën. Do bëhet seleksionimi i kandidatëve në fazën e parë, mbi çfarë kriteresh? Nga verifikimet e deritanishme, sa % e kandidatëve të propozuar nga baza do të rikthehen sërish tek anëtarësia për votim?

Ka një udhëzim nga Kryesia e PD-së mbi procesin e përzgjedhjes së kandidaturave për përfaqësuesit politikë, udhëzim i cili iu bë me dije të gjitha strukturave organizative para se të fillonte procesi i propozimit të emrave. Për ne si komision, kryesisht ky udhëzues, por edhe rregullorja e hartuar nga ne, na shërben për të nisur punën që na është ngarkuar. Pra, përzgjedhja do të bazohet kryesisht mbi kriteret e këtyre dy dokumenteve. Është ende herët për të folur mbi %, pasi ende nuk janë shqyrtuar të gjitha propozimet. Kjo mbetet për t’u parë në vijim.

Znj. Papa, ky proces në Partinë Demokratike është konsideruar edhe një derë e hapur për figurat e vjetra me kontribut në PD, a ka pasur propozime të tilla nga baza? Cilët spikasin?

Ende nuk di t’ju them emra konkretë, pasi jemi në fillim të punës. Na eksperienca ime si pjesë e organeve të Degës së PD-së në Tiranë, ku unë kam qenë prezente në mbledhjet ku anëtarësia ka propozuar emra, propozimet kanë qenë nga më të larmishmet.

Nga propozimet janë evidentuar disa si znj. Topalli, z. Plasari, znj. Açka etj. A e kanë konfirmuar këta persona pjesëmarrjen në garë ose për të qenë në listë?

Nuk e di, pasi konfirmimi nuk na bëhet ne të komisionit. Detyra jonë është shqyrtimi me seriozitetin maksimal i çdo propozimi dhe evidentimi i kritereve të kërkuara. Procedura e punës kërkon që pas shqyrtimit nga ana jonë e plotësimit të kritereve, si p.sh ajo e pastërtisë së figurës, integritetit të personit, eksperiencës dhe kontributit në parti, aftësive profesionale apo kontributit shoqëror e akademik, personi në fjalë njoftohet dhe më pas duhet të plotësojë një formular shumëfaqësh, në të cilin janë të detajuara një sërë kriteresh që PD-ja ka hartuar për të pasur si përfaqësues të saj politikë njerëz me integritet të lartë, që do të shërbejnë në qeverisjen e saj të ardhshme.

Znj. Papa, çfarë hapësire do të kenë në listë kategoria e biznesit, akademikët, shoqëria civile?

Do kenë hapësirat e nevojshme, në mënyrë që të garantohet një ndryshim i qenësishëm i qeverisjes së ardhshme. Me këtë proces kompleks dhe tërësor të përzgjedhjes së individëve që do të përfaqësojnë PD-në në administratën e ardhshme, synohet ardhja në pushtet me ekipin më të mirë, i cili do të jetë i gatshëm t’i përgjigjet kërkesës së hasur gjithnjë e më shpesh për ndryshime rrënjësore të politikëbërjes në Shqipëri. Pikërisht kjo synohet nga PD-ja, maksimalizimi i fitores që ndihet si frymë, me një ekip përfaqësues politik me integritet dhe të pastër politikisht dhe pa të shkuara kriminale, që fatkeqësisht, aktualisht ekzistojnë në administratën shtetërore.

Për herë të parë brenda një partie, kandidatët kalojnë vetingun, çfarë përmban formulari? A mjaftojnë ato informacione? Do të kërkoni info të tjera nga institucionet shtetërore?

Formulari është shumëfaqësh, afro 50. Në të janë të shumta informacionet që kërkohen të plotësohen dhe kjo është një risi e vërtetë, duke u bazuar në modelet e konsultuara me IRA, Partinë Konservatore Britanike apo CDU-në gjermane. Synimi është i qartë. PD-ja kërkon që nëpërmjet një procesi serioz të vetëseleksionojë dhe të ketë informacione të qarta mbi njerëzit e saj, të cilët do t’i angazhojë në qeverisjen e së nesërmes. Ky proces tregon dhe seriozitetin, angazhimin maksimal të PD për t’u ofruar shqiptarëve atë që ata kërkojnë. Një qeverisje me njerëz dinjitozë, pa të shkuara kriminale. Duke e nisur këtë proces “vettingu” brenda vetes, kjo parti po jep sinjalin e parë që kërkon të ndryshojë në brendësi politikëbërjen në Shqipëri. Nuk e bën këtë për fasadë. Kjo është një përpjekje për të arritur reformimin në brendësi të politikës. PD e ka marrë seriozisht reformimin e politikës. PD, me ndihmën e partive konservatore në Europë, synon të ngrejë një model për filtrimin e kandidatëve për deputetë dhe atyre për pushtet lokal. Nëpërmjet një procesi të filtrimit brenda vetvetes, për t’u ofruar shqiptarëve lista përfaqësuesish dinjitozë të saj politikë.

Znj. Papa, a rrezikon që ky proces të krijojë përçarje ose krijimin e klaneve në anëtarësi për të nxjerrë kandidatë dhe skualifikuar?

Unë mendoj se ky proces është një përpjekje për të ruajtur ekuilibrat brenda partisë, ku është normale mendimi ndryshe si i atyre që kanë qenë, apo atyre që vijnë sot në PD. Nuk mund të kemi një parti që mohon të shkuarën dhe njerëzit e saj. Por që me këtë proces respekton bazën e partisë, propozimet që vijnë nga baza, duke propozuar emra me eksperiencë në PD, si dhe emra të rinj dhe që të gjithë me synimin e maksimalizimit të fitores në zgjedhjet elektorale. Eksperienca e partive konservatore britanike, amerikane dhe gjermane, propozimet nga baza dhe procesi i përzgjedhjes së kandidatëve përmes filtrave partiakë synon hartimin e një baze të mirë njerëzish me integritet.

Çfarë pret PD-ja nga ky proces që ka nisur?

Ndryshimin e politikëbërjes në Shqipëri, duke konsideruar dhe respektuar kërkesat për ndryshim. Parimi ‘një anëtar, një votë’ po ndiqet rigorozisht dhe në fund kuptohet që synohet fitorja në zgjedhjet që po vijnë me një ekip përfaqësuesish dinjitozë politikë, që kanë kapërcyer fazat e filtrimit profesional, pastërtisë së figurës, respektimit të kuotave gjinore dhe atyre të të rinjve apo nga shtresa e të burgosurve politikë, që vijnë nga eksperienca akademike apo shoqërisë civile, si dhe njerëz me kontribute në PD. Ka ardhur koha që PD-ja të përçojë te njerëzit mesazhe për një të ardhme politike të bazuar te humanizmi, optimizmi dhe shpresa.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura