E PLOTE/ Ish-kreu i SHIK nxjerr dokumentet: Një mijë të vrarë nga diversantët në Shqipëri

Sep 6, 2016 | 12:19
SHPËRNDAJE

Studiuesi Irakli Koçollari, ish-shef i Shërbimit Informativ Shtetëror, zbulon dokumentet e CIA-s amerikane ku, sipas të cilave, grupet diversante që kanë hyrë në Shqipëri në vitet 1948-1956 kanë vrarë mbi një mijë roje kufiri, oficerë dhe civilë të pafajshëm gjatë misioneve të tyre, ndërsa shërbimet kufitare shqiptare kanë asgjësuar apo kapur 300 prej tyre.

kadri Hazbiu, ish shefi i Sigurimit/ Ish kreu i SHIK, Kocillari
kadri Hazbiu, ish shefi i Sigurimit/ Ish kreu i SHIK, Kocillari

I ftuar në emisionin “Debati në Channel One” me gazetarin Roland Qafoku, Koçollari shprehet se dështimi i misioneve të huaja që hynin në Shqipëri nga ajri apo dhe nga toka kishin si qëllim rrëzimin e pushtetit të dalë pas luftës, ndërsa meritë për asgjësimin e tyre ka qenë plotësisht e inteligjencës dhe trimërisë së forcave shqiptare.

Këtë fakt ai e mbështet në dokumente sekrete tashmë më të deklasifikuara të shërbimeve të huaja, sipas të cilave ka qenë faktori shqiptar që ka çuar në dështimin e këtyre misioneve.

Koçollari për herë të parë tregoi në emision se dokumentet fillojnë që me planin e parë të hartuar për vendimin e marrë për operacione kundër Shqipërisë, i cili ishte një plan për t’u admiruar.

Në një plan prej 97 faqesh, në vitin 1949 u hartua nga Frenk Wizner, një nga oficerët e lartë të CIA-s, që synonte jocopëtimin e Shqipërisë për rrëzimin e pushtetit komunist të dalë nga Lufta e Dytë Botërore. Sipas Koçollarit, në takimet me ekspertët e CIA-s në ditët tona, dështimi i këtyre misioneve pranohet hapur, edhe pse ky fakt është mbajtur sekret për dekada të tëra.

Zoti Koçollari, më ndjeni të them se teoria juaj se shërbimet sekrete të huaja në Shqipëri kanë dështuar për shkak të shqiptarëve, nuk më ka bindur plotësisht…

Është normale të tundohesh dhe të ruash këtë mendim. Hamendësitë e kanë një bazë, por unë do të doja të thosha që operacionet e tyre kanë dështuar këtu. Tani jemi përpara një kohe tjetër dhe kemi edhe gjëra të tjera, të cilat fatmirësisht mbështesin konkluzionin tim që dështimi nuk ka qenë për shkak të rusëve.

Po të kujt?

Merita u takon vetëm specialistëve të shërbimit sekret shqiptar. Njeriu i parë që shkroi për këto operacione të organizuara nga CIA, bashkë me të cilën ka qenë shërbimi sekret britanik, shërbimi sekret jugosllav, (të dihet mirë) dhe shërbimi sekrete grek. Natyrisht kanë qenë edhe italianët bashkëpunëtorë të këtij plani. Duhet kuptuar një gjë që, ata nuk do të vinin vetëm nga ajri dhe u duhej edhe mbështetja e grekëve përmes territoreve të tyre. I pari njeri që shkroi për këto operacione, të cilat e kanë marrë certifikimin që kanë dështuar përpara shqiptarëve, është Nikola Batul, në një botim në vitet ’80, “The Great Betrayal”.

Ai është i pari që ka thënë se dështuan dhe gjithçka ka qenë në heshtje për këto operacione. Ka një ligj që quhet FOIA, që detyron vendet të deklasifikojnë mbas 30 vjetëve dokumentacionin e mbajtur sekret. Çuditërisht, këto operacione janë mbajtur sekret duke shkelur edhe këtë ligj, dhe pyetja që shtrohet është: Pse pikërisht ky ligj nuk u respektua? Natyrisht ka shumë arsye, të cilat thuhen tanimë. Ai thotë se jo vetëm dështuan, por duhet kuptuar që dështimi nuk lidhet vetëm me filmin, por me shërbimin shqiptar të sigurisë. Tani jemi në një stad tjetër.

Pas tij ka edhe shumë autorë të tjerë që flasin për këto operacione. Por ajo që është me shumë rëndësi është deklasifikimi i materialeve. Dokumentet fillojnë që me planin e parë të hartuar për vendimin e marrë për operacione kundër Shqipërisë dhe plani për mua është një plan për t’u admiruar.

Pasi bëri një analizë të situatës dhe si e vlerësojnë amerikanët Shqipërinë, autori përcakton në mënyrë konkrete në një plan prej 97 faqesh, në vitin 1949. Plani i parë, i cili u hap rrugë ndryshimeve, është miratuar. Hartuesi është Frenk Wizner, një nga kuadrot e CIA-s, i cili ka vdekur herët për shkak të një sëmundjeje.

I biri i tij është rikthyer në politikë dhe i është rikthyer temës së shqiptarëve. Frenk Wizner Junior ka qenë ambasador në Kosovë dhe shumë pozitiv në çështjen e pavarësisë së Kosovës.

Çfarë synonte ky plan?

Plani e thotë hapur. Përmbysjen e regjimit komunist në Shqipëri dhe vendosjen e një qeverie properëndimore, proamerikane.

E kishin menduar se kë do të vinin?

Kjo është herët.

Si do të realizohej?

Përmes operacioneve sekrete dhe Luftës së Ftohtë. Duke krijuar baza, rekrutuar njerëz, të cilët do të krijonin terrenin e duhur.

Në letër thatë se plani ishte i mirë. Po në zbatim?

Ata kanë hyrë, kanë kryer veprime spiunazhi, por ka edhe nga ata që janë kapur dhe janë shtënë në kurthe, ndër agjentët më të aftë të amerikanëve.

Pse dështoi, çfarë ndodhi?

Ka një sërë arsyesh. E para, ata që erdhën i takonin një kontingjenti njerëzor që ishin kolaboracionistë, ishin larguar bashkë me pushtuesit. Një pjesë e tyre u gjykuan për krime lufte, opinioni i njihte si të tillë. E dyta, e vërteta është që terreni nuk njihej si duhej. Operacionet filluan në vitet ‘50 dhe nga viti 1944 kishin kaluar disa vite, ndërkohë këtu ishin ngritur institucione që kishin marrë masa për të parandaluar veprimet dhe kishin krijuar një lloj eksperience.

Heronjtë cilët ishin, oficerët e Sigurimit, kufitarët që mbronin regjimin komunist, apo diversantët që donin të rrëzonin atë regjim?

Amerikanët, por edhe shërbimet e tjera që kanë organizuar këto operacione, shprehen që veprimet nuk janë legjitime. Në analizën e dokumenteve bëhet e qartë ç’ishte e ligjshme dhe ç’ishte e paligjshme. Amerikanët u qëndruan konsekuentë mendimeve të tyre për rrëzim të regjimit komunist, por kurrë për copëtim të Shqipërisë, si grekët dhe jugosllavët. Ata ishin për një Shqipëri sovrane, por me një qeveri properëndimore. Ndërsa, për herë të parë, gjejmë plane për ndërhyrje ushtarake nga jugosllavët dhe amerikanët kanë ndërhyrë me deklaratë të pashpallur publikisht, që vërtet ne po bëjmë këto operacione, por ne nuk do të lejojmë askënd të cenojë sovranitetin e këtij vendi.

Pse të mos themi që kjo përçarje është edhe arsyeja e dështimit?

Jo.

Luan Bobrati, Hekuran Bobrati, Hasim Aliko. Si dalin këta personazhe në këndvështrimin tuaj, sipas studimeve? Pse ju i vlerësoni këta shqiptarë?

Këtu ka përballje të intelektualëve të fushave të inteligjencës, për të arritur një synim të caktuar politik dhe ka një plan që bëhet për të arritur objektivin, dhe një kundër plan për ta penguar. Këtu përballen 2 grupe. Këta njerëz përballuan Luftën e Ftohtë dhe për dështimin e operacioneve, meritën e kanë këta njerëz. Ka edhe të tjerë që nuk njihen, si Pilo Shanto, një nga punonjësit e Inteligjencës së asaj kohe.

Sa të vrarë pati kjo luftë? Të gjithë shqiptarë ishin?

Po, nga ato që di unë, nga grupet e dërguara nga CIA dhe shërbimet e tjera janë rreth 300 të kapur dhe të vrarë, ndërsa këta njerëz vranë roje në kufij, njerëz të pafajshëm, që i kalon mbi 1 mijë të vrarë.

Në cilat vite saktësisht?

Ka filluar në vitet ‘48 dhe ka përfunduar në ‘56.

Sipas jush, a e shfrytëzoi partia gjithë këtë sapo morën pushtetin?

U shfrytëzua patjetër edhe nga propaganda. Ka një gjë të çuditshme që e thonë dokumentet amerikane dhe të tjera, sepse ata e kanë parashikuar që do të ketë një propagandë, prandaj në dërgimin e gjithë grupeve është bërë kujdes i madh, që të mos dalin në mënyrë të drejtpërdrejtë, që është dora e shërbimeve sekrete perëndimore, por janë organizime të vetë shqiptarëve në Perëndim.

Në takimet tuaja me personalitete të rëndësishme të CIA-s e të tjerë, a është prekur ndonjëherë kjo temë?

Së fundmi, institucionalisht, gjithnjë e më shumë ata pranojnë që dështimi ka ardhur nga shqiptarët.

Intervistën e plotë marrë nga Roland Qafoku e lexoni sot në “Panorama”

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura