INTERVISTA/ Hysaj te Napoli: Realizova një ëndërr

Jul 29, 2015 | 11:46
SHPËRNDAJE

Tashmë është zyrtare, Elseid Hysaj është lojtari më i ri i Napolit. Ditën e djeshme ka pasur një takim mes dy drejtorëve të skuadrave, Karli e Guintoli në Milano, ku tema e diskutimit ka qenë e ardhmja e mbrojtësit shqiptar. Në takim është gjendur akordi mes dy skuadrave, në mënyrë që shqiptari t’i bashkohet trajnerit Marselo Sarri, ai që e ka rritur dhe e ka formuar si futbollist profesionist tek Empoli. 

Eneid Hysaj
Elseid Hysaj

Kartoni i lojtarit ka kushtuar pesë milionë euro për Napolin plus bonuset, ndërkohë që kontrata e mbrojtësit është deri në 2010. Në këtë mënyrë, Hysaj bëhet lojtari më i shtrenjtë i Kombëtares shqiptare. Tashmë, është caktuar edhe një takim i fundit, që do të plotësojë edhe firmat e të gjitha palëve, për të përmbyllur këtë transferim të lojtarit.

Në një intervistë për “Panorama Sport”, porsa u arrit akordi mes palëve, Hysaj tregon emocionet e këtij transferimi.

Elseid, urime për transferimin dhe çfarë mund të na thoni rreth tij?
Është diçka e madhe për mua. Ishte një ëndërr për të cilën kam punuar shumë dhe që më në fund m’u realizua. Është një mundësi që unë të vijoj të tregoj vlerat e mia në një tjetër nivel të futbollit italian. Edhe nga vetë urimi juaj, apo i njerëzve të afërt që më telefonuan pasi u publikua lajmi, më bën që të ndihem mirë dhe i vlerë- suar.

Cilat janë detajet e kontratës suaj?
Sapo kam folur me menaxherin dhe të jem i sinqertë që nuk di shumë detaje, pasi ka vetëm pak minuta. Di që do të jetë një kontratë pesëvjeçare, ndërkohë që mësova që Empoli do të përfitojë pesë milionë plus disa bonuese.

Në deklaratat e tij, Sarri ju ka kërkuar me insistim. Keni biseduar së fundmi me të?
Të them të vërtetën jo, nuk kam folur kohët e fundit. Në ditët e fundit, përpara se ai të largohej nga Empoli, më tha që ishte i bindur se do të transferohesha edhe unë te Napoli. Ai më ka rritur dhe më njeh mjaft mirë. Në atë që kam kaluar me të gjatë këtyre viteve karrierë, si në Serinë B, ashtu edhe sezonin e vjetshëm në Serinë A, ai ka krijuar besim tek unë. Gjithashtu, edhe unë kam besim tek ai.

Tashmë bëheni lojtari më i shtrenjtë i Kombëtares…
Me të vërtetë?! (qesh) Është diçka që më bën të ndihem mirë sepse është një vlerësim për punën që unë kam bërë në këto vite. Megjithatë, nuk do të thotë asgjë.

Cili është synimi juaj?
Të vijoj të punoj fort dhe do të shkoj me kokën ulur te Napoli, për të treguar në fushë se çfarë mund të bëj. Napoli është një tjetër nivel në Serinë A.

A jeni gati për këtë sfidë?
Gatishmëria ime është e tillë që unë do të vijoj të punoj sa më shumë që të jetë e mundur, në mënyrë që të tregoj vlerat e mia. Do mundohem të shpërblej besimin që m’u dha nga Napoli. 

OLSI TUJANI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura