HISTORIA/ Ahmet Cami, vrasja enigmatike e babait të ish-ministres së Enverit

Aug 2, 2017 | 8:33
SHPËRNDAJE

Kanë kaluar 74 vjet që kur Ahmet Cami u vra në mënyrë enigmatike, megjithatë jehona e emrit dhe e bë- mave të tij vijon të jetë e gjallë, jo vetëm në zonën e Dibrës e të Gollobordës, ku ai luftoi kundër pushtuesit fashist. Halil Rama sjell për lexuesin e gazetës “Panorama” historinë e këtij burri, të atit të ish-ministres së Arsimit për 11 vjet, gjatë diktaturës komuniste, Tefta Cami.

Një histori që përfshin jo vetëm familjen Cami, e cila iu kushtua e gjitha Lëvizjes Antifashiste, por një fshati të tërë, që u burgos nga fashistët. Portreti i luftëtarit fiton tipare edhe më të qarta nga copëzat e ditarit që vetë Ahmet Cami mbante. Pasi je njohur me figurën e tij, një pyetje lind natyrshëm, se përse shteti komunist nuk e shpalli “Hero i popullit”, babain e Tefta Camit, e cila ka mbajtur poste të rëndësishme në fushën e arsimit, para dhe pas postit të ministres…

Tefta Cami
Tefta Cami

HALIL RAMA

Një nga figurat emblematike të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, është padyshim Ahmet Fetah Cami, dëshmor i atdheut me përmasat e Heroit. Madhështinë e tij e rrit qoftë edhe fakti i vrasjes enigmatike nga eksponentë të Çetës serbo-malazeze që vepronte në mënyrë sporadike edhe në Dibër. Është lindur më 8 gusht 1900 në fshatin Viçisht të krahinës së Dibrës, në një familje me tradita atdhetare dhe liridashëse.

Që në moshë të re Ahmeti u njoh dhe u frymëzua nga ngjarje dhe episode trimërie dhe heroizmi të popullit shqiptar, të krahinës dhe të paraardhësve të tij si: të stërgjyshit, Mahmut Cami, i vrarë në luftën e Drinit kundër forcave të Hajredin Pashës; të gjyshit, Shaban Mahmut Cami, (Dëshmor i Atdheut me Vendim të Komitetit Ekzekutiv të KP-së të rrethit Dibër Nr. 72, datë 24.05.1978 ) i vrarë në luftë për mbrojtjen e trojeve shqiptare nga sulmet e forcave shoviniste bullgare; të babait, Fetah Shaban Camit, (Dëshmor i Atdheut me Vendim të Komitetit Ekzekutiv të KP-së të rrethit Dibër Nr. 73 datë 24.05.1978 që, si komandant për mbrojtjen e krahinës, është vrarë dhe masakruar nga shovinistët serbë, të cilët e kanë zhvarrosur pas një jave dhe e kanë fotografuar për t’ia çuar Pashiqit, kryeministrit të Serbisë, si dëshmi të vrasjes së atij heroi. Mësimet e para i mori në shkollën e Zerqanit.

Vazhdoi studimet dhe kreu arsimin e plotë ushtarak në Akademinë Ushtarake në Shqipëri dhe në Itali. Punoi për disa vite si oficer gjatë sundimit të Zogut në rrethet Shkodër e Gjirokastër dhe për disa vite në Prefekturën e Elbasanit. Në qytetet ku punoi, Ahmeti u fut në rrethet intelektuale, ku ka marrë pjesë gjallërisht në diskutime e debate për probleme kombëtare si për organizimin e ushtrisë, të arsimit e të shkollës kombëtare si dhe për disa reforma shoqërore, duke dhënë kontributin e tij, që të mos ishin gjysmake dhe formale.

Ahmeti e priti me indinjatë të thellë pushtimin fashist italian. Prandaj që ditën e parë të pushtimit të Shqipërisë, tregon ishkolegu i tij, Isuf Kokomiri: “Ahmeti i ulur në gjunjë puth flamurin kombëtar dhe jep dorëheqjen si oficer”. Shembullin e tij e ndoqën edhe ushtarakë të tjerë, të cilët vazhduan të jepnin dorëheqjen. Kthehet brenda natës në fshatin e tij të lindjes, në Viçisht të Dibrës.

Ai e kishte më se të qartë, se vetëm me luftë të armatosur, mund të çlirohej Shqipëria nga pushtimi fashist italian. Kur kthehet në Dibër, Ahmeti mëson se kishin internuar e çuar në Berat, Ukë Dan Camin (Veteran i LANÇ me vendim të MM të RSH, 1994), kreun e Malit të Gollobordës dhe Sinan Shaban Camin, (Veteran i LANÇ me vendim të MM të RSH, 1994), kryeplakun e fshatit dhe me ndikim në mbarë Gollobordën dhe kishin internuar edhe disa krerë të tjerë të zonës. Sulmi ndaj batalionit të divizionit “Firence” të dislokuar në Vanastrane të fshatit Tërbaç Ahmeti, së bashku me Fasliun, vëllanë e mësuesin e shquar; me Sefer Camin, kushëririn dhe shkrimtarin e ardhshëm; me mësuesin korçar Spiro Velko, si dhe me gjimnazistin e Tiranës që ndiqej nga regjimi fashist, Ejup Shahin Camin dhe Ukë Dull Camin përbënin një bërthamë intelektualësh antifashistë në këtë zonë.

Ata shfrytëzonin të gjitha rastet, që nga festat familjare e fetare, lidhjet farefisnore, miqësore e shoqërore, deri edhe grumbullimet e popullit në pazare, për t`i njohur masat me situatat e brendshme dhe me ato ndërkombëtare, për të izoluar elementët profashistë, si dhe për marrjen e masave për të organizuar punën kundër fashizmit. Ahmeti është vënë në krye të punës propagandistike për sqarimin e popullit. Më 28 nëntor 1940 ka folur para popullit në Homesh për këtë datë historike, duke u dhënë që të kuptojnë se vetëm të bashkuar në luftë mund t`i dilet zot vendit dhe të çlirohet Shqipëria.

ahmet cami

Çeta me bazë fshatin Viçisht ka vepruar që në prill 1941, ku u vranë 50 italianë. Pas pushkatimit të Ejupit, Musait dhe Mexhitit si dhe të vrasjes së Fasliut, burgosjes së 20 burrave të fshatit, çeta u asgjësua dhe u riformua pas daljes nga burgu më 25 maj 1943, datë e cila njihet ligjërisht si Çeta e Gollobordës (Fjalori enciklopedik, botim i vitit 1985).

Në çetë merrnin pjesë: Ahmet Cami, Spiro Velko, Hamdi Lleshi, Uke Cami, Qamil Lika, Mahmut Cami, Mahmut Dani, Esat Cami, Ibrahim Leci, Ibrahim Kotili, Remzi Kurtulla, Çup Duka, Shaqir Pali, Hazis Cami, Ramiz Murra, Mersim Murra, Hidër Manjani, Shaziman Meha, Selman Balla, Mete Duka, Ibrahim Lumi, Isuf Lika, Bajram Toçi, Mexhit Tola, Abaz Vargu, Murat Aliu, Xhezair Adili, Nexhip Duka, Nexhip Meçe, Ibe Palikuqi, Cen Lila, Lilë Hasa, Ibrahim Kasapi, Lutfi Skuka, Zenel Uka, etj.

Më 4-5 prill të vitit 1941 është organizuar aksioni për të sulmuar çadrat e batalionit të divizionit “Firence” të dislokuar në Vanastrane të fshatit Tërbaç, me një efektiv prej 600 ushtarësh italianë. Në këtë aksion u kanë rrëmbyer italianëve shumë armë dhe janë vrarë disa italianë si dhe një oficer i tyre. Ndërsa forcat e çetës nuk kanë pësuar asgjë, sepse aksioni qe i mirëorganizuar me detaje. Me armët e rrëmbyera në atë aksion janë armatosur të gjithë luftëtarët e krahinës.

AKTIVITETI KRYESOR I ÇETËS SË GOLLOBORDËS

Aksionet luftarake të Çetës së Gollobordës janë zhvilluar në fshatrat Trebisht, Ostren, Radovesh dhe Viçisht. Ajo ka vepruar e vetme dhe me çeta të tjera në kuadër të batalionit të Dibrës dhe më vonë në kuadër të Brigadës 18-të S. Janë të njohura dy aksione në rrugën automobilistike Strugë-Dibër, Çlirimi i Trebishtit, Çlirimi i Zerqanit, Çlirimi i Ostrenit, Lufta e Sofraçanit, dy luftërat e Dibrës së Madhe, Lufta e Peshkopisë etj.

Formimi i Batalionit të Dibrës më 26 korrik 1943 dhe roli i Çetës së Gollobordës për sigurinë e formimit të batalionit Fashistët u përpoqën t’i ndalonin, duke u bërë presione popullit të Gjoricës, por toka ku do të bëhej organizimi i batalionit ishte pronë e Zenel Camit dhe e pasuesve të tij, ishte kulla e Mahmut Camit, dhe për rrjedhojë askush nuk mund ta ndalonte. Influenca e Ahmet Camit, që jo rastësisht mbante edhe emrin e babait të Zenel Camit ishte e madhe.

Këtu një ndihmë konkrete dha edhe imami i Gjoricës, Sheh Latifi i cili kishte të falura katër hektarë tokë nga Cami. Në përbërje të batalionit ishin Çeta e Sllovës, Çeta e Grykës së Vogël, Çeta e Grykës së Madhe dhe një pjesë nga Çeta e Gollobordës, skuadra për ruajtjen e vendit të grumbullimit të batalionit, luftëtarë nga fisi Cami dhe nga Gjorica. Për ruajtjen e vendit të formimit të batalionit kanë qenë të ngarkuar këto partizanë efektiv të Çetës së Gollobordës: Çup Duka, Mete Duka, (dajat e Ahmetit), Ibrahim Leci nga Gjorica, Bajram Toçi, Qamil Lika dhe Uke Dullë Cami nga Viçishti etj.

Batalioni eshte formuar ne kullen e Mahmut Camit ne Gjoricë. Kuvendi për krijimin e Batalionit të Dibrës zgjodhi Shtabin e Batalionit me komandant Haxhi Lleshin, zv/komandant Esat Elez Isufin, komisar Njazi Islamin, zv/komisar Prokop Murrën. Ditën e formimit të batalionit, Ahmeti u caktua përsëri komandant i Çetës së Gollobordës dhe anëtar i shtabit të batalionit

VRASJA ENIGMATIKE E AHMETIT NË LUFTËN E PESHKOPISË, TETOR 1943

Nga dokumentet arkivore del se, në krah të Çetës partizane të Gollobordës ka qenë vetëm Çeta e Sharrit me përbërje prej 45 partizanësh serbo-malazezë. Paria e Dibrës dhe krerët e Ballit Kombëtar në takim me përfaqësuesit e Frontit kishin kërkuar, që të largoheshin jabanxhinjtë nga Dibra, që bëhej fjalë për çetën sebo-malazeze. Në maketin e historikut të Dibrës të para vitit 1990 nuk përmendet prania e çetës serbomalazeze. Me të drejtë, del pyetja: Pse duhej të ishte ajo çetë jugosllave brenda kufirit të Shqipërisë? Vrasjen e Ahmet Camit si nacionalist, që e cilësuan jugosllavët, mund ta bënte vetëm çeta serbo-malazeze, ashtu siç e realizoi.

Ahmet Cami dha për Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare, për lirinë dhe pavarësinë e atdheut gjithçka kishte. Ai shkriu të gjithë pasurinë e tij, duke dhënë edhe jetën. Akti i heroizmit të Ahmetit dhe të shokëve të tij, e frymëzuan Çetën e Gollobordës, për ta vazhduar më me guxim e heroizëm luftën për çlirimin e Shqipërisë nga pushtuesit nazistë. Populli i kësaj krahine e ngriti lart emrin e Ahmet Camit, duke e vazhduar më me vrull luftën. Çeta e Gollobordës mori emërtimin “Çeta Ahmet Cami”. Ahmet Camit, për kontributin e dhënë në Luftën Nacionalç- lirimtare, iu akorduan Medalja e Kujtimit, Medalja e Trimërisë dhe Medalja e Çlirimit. Në vitet 1966 dhe 1967, nga strukturat përkatëse të rrethit të Dibrës i është propozuar dy vite rresht Presidiumit të Kuvendit Popullor që t’i jepej titulli “Hero i Popullit”, për qëndrim patriotik dhe heroik gjatë Luftës Nacionalç- lirimtare, por ky titull nuk iu dha, për një arsye të vetme, se nuk kishte qenë anëtar i Partisë Komuniste Shqiptare.

JA SI SHKRUAN AHMET CAMI NË DITARIN E TIJ:

… Nuk e di se a do të mund ta përballojmë jetën e vështirë të burgut ?! Homezh, e martë 29 prill deri më 2 maj 1941 Mbramë e kaluam natën keq e ma keq. Në mëngjez na nxorrën përjashta me lamun sytë dhe me marrë pak diell, kur na erdhën nga Golovishti e Viçishti njerëzit tonë me na pa, me na prue bukë e ushqime. Kur mendoj burgimin e të gjithë këtyre personave më dridhet trupi e nuk po gjej asnjë fill mendimi. Kjo qenka e keqja mbi gjithë të këqijat.

Asht burgosur Dulla 65 vjeç burrë me gjithë djalin 18 vjeçar. Nuk mund ta shoh mixhën Dullë (Abdulla Cami) të burgosun, që asht nji plak i urtë dhe bujar e nuk i ka ba keq askujt. Prandaj nuk kishte arësye që të burgoseshte. Kanë burgosur Rremin (Muharrem Camin) 65 vjeç që asht një plak fisnik dhe ka nevojë për hysmet e jo të rrijë nën terrorin e karabinjerëve. Janë në burg Tafa e Dilaveri të Veliut, njerëz të mirë. Por nuk janë mësuar të dalin nga gropa e zjarrmit, e jo ma të burgosen e të kalojnë në shoqërinë e burgut.Asht i burgosur Tufik Cami që asht i mirë, i sinqertë dhe i durueshëm.

Asht edhe Bexheti që megjithse asht i dashtun dhe i respektueshëm me vllaznit e shokët do ta ketë shumë të vështirë që të durojë jetën e burgut. Asht burgosur edhe Destan Çup Cami, djalë i vetëm në mes të katër femrave dhe tepër i ri. Por duket kurajoz dhe i shoqërueshëm. Kur e shikoj më pikëllohet zemra, sepse asht i martue rishtas. Izet Cami asht i mirë e kurajoz, i mësue me të këqija por asht pak nevrik. Sulë Cami asht njeri i matur dhe i arësyeshëm. Lami (Islam Cami) asht njeri i urtë dhe nuk përzihet as për të mirë dhe as për të keq. Adem Cami asht pak thatanik nga trupi dhe shumë i shkathët. Jam moshatar me të. Besoj se do të shkoj mirë me shoqërinë e burgut. Aqif Lam Cami asht djalë i ri, i sinqertë, i durueshëm.

Hidër Cami asht element me të vërtetë i përkryer në çdo pikpamje dhe shumë i durueshëm e i arësyeshëm. Për çdo gjë përpiqet që të bisedojë para se të vendosë. Liman Cami asht njeri me shumë kërkesa kundrejt të tjerëve. Rifat Cami asht njeri i shëndoshë dhe deri diku i mësuar me i mbajtur të këqijat, por i pëlqen vetëm mendja e vet. Uke Abdulla Cami asht një djalë shumë i ri dhe i zoti . E respekton fjalën e të mëdhenjve . Besoj se do të bëhet shumë i mirë për të ardhmen. … Nuk e di se a do të mund ta përballojmë jetën e vështirë të burgut. Pse? Një pjesë janë shumë të rinj. Ndërsa, pjesa tjetër janë pleq e të pamundur…

NGA DITARI PËR VËLLAIN FASLIUN, TË VRARË NGA FASHISTËT

E hanë 7 prill 1941

Porsa më kishte zanë gjumi, aty rreth orës 22:00 më thirri jashtë Sefer Cami dhe më dha lajmin, se Fasliu është plagosur pak në krahun e majtë dhe se është shtrirë te shtëpia e Halil Gjurës në Çerenec. Î Menjëherë më shkoi mendja se mos kishte vdekë ose është randë sa nuk shpëtonte. U tmerrova. Për t’i nxjerrë të vërtetën Seferit i thashë të marrim kalin për ta sjellë në shtëpi, por ai më tha se nuk mund të qëndrojë në kalë. E atëhere u kuptua se ai ose ka mbarue ose asht shumë randë. Atëhere mora me vehte Seferin, Izetin, Destanin, Uken dhe Feritin e Dullës dhe Ibrahim Lecin.

Kur shkuam në vend Fasliun e gjetëm të mbarue. Atëhere u mpiva dhe nuk munda as të qaj, as të derdh lot e as të flas. Me dhimbje të madhe dhe me za të ulët i rendita këto fjalë më vaje: “Fasli, a kjo të paska ndjellun që nuk ju shtrove këshillave dhe urdhërave të mija sot? Po mua ku më le dhe me kë më le? A mendove ndopak se jeta ime pa ty s’vlen fare dhe asht e nxime fare ? Si do të rri unë pa ty, o Fasli ? Kurse unë s’mundesha me pritun javën me të pamun sa të vije ti nga Gjorica?! Oh Përëndia ime! A për këtë ditë e paske bërë kaq të mirë e të sjellshëm këtë djalë?

Po mua ku më le mor vëlla në këtë kohë të vështirë? A mendove ndopak se jeta ime pa ty do të nxihet për jetë. A mendove se vendi ka nevojë për trima! Bravo, bravo, o vëllai im i vogël, o djali im i madh, o Fasli trimi! Jam krenar për ty, se ty dhe jetën për lirinë e vatanit, se ti je dëshmori i parë i lirisë në këto anë. Shembullin dhe amanetin tënd do ta ndjekim të gjithë ne, të afërmit dhe bashkëluftërarët e tu. Bravo, o Fasli vëllai! Ti ndoqe shembullin e babës tonë Fetës, të gjyshit tonë Shabanit, si dhe të paraardhësve të tjerë, që kanë dhënë jetën për lirinë e atdheut kundër zaptuesit.

A zani i tyre të ndolli që dole i pari dhe të mori plumbi si ata? Po ne na presin shumë punë, dhe na kërkohet shumë luftë kundër zaptuesit. Po si do të bëjmë pa ty, O Fasli? Si do të bëjmë pa ty në radhët tona, pa të patur ty në krah? Këto qenë pyetjet dhe lutjet që i drejtova Fasliut tim. Por ai nuk m’u përgjigj se kishte mbarue prej kësaj jete. Por unë nuk dua ta besoj se para meje qëndron i shtrirë si një div i fuqishëm vëllai im, që e rrita dhe e shkollova vetë se baba im, Feta, u vra shumë shpejt dhe e la të vogël.

Por edhe nana jonë Bejaze (e bija e Rustem Dukës nga Spasi i Dibrës së Madhe) e la të parritur vetëm 11 vjeç. Te shtëpia e Halil Gjurës ishte Halili me të shoqen, Rushit Izvira dhe Suf Koçi që më ngushëlluan dhe më thanë se Fasliu ka vdekur si burrat pa ba of. E mbartëm Fasliun dhe u nisëm për në shtëpi. Me shumë mundime e prumë në shtëpi aty rreth orës 02:00 të datës 8 prill.

E shtriva kufomën e tij në krevatin tim, ku u nis vaji familjar. Unë, pasi e përqafova edhe një herë Fasliun, që është ende i ngrohtë i thashë gruas time Bejaze Kamberit: “Tash na vdiq djali ynë i madh! Tash mbaroi shpresa jonë. Tash përëndoi jeta dhe ylli i dritës tonë!” Mbas këtyre fjalëve u shkreha në vaj. Janë lotët e parë që po qes në jetën time…

E martë, 8 prill 1941

Fasliu po vajtohet nga burrat të ulur në gjunjë. Po e qajnë Fija, Razija, Lushja e Shemja që u bie të fikët herë pas here, sepse është e paimagjinueshme që të përcjellim për në varreza Fasliun që nuk i ka mbushun ende 29 vjeç.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura