Herion Mustafaraj, rikthim me “Rikonstruksionin” e Dario Fo-së (FOTO)

May 15, 2015 | 15:27
SHPËRNDAJE

Ishte viti 1988 kur Herion Mustafaraj luante në filmin “Rikonstruksioni” me regji të Vladimir Kasajt, në krah të aktorëve Reshat Arbana, Yllka Mujo, Roza Anagnosti, Kadri Roshi, etj… Kanë kaluar 27 vjet që atëherë dhe Herion Mustafaraj rikthehet me një tjetër rikonstruksion, por kësaj here në teatër.

Heroin Mustafaraj

Sot në mbrëmje, në skenën e Teatrit të Metropolit, do të shfaqet komedia “Rikonstruksioni i çiftit”, shkruar nga Dario Fo dhe me regji të Eliona Thomorajt. Ky projekt teatror rikthen në skenë aktorin pas një periudhe të gjatë.

I larguar drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Mustafaraj thuajse i ka shkëputur lidhjet me skenën shqiptare, por jo me atë teatrore në përgjithësi. Në SHBA ai vazhdon të luajë teatër. Po me sa duket kishte ardhur koha për ta “rikonstruktuar” këtë marrëdhënie të humbur me vendin e vet. Edhe vepra e Fosë nuk është përzgjedhur rastësisht. Ajo përpiqet të kapë kohën, aty ku Herioni e ka lënë 27 vite të shkuara.

Posteri i shfaqjes

Më shumë se për rolet e tij në filma gjatë kohës së rinisë apo adoleshencës, Mustafaraj kujtohet për rolet e shumta të realizuara gjatë fëmijërisë, kryesisht në filma me regji të kineastes Xhanfize Keko. Pa dyshim, roli më emblematik i karrierës së tij është ai i Benit në filmin “Beni ecën vetë”, me të cilin atë e identifikojnë edhe pse nuk është më fëmijë. Ai ka luajtur gjithashtu në filmat “Tomka dhe shokët e tij”, “Pas gjurmëve”, “Shoku ynë Tili” etj.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura