Goditet tjetër bazë e prodhimit të kriptomonedhave virtuale, në kërkim 21-vjeçari. Telashe për punonjësin e OSHEE-së. Ja roli i tij

May 27, 2022 | 15:37
SHPËRNDAJE

Goditet një tjetër bazë e prodhimit të kriptomonedhave virtuale, përmes lidhjes së paligjshme të energjisë elektrike.

Operacioni i koduar “Avalon” u zhvillua nga Seksioni për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në Policinë Shkodër, në bashkëpunim me Njësinë “C” në Drejtorinë Hetimore në Departamentin e Policisë Kriminale, në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit.

Kështu, nga kontrolli i ushtruar në një magazinë, në lagjen “Salo Halili”, janë gjetur dhe sekuestruar 16 pajisje elektronike, të cilat shërbenin për gjenerimin në mënyrë të jashtëligjshme të kriptomonedhave dhe dyshohet se përdoreshin nga 21-vjeçari i shpallur në kërkim me inicialet J.M.

Mësohet se blutë kanë arrestuar në flagrancë 43 vjeçarin E. M, pasi dyshohet se në bashkëpunim me shtetasin J. M., kryenin veprimtarinë e kundërligjshme të prodhimit të kriptomonedhave virtuale.

Gjithashtu, gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e E. M., u sekuestrua një sasi kanabis sativa.

Ndërsa në gjendje të lirë do të hetohet një 33 vjeçar nga Shkodra, me detyrë lexues i aparatit matës, në OSHEE Shkodër, pasi dyshohet se ky shtetas ka mundësuar furnizimin e pajisjeve që gjenerojnë kriptomonedha virtuale, me lidhje të paligjshme të energjisë elektrike.

Njoftimi nga Policia Shkodër

Finalizohet operacioni policor i koduar “Avalon”, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e mashtrimit kompjuterik.

Operacioni u zhvillua nga Seksioni për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në DVP Shkodër, në bashkëpunim me Njësinë “C” në Drejtorinë Hetimore në Departamentin e Policisë Kriminale, në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit.

Gjenden dhe sekuestrohen në një magazinë, 16 pajisje elektronike që shërbenin për gjenerimin e kriptomonedhave virtuale, me lidhje të paligjshme të energjisë elektrike.

Shpallet në kërkim poseduesi i pajisjeve. Vihet në pranga bashkëpunëtori i tij.

Procedohet në gjendje të lirë punonjësi i OSHEE-së, për shpërdorim detyre.

Në vijim të punës për parandalimin, dokumentimin dhe goditjen e aktivitetit kriminal në fushën e mashtrimit kompjuterik, strukturat e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në DVP Shkodër, në bashkëpunim me Njësinë “C” në Drejtorinë Hetimore në Departamentin e Policisë Kriminale, në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit dhe OSHEE Shkodër, bazuar në informacionet e marra në rrugë operative se në një magazinë, në lagjen “Salo Halili”, po ushtrohej veprimtaria e kundërligjshme e prodhimit të kriptomonedhave virtuale, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Avalon”, në kuadër të të cilit është ushtruar kontroll në këtë magazinë dhe është shpallur në kërkim shtetasi:

-J. M., 21 vjeç, banues në Shkodër, për veprat penale “Mashtrimi kompjuterik”; “Vjedhja e energjisë elektrike ose e impulseve telefonike”, kryer në bashkëpunim; “Fshehja e të ardhurave”; “Ushtrimi pa licencë i aktivitetit tregtar” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale”.

Gjatë kontrollit në magazinë janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale, 16 pajisje elektronike, të cilat shërbenin për gjenerimin në mënyrë të jashtëligjshme të kriptomonedhave dhe dyshohet se përdoreshin nga 21-vjeçari.

Gjithashtu, si rezultat i këtij operacioni u arrestua në flagrancë shtetasi:

-E. M., 43 vjeç, banues në Shkodër, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Vjedhja e energjisë elektrike ose impulseve telefonike”, e kryer në bashkëpunim, pasi dyshohet se në bashkëpunim me shtetasin J. M., kryenin veprimtarinë e kundërligjshme të prodhimit të kriptomonedhave virtuale.

Gjithashtu, gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e shtetasit E. M., shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan një sasi lënde të dyshuar narkotike cannabis sativa.

Në vijim të këtij operacioni u procedua në gjendje të lirë shtetasi:

-F. B., 33 vjeç, banues në Shkodër, me detyrë lexues i aparatit matës, në OSHEE Shkodër, për veprën penale “Shperdorimi i detyrës”, pasi dyshohet se ky shtetas ka mundësuar furnizimin e pajisjeve që gjenerojnë kriptomonedha virtuale, me lidhje të paligjshme të energjisë elektrike.

Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprime të mëtejshme.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura