Françeskanët kundër Qeverisë për dekorimin e persekutorëve të At Zef Pllumit

Dec 2, 2015 | 20:36

Pas lajmit të publikuar në media pak ditë më parë se qeveria ka dekoruar një listë me emra hetuesish dhe gjyqtarësh të kohës së diktaturës, ka reaguar edhe përgjegjësi i bibliotekës Françeskane në Shkodër, Viktor Dema, duke shprehur keqardhje për një vendim të tillë.

At Zef Pllumi
At Zef Pllumi

At Dema thotë se të dekorosh persona që ishin anti-vlera të shoqërisë është një akt sa i çuditshëm aq edhe i turpshëm. “Është një akt vërtetë i turpshëm sepse është ende e freskët ndjeshmëria, torturat, vrasjet e asaj kohe. Të dekorosh hetues të tillë, të dekorosh persona të tillë si vlerë është si të vendosësh anti-vlerë si vlerë kombëtare. Libri i At Zef Pllumit është pikërisht një dëshmi e kësaj sepse nganjëherë njeriu rrezikon të harrojë të kaluarën. Nganjëherë bëhet edhe me dëshirë me qëllim që e kaluara të harrohet por kurrsesi dëshmia e At Zem Pllumit nuk e lë që e kaluara të mbizotërojë edhe sot e kësaj dite”,-ka thënë ai për mediat.

Përgjegjësi i bibliotekës Françeskane në Shkodër ka theksuar se akti i dekorimit të këtyre ‘njerëzve që ishin pjesë e asaj makine vrastare ndaj popullit shqiptar, ndaj njerëzve të pafajshëm jo vetëm ndaj klerit katolik, por ndaj të gjithëve është një akt që vërtetë duhet që të rimendohet edhe njëherë në mënyrë që të paktën të mos përsëritet më’.

Deklarata e tij vjen në kohën kur françeskanët kanë sjellë një ribotim me tre vëllime të veprës së At Zef Pllumit “Rrno vetëm për me tregue”.

Ndërkaq, pak ditë më parë, drejtori i Komunikimit në Kryeministri, Endri Fuga ka thënë se dekoratat janë dhënë një vit më parë dhe atë e kanë përfituar të gjithë ata ish-zyrtarë të cilët kanë qenë në listën e veteranëve të kategorisë së I.

“Medalja e mirenjohjes i eshte dhene vjet te gjithë veteraneve te kategorise I, jo emrave te veçante. Kush gezon kete status u dekorua vjet!”,-ka shkruar Fuga në “Twitter”.

© Panorama.al

Te lidhura