Fotot, Fatos Nano rikthehet nga Vjena dhe vendoset në vilën luksoze në Tiranë

Feb 1, 2014 | 10:06
SHPËRNDAJE

Ish-kryeministri ka tre muaj që jeton në një rezidencë vilash luksoze në periferi të Tiranës, detajet e banesës dhe fotot.

VILA KU ESHTE VENDOSUR FATOS NANO NE PERIFERI TE TIRANES (MAJTAS) FAQJA E PARE E “PANORAMA PLUS”
Vitin e kaluar, ata festuan 10 vjetorin e martesës së tyre në Tiranë, duke mbledhur miqtë e përbashkët pas shumë vitesh qëndrimi në Vjenë (Austri). Fjala është për ish-kryetarin e Partisë Socialiste dhe ish-kryeministrin Fatos Nano dhe bashkëshorten e tij prej 11 vitesh, Xhoana Nano. Prej katër muajsh ata janë kthyer në Tiranë, duke nisur një jetë të re në vilën e tyre të sapopërfunduar në mjediset e një kompleksi luksoz që ndodhet në juglindje të kryeqytetit, në zonën e Petrelës. Çifti i njohur, tashmë jashtë jetës publike për shkak të daljes së Nanos nga jeta politike aktive, sapo janë sistemuar ndërsa po shijojnë javët e para të rezidencës së tyre gjithë klas, e cila ndodhet në një kodër me gjelbërim. Paparaci ynë ka mundur të fotografojë vilën nga jashtë, e rrethuar me kangjella të veçanta, që e dallojnë nga vilat e tjera që ndodhen në këtë kompleks. Jashtë oborrit të vilës, në momentin e fotografimit ndodhej mercedezi i Nanos i parkuar, ndërsa në ambientet e brendshme shihej një qen i bardhë dhe një zonjë që kujdesej për vilën. Ndërsa për ta personalizuar rezidencën bie në sy gërma N në hyrje, që përfaqëson mbiemrin e familjes Nano.

 “Vila Champagne”, zgjedhja e çiftit
Për të mësuar më shumë rreth shijes së çiftit Nano dhe stilit të vilës së tyre ku kanë vendosur të jetojnë, po ju zbulojnë disa detaje rreth arkitekturës që ata kanë preferuar. Nisur nga stili, vila e tyre mban emërtimin “Vila Champagne”, një nga rezidencat më të mëdha të ndërtuara në këtë kompleks (ka vetëm 25 të tilla dhe të gjitha të shitura), e cila llogaritet të jetë me sipërfaqe 1 mijë e 29 metra katrorë si ndërtesë, dhe 2400 metra katrorë, që është sipërfaqja e tokës rreth e rrothull vilës. Çifti ka preferuar ngjyrën e bardhë, që i shkon për shtat arkitekturës neoklasike franceze të kësaj vile, sigurisht e realizuar me elemente moderne, gjithçka e konkretizuar sipas masterplanit që i shkon përshtat relievit të kodrinës ku ndodhet rezidenca. Burime konfidenciale na kanë treguar se ndër veçantitë e vilës në ambientet e brendshme të saj, janë; pishina e brendshme dhe bodrumi me pamje dhe akses të drejtpërdrejtë në kopshtin pas vilës. Dhoma e ndenjjes ka një hapësirë tejet të madhe, ndërsa ngjitur me të është edhe dhoma e familjes. Gjithashtu dhoma bashkëshortore e çiftit Nano është një nga ambientet më të bukura, ndërkohë që ka një sipërfaqe afro 100 m², dhe verandë me pamje nga kopshti prapa shtëpisë. Vila ka në total pesë dhoma gjumi, secila me banjon dhe gardërobën e saj. Në sipërfaqen totale prej 1029m², ndërtesa ka një bodrum, katin përdhe dhe katin e parë, si dhe pishinë e brendshme siç e përmendëm më sipër, me sipërfaqe 4 metra x 8 metra. Në një guidë të hapësirës së përgjithshme veçohen mbi 115 m² ambient dhe hapësirë e dyfishtë për ndenjjen, që janë dhoma e familjes dhe e ngrënies, 4 dhoma gjumi plus suita bashkëshortore, gjashtë banjo dhe një tualet, si dhe garazh i mbuluar. Pjesë e klasit të kësaj vile janë holli dhe lozhat e hyrjes, verandat, ballkonet, shkallët e brendshme etj. Në ambientin e bodrumit që është gati 364 m², çifti Nano ka planinifikuar përveç pishinës dhe dhomë lojrash, palestër 97 m² etj.


Ndalesa më e fundit e çiftit Nano
Ish-kryeministri Fatos Nano dhe Xhoana Nano, të cilët u njohën që në fillim të vitit 2000, për t’u lidhur në martesë pas dy vitesh, tashmë kanë hyrë në dekadën e dytë të bashkëjetesës së tyre. Nuk e dimë nëse kjo rezidencë do të jetë destinacioni përfundimtar i 61-vjeçarit Nano dhe Xhoanës 40-vjeçare, apo nëse ata pavarësisht shumës së madhe të parave të shpenzuara për këtë vilë, do të vazhdojnë ta ndajnë jetën mes Tiranës dhe Vjenës. Gjithsesi, sipas burimeve tona, në Tiranë komshinjtë e rinj të çiftit Nano janë biznesmeni Zamir Mane dhe Aleksandër Frangaj i TV Klan, ndërkohë që thuhet se në këtë zonë kanë investuar paratë e tyre edhe politikanë e biznesmenë të tjerë. Ndërsa nëse u referohemi rezidencave, ku ka zgjedhur të jetojë Fatos Nano gjatë gjithë karrierës së tij politike, kujtojmë se ai i ka anashkaluar privilegjet e postit, duke vendosur të banojë atje ku ka pasur dëshirë dhe jo në  rezidenca qeveritare. Nga viti 1991, që kur u zgjodh kryetar i Partisë Socialiste dhe deri në vitin në vitin 2002, kur rimori postin e Kryeministrit, ai ka jetuar në një apartament pranë prindërve. Ndërsa në kohën kur u martua me Xhoanën dhe deri në lënien e këtij posti, e njëkohësisht atë të ish-kryetarit të Partisë Socialiste në vitin 2005, Nano zgjodhi të jetonte jashtë protokollit qeveritar. Në atë vit, banesa e tyre ishte një apartament me sipërfaqe të madhe në katin e fundit të një pallati te Shallvaret, pak metra larg Drejtorisë së Përgjithshme të Albtelekomit. Pas largimit nga skena politike e Nanos, çifti u zhvendos në Austri, për të bërë një jetë mes Tiranës dhe Vjenës deri 3-4 muaj më parë, kur ata vendosen në vilën e tyre të re, rreth 6 km larg qendrës së Tiranës.     

Mesazhi i Nanos drejtuar Artur Zhejit, ku shan Saimir Tahirin

Një nga lajmet që ka qarkulluar sot në rrjetet sociale, ishte dhe mesazhi që Fatos Nnao i dërgonte Artur Zhejit gjatë emisionit “Opinion” këtë të enjte. Ai shante  me fjalë vulgare ministrin e Rendit, Saimir Tahiri, ku e ftonte Zhejin të fliste ai, sepse ministri tashmë e kishte mërzitur.

(Suplementi ‘Panorama Plus’)

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura