“Fjalori i dosjeve” të Bashkim Shehut, vepra më e mirë letrare

Dec 14, 2016 | 10:01
SHPËRNDAJE

Bashkim Shehu dhe Edit Dibra janë fituesit e Çmimeve Kombëtare të Letërsisë, për vitin letrar 2015.

Bashkim Shehu
Bashkim Shehu

U zhvillua dje në Ministrinë e Kulturës ceremonia e ndarjes së çmimeve të përvitshme në fushë të letrave, në atë të përkthimit nga gjuha e huaj në shqip dhe të krijimtarisë letrare.

Pas prezantimit të dhjetë veprave kandidate (pesë për çdo kategori) nga ana e anëtarëve të jurisë dhe interpretimit të ndonjë pasazhi apo vargu nga vepra e secilit, u kumtuan edhe çmimet e mëdha. Ishte Bashkim Shehu që u shpall fitues për veprën më të mirë të vitit me romanin “Fjalor udhëzues për misterin e dosjeve”, botimet “Toena”.

Emrin e të cilit ministrja Mirela Kumbaro e zbuloi pas leximit të një letre përshëndetjeje që Shehu e dërgonte nga Barcelona.

Ndërsa juria e përbërë nga Saverina Pasho, Virion Graçi, Vjollca Osja, Laura Smaqi dhe Beti Njuma, e vlerësoi me motivacionin “Për gjetjen e veçantë artistike që përthyen labirintet e errëta historike në një labirint romanor me një dimension mitik e universal”. Përmes letrës së tij Shehu u shpreh se “janë të rëndësishme këto nisma, ngaqë kam parasysh natyrën e punës së shkrimtarit dhe të përkthyesit, vetminë e gjatë që kërkon kjo lloj pune dhe pasiguritë që lindin nga ajo vetmi, nga ato dridhje të pashmangshme dore të krijuesit për të cilat bën fjalë Dante. Në rastin tim, është e rëndësishme edhe ngaqë vetminë kreative e ndiej dyfish, për shkak të largësisë gjeografike prej lexuesve shqiptarë, prej lexuesve të gjuhës në të cilën shkruaj”.

Ndërsa çmimin “Vepra më e mirë e vitit e përkthyer” e mori Edit Dibra për përkthimin nga frëngjishtja të romanit “Robinja” të shkrimtarit Marcel Proust, me motivacionin “Për mjeshtëri në përkthim, duke ruajtur autenticitetin e frazës prustiane me sintaksën e ndërlikuar, prozodinë e saj dhe larminë e regjistrave të gjuhës”.

“Edhe pse ne shpesh themi se nuk kanë rëndësi çmimet, por pjesëmarrja, unë jam nga ata që i jap rëndësi një çmimi dhe e kam ëndërruar një çmim të tillë. Përkthimi i Marcel Proust-it ishte një sfidë shumë e madhe për mua, pasi mendoja se një kolos si ai mund të përkthehej vetëm nga kolosë dhe kur drejtuesi i shtëpisë botuese “Fan Noli”, Rexhep Hida, më propozoi përkthimin e “Robinjës”, unë nuk pranova, nxora gjithfarë arsyesh, përveç të vërtetës, që po e them sot. Unë kisha frikë se mos nuk isha në lartësinë e duhur”, u shpreh përkthyesja Edit Dibra, duke tërhequr çmimin. Ceremoninë e djeshme, ministrja Kumbaro e shfrytëzoi edhe për të bërë një “ndarje” me ceremonitë e çmimeve pasi, siç tha ajo, kjo do të ishte e fundit për të si ministre, por jo e fundit si përkthyese apo anëtare jurish.

Kumbaro e vuri theksin te politikat e ndërmarra nga Ministria e Kulturës, të cilat si kryefjalë kanë pasur lexuesin dhe nxitjen e tij drejt librit, teksa falënderoi të gjitha shtëpitë botuese për punën e bërë, sidomos ato që botojnë e promovojnë letërsinë shqipe, në kohë të vështira, pa rënë në banalitet.

Ajo u ndal edhe atje ku i dhemb zemra, te përkthimi. Sipas saj, Ministria e Kulturës ka ndërmarrë politika për t’i kthyer dinjitetin e munguar përkthyesit. Pas ardhjes së Kumbaros në postin e ministres, çmimet letrare u reduktuan vetëm në dy. Sipas saj, kjo formulë funksionoi (edhe pse për të njëjtin çmim, atë të veprës më të mirë, konkurronin bashkë të gjitha zhanret, edhe romani, edhe poezia, të cilat kanë specifika të ndryshme nga njëra-tjetra).

Sipas Kumbaros, “Letërsia e mirë nuk bën zhurmë, letërsia e mirë jeton gjatë”. Gjatë ceremonisë së djeshme, Drejtoria e Krijimtarisë së Fjalës dhe Përkthimit vlerësoi me certifikata mirënjohje shoqatat që mbështetën krijimin e minibibliotekave kreative gjatë fushatës së leximit.

U vlerësuan: Këshilli Rinor i Ambasadës Amerikane, Nisma Vullnetare Studentore Shkodër, Qendra Rinore ATA, Kamzë. Gjithashtu, certifikata mirënjohjeje u ndanë edhe për fushatën #AlbFotoBook në rrjetet sociale me librin në fokus si objekt, për të cilin u vlerësuan Elinda Gjonomadhi, Gerta Kadillari dhe më e vogla e pasionuar pas librave, Irel Çupi.

KANDIDATËT

1. PËR ÇMIMIN “VEPRA MË E MIRË E VITIT”:
• “Fjalor udhëzues për misterin e dosjeve” – Bashkim Shehu
• “Gurit të varrit ia rrëfej” – Agron Tufa
• “Largësi ideale” – Parid Teferiçi
• “Të gjithë premtojnë Parisin” – Nasi Lera
• “Tuneli i dhëndurëve” – Shkëlqim Çela
2. PËR ÇMIMIN “VEPRA MË E
MIRË E VITIT E PËRKTHYER”:
• “Bukë me sallam” – Charles Bukowski – Iris Sojli
• “Fëmijët e mesnatës” – Salman Rushdie – Ilir Baçi
• “Robinja” – Marcel Proust – Edit Dibra
• “Rrëfenja e shërbëtores” – Margaret Atwood – Engjëllushe
Shqarri
• Të parët tanë: Viskonti i përgjysmuar, Baroni rebel,
Kalorësi i paqenë – Italo Calvino – Adrian Beshaj

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura