Britania e Madhe dhe BE-ja njoftojnë sanksione kundër Rusisë! Shkak sulmet kibernetike në Evropë, e përfshirë edhe inteligjenca e GRU-së

Jul 13, 2026 | 14:06

Britania dhe Bashkimi Evropian njoftuan sot së bashku sanksione ndaj Rusisë, duke e akuzuar atë se qëndron pas sulmeve kibernetike që synojnë “përhapjen e kaosit dhe përçarjes në Evropë”.

sulm kibernetik

Britania njoftoi sanksione kundër 24 individëve dhe subjekteve të lidhura me shërbimet e inteligjencës ruse, ndërsa BE njoftoi sanksione kundër 13 subjekteve dhe individëve, përfshirë oficerë nga shërbimi i inteligjencës ushtarake të Rusisë (GRU).

“Kërcënimi është real, i prekshëm, shkatërrues, e gjithë bota sot është e bindur për këtë”, tha një burim sigurie nga një vend i BE-së.

Londra dhe Brukseli për herë të parë kanë emëruar së bashku shërbimin e inteligjencës ruse, FSB-në, si përgjegjës për një sulm ndaj rrjetit elektrik polak. Ky sulm kibernetik, me origjinë nga “Qendra FSB 16”, dështoi, tha Britania, por rezultoi në ndërprerje të energjisë elektrike për 500,000 njerëz “në mes të dimrit”.

Sipas Përfaqësueses së Lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme, Kaja Kallas, Qendra 16 ka qenë gjithashtu pas operacioneve të spiunazhit kibernetik në Francë që nga viti 2010 kundër “entiteteve strategjike qeveritare”.

“Ne e dënojmë fuqimisht sjelljen e Rusisë”, tha Kalas, duke denoncuar përdorimin nga autoritetet ruse të kriminelëve kibernetikë, hakerëve dhe kompanive private për të kryer këto sulme.

“Qoftë duke drejtuar kriminelë kundër bizneseve apo duke goditur rrjetin energjitik të Polonisë në mes të dimrit, shteti rus ka arritur një nivel të ri paturpësie në përpjekjet e tij për të minuar sigurinë evropiane”, tha Sekretarja e Jashtme Britanike Yvette Cooper.

Britania tashmë ka vendosur sanksione ndaj rreth 3,400 individëve dhe subjekteve të akuzuar për mbështetjen e përpjekjeve të luftës së Rusisë në Ukrainë.

BE-ja ka vendosur sanksione ndaj rreth 2,700 individëve dhe subjekteve për të njëjtat arsye, dhe njëqind të tjerëve të akuzuar për sulme hibride kundër BE-së.

Këto sanksione përbëhen nga ngrirje të aseteve dhe ndalim udhëtimi brenda BE-së.

Ndërkohë, Ministria e Jashtme gjermane thirri sot ambasadorin rus për të denoncuar “aktivitetet kibernetike keqdashëse” që ia atribuon Moskës dhe të cilat u kryen në disa vende evropiane, siç raportoi për X.

Ministria tha se sulmet kibernetike kundër Gjermanisë, partnerëve të BE-së dhe Ukrainës ishin të papranueshme dhe do të reagonin me vendosmëri, duke përfshirë edhe sanksione shtesë.

Franca, nga ana e saj, do të thërrasë ambasadorin rus në Paris në ditët në vijim lidhur me një fushatë kibernetike të dyshuar për kryerje nga Rusia kundër vendeve evropiane, përfshirë Francën, tha të hënën Ministri i Jashtëm Francez Jean-Noel Barrot.

“Ne do ta dënojmë publikisht një fushatë të gjerë kibernetike të kryer nga Rusia kundër të paktën dhjetë vendeve evropiane”, tha Barrot për BFM TV.

© Panorama.al

Te lidhura