Financimi rus i PD-së: Të dënohet krimi, jo mendimi ndryshe

Mar 11, 2018 | 12:50
SHPËRNDAJE

 

genc burimi 2GENC BURIMI

Kur bëmë atë revolucion in tonë modest studentor të shkurtit 1991, një kryefjalë kishim, liri e fjalës dhe Shqipëria si Europa. Sot në Europën e vlerave ka dhe shumë antivlera. Por ajo që e dallon iluminizmin perëndimor, është tolerimi i çdo opinioni, i çdo ndërgjegjeje, i çdo mendimi, qofshin këto mendime që nuk i shkojnë për shtat 99,99% të popullsisë.

Si gazetar jam i surprizuar nga përmasat që po merr afera e financimit rus të Partisë Demokratike shqiptare. Që opinioni publik të shokohet dhe ta dënojë si moralisht, ashtu politikisht këtë manovër elektorale mjerane të një partie të madhe opozitare, kjo nuk më shokon aspak. Por që partia në fuqi, domethënë qeveria, të shkojë deri aty sa të kërkojë mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Sigurisë për të gjykuar mëkatarin Basha që më pas të mund ta ndëshkojë si tradhtar të atdheut, kjo gjueti e çmendur shtrigash me frikëson. Rasti prezent duhet analizuar përtej gafës së Lulzim Bashës. Parimisht, në këtë vend të lirë që quhet Shqipëri, çdo shtetas e aq më shumë çdo politikan duhet të ketë të drejtën e shijeve të tij politike dhe të aleancave gjeopolitike. Shqipëria nuk është në gjendje lufte me Rusinë dhe me asnjë vend tjetër në botë. Nëse ka shqiptarë apo politikanë margjinalë që mendojnë se e ardhmja e vendit kalon nga Rusia, apo nga Pekini, apo nga Katari, apo nga Kuba dhe nga Venezuela, kjo është e drejta e tyre themelore si njerëz të lirë në një vend të lirë ku nuk duhet të ekzistojë krimi i opinioneve që mbajmë në kokë dhe në ndërgjegje. Taulant Balla nuk nderohet kur kërcënon nga pozita e partisë dominuese se është vënë në rrezik siguria kombëtare, meqenëse një parti ka marrë financime nga rusë. A do i rikthehemi kështu epokës së poliagjentëve dhe të burgosurve politikë të Enver Hoxhës? Në atë epokë surrealiste, po të pranoje dhurata nga imperializmi amerikan dilje para gjyqit të popullit dhe haje plumbin si tradhtar. Këtë traditë e vazhdon sot edhe Irani. Kjo klasë politike duhet të heqë dorë të imitojë si idiote të shkuarën, duke zëvendësuar imperializmin e djeshëm amerikan me atë të sotmin rus. Në demokraci nuk vendos politika, por populli. Politika ka të drejtën e saj të ëndërrojë për projektet më të marra, por në fund është populli që e ka fjalën dhe jo prokurori. I them Taulant Ballës që qoftë sa më larg ajo ditë kur një prokuror do t’i diktojë një politikani se kë vend të huaj duhet të dojë e kë duhet të urrejë. Në cilin artikull të Kushtetutës sonë, apo të Kodit tonë Penal, shkruhet se të pranosh financime nga ShBA-të, apo nga BE-ja, apo nga Turqia, je i nderuar, por po pranove financime nga fuqi që nuk preferohen nga opinioni publik shqiptar si, Rusia apo Irani përfundon si në kohët e inkuizicionit?

ME VOLTERIN

Për këtë e admirojmë Europën, për atë shprehjen volteriane, se edhe kur s’jam fare dakord me ty, do të luftoj deri në vdekje të thuash atë që ke për të thënë. Kjo është esenca e demokracisë, nga e cila ndodh që përfitojnë dhe armiqtë e demokracisë për të thënë apo ëndërruar broçkulla. Por kjo nuk është arsye t’i fusim në burg. Sa grupe haptazi naziste livadhisin lirshëm ende sot në Gjermani? Një parti e urryer antisemite si NPDja vazhdon të lëshojë helmin e saj ndonëse shumica e gjermanëve kërkojnë që të shpallet e paligjshme. Në demokraci nuk është drejtësia dhe aq më pak qeveria që duhet t’ia mbyllë gojën opinioneve politike kundërshtare, por elektorati të tallet, të përqeshet, të injorohet, të bojkotohet deri në fund me Lulzim Bashën për atë që ka bërë, por kurrë mos t’i tregohen nga pushteti dhëmbët e forcës dhe kërcënimet për burgim. Kurrë! Po lëshuam në këtë pikë, aty ia kemi bërë qejfin Rusisë. Në Rusi shoqatat mbyllen nëse marrin financime nga SHBA-të. Në Rusi vriten gazetarë dhe kundërshtarët politikë. Në Rusi syrgjynosen opozitarët seriozë që guxojnë të sfidojnë Putinin në zgjedhje. Nëse jemi kundra këtyre mynxyrave, atëherë në Shqipëri duhet lejuar pa pikën më të vogël të dyshimit që një parti politike të marrë financime me origjinë ruse apo nga çdo vend tjetër i frikshëm në botë, nëse ligji shqiptar nuk e ndalon qartazi një gjë të tillë. Dhe s’do të mund këtë ligje të tilla nëse Shqipëria pretendon të hyjë në familjen e madhe europiane ku nuk penalizohen politikanët për preferencat në aleancat me të huajt. Në Francë, Le Pen, sfidantja e Makronit, në zgjedhjet e fundit presidenciale, kërkoi pikërisht, publikisht e krenarisht lëmoshë te bankat shtetërore ruse që t’i financonin fushatën kundra presidentit të ardhshëm të Francës. U neverit shtypi dhe opinioni publik, por debati qëndron ne terma morale dhe aspak penale. Europa nuk e ka pranuar kurrë frymën makartiste (Mc Carthy) me origjinë nga ShBA-të në vitet ‘50, dhe nuk do ta pranojë kurrë…

BASHA DUHET TË BËJË MEA CULPA

Dhe se fundi një mesazh për Lulzim Bashën. Unë nuk e di sesi është e vërteta e të gjitha atyre që shkruhen e thuhen këto ditë mbi financimin rus të lobimit të tij në ShBA. Por ai s’duhet të këtë frikë nga e vërteta. Këtë shkrim s’duhet ta bënte një gazetar, por ai vetë si politikan që duhet të ketë kurajën të asumojë vendimet dhe aktet e tij si një njeri i lirë në një vend të lirë. Është vërtet skandal politik të financohesh nga Rusia ne një vend si Shqipëria që ka vuajtur aq shumë nga politikat sllavo-agresive. Por nëse kryedemokrati arrin dhe provon se nuk ishte në dijeni se cili ishte paguesi i fundit në atë skemë aq të komplikuar parajsash fiskale, me siguri që opinioni publik do t’i gjente rrethana lehtë- suese. Ashtu si vetë opinioni publik amerikan po i njeh rrethana lehtësuese Donald Trump-it, se ai vetë nuk mund të ketë pasur qëllime bashkëpunimi me Rusinë për të dëmtuar Amerikën. Me fjalë të thjeshta e të sinqerta, Basha mund t’i kishte dhënë fund këtij fejtoni dhe të hidhte bile propozime kurajoze për të ardhmen. Si ai që dëgjova nga kryetari i “Zgjidhja” tek Ilva Tare që të imagjinohet një ndalesë ligjore për lobimet qindra mijëra dollarësh të politikanëve shqiptarë për të pasur foto me presidentin e radhës së ShBA-ve. Ky është skandali i vërtetë, kostoja e këtyre fotove zululandesh, lobimi i shfrenuar dhe karnavalesk për t’i bërë ato dhe jo origjina e financimit. Nga një pikëpamje cinike, mund të thoshim aq më mirë që s’i kanë përballuar xhepat e taksapaguesve shqiptarë, por të huajt e largët këto teka surrealiste të klasës sonë. Në vend të këtyre sqarimeve dhe pendimeve, Lulzim Basha ka vendosur në të kundërt të fiksohet vetëm te mohimi kategorik i financimit rus, duke i hapur kështu orekse makabre partisë kundërshtare në fuqi. Kjo e fundit pa asnjë skrupull po e kthen tani këtë histori si ajo saga a çmendur e dosjes “Drejfus” në Francën e shekullit të 19-të, ku akuza qe e njëjtë, bashkëpunim i pafalshëm me armikun e jashtëm. Basha duhet të dalë një orë e më parë nga ky kurth i neveritshëm. Vetëm duke e pranuar me kurajë gjithçka ka ndodhur, vetëm duke bërë mea culpa, Lulzim Basha dhe partia e tij do të jenë më të dëgjueshëm nga opinioni publik, nëse duan t’i bëjnë këtë pyetje fare të thjeshtë Rilindjes së Edi Ramës: Përse financimi i zgjedhjeve të qershorit 2017 me paratë e marijuanës dhe kokainës së trafikuar nga shqiptarët do të vinte më pak era tradhti kombëtare sesa financimet me origjinë nga Rusia? Kush janë më të rënda, dyshimet mbi bashkëpunimin e Tahirit me klanin “Habilaj” apo ato mbi Bashën me klanet ruse? Siç e thotë mirë një proverb, vështirë të zgjedhësh midis murtajës dhe kolerës. Në Shqipëri është një klasë e tërë politike që duhet pastruar. Por kjo duhet bërë në emër të krimeve që kanë kryer dhe jo të ideve dhe preferencave që kanë, sado të çmendura qofshin ato…

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura