Elisa Spiropali jep dorëheqjen nga Doganat: Nuk vjen si dobësi, do t’i përkushtohem vajzës

Mar 7, 2015 | 12:12
SHPËRNDAJE

Drejtoresha e Përgjithshme e Doganave Elisa Spiropali ka dhënë dorëheqjen. Në një deklaratë të publikuar në profilin e saj në rrjetin social “Facebook”, Spiropali ka deklaruar se dorëheqja ka ardhur për arsye familjare dhe se do t’i përkushtohet fëmijës së saj, vajzës së lindur dy ditë më parë.

Elisa Spiropali

“Një vit e gjysëm nuk është mjaft për të bërë bilancin e një pune që vazhdon. Por unë sapo përjetova momentin më të rëndësishëm në jetën e një gruaje, lindjen e fëmijës së parë. Prandaj edhe dua mirëkuptimin tuaj për ndërprerjen e shërbimit tim në krye të Doganës Shqiptare”,-ka deklaruar Elisa Spiropali.

Në një deklaratë të publikuar në profilin e saj në rrjetin social “Facebook”, Spiropali ka bërë edhe një pasqyrë të shkurtër të reformave të kryera në Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave, duke përmendur “Reformën administrative; Reformën legjislative; Reformën e procedurave; Reformën anti-korrupsion.”

Gjithashtu Elisa Spiropali nuk ka nguruar të falënderojë kolegët me të cilët ka bashkëpunuar në Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave, përfshirë edhe kryeministrin Edi Rama për besimin  që u dha.
 

Deklarata e plotë e Elisa Spiropalit në “Facebook”:

Të dashur kolegë dhe punonjës të Doganës Shqiptare!

Ndjehem e lumtur që m’u dha mundësia të njihem dhe punoj me ju.

Jam mirënjohëse ndaj secilit prej jush për faktin se në një periudhë tepër të vështirë u bëmë ballë me sukses të prekshëm sfidave thelbësore.

Kryem së bashku reforma të rëndësishme dhe të nevojshme prej vitesh:

Reformën administrative; Reformën legjislative; Reformën e procedurave; Reformën anti-korrupsion.

Marrëdhëniet mes biznesit dhe doganës i futëm në procesin pa kthim të një transformimi historik, duke i shndrruar nga marrëdhënie të deformuara klientelizmi dhe shantazhi korruptiv, në marrëdhënie dialogu dhe partneriteti.

Bëmë të mundur rritjen më të lartë të të ardhurave ndër vite përmes një lufte sistematike dhe pa kompromis kundër paligjshmërisë, evazionit dhe kontrabandës.

Një vit e gjysëm nuk është mjaft për të bërë bilancin e një pune që vazhdon.

Por unë sapo përjetova momentin më të rëndësishëm në jetën e një gruaje, lindjen e fëmijës së parë. Prandaj edhe dua mirëkuptimin tuaj për ndërprerjen e shërbimit tim në krye të Doganës Shqiptare.

Jua kërkoj këtë e bindur se ju nuk do ta merrni si një llogari egoiste. Nuk ka asnjë dobësi në këtë tërheqje. E gjitha lidhet me përjetimin tërësisht individual të të bërit rolin e nënës me preokupimet përkatëse, pasi jam mësuar deri këtu të bëj vetëm vajzën. Por edhe me bindjen se tërheqja ime nuk do të krijojë asnjë boshllëk tashmë që themelet e punës sonë janë hedhur.

Faleminderit të gjithëve ju, nga i pari tek i fundit pa dallim. Faleminderit për punën plot pasion dhe sakrifica që vetëm nga brenda “mureve” të sistemit doganor mund të kuptohet se sa e vështirë është.

Faleminderit Ministrit të Financave, njeriut korrekt dhe rigoroz që me këmbënguljen e tij për të kërkuar gjithnjë më shumë, më ka ndihmuar dhe më ka mësuar shumë.

Faleminderit Kryeministrit, njeriut që nuk më la asnjëherë vetëm përballë momenteve të vështira të detyrës.

E falenderoj Kryeministrin për besimin, ndihmën dhe frymëzimin që më ka dhënë për transformimet pozitive të punës, modernizimin e sistemit, shndrrimin e administratës nga një fole parazitizmi dhe korrupsioni në një bashkësi të vetëdijshme për kryerjen e detyrës.

Ju uroj të gjithëve megjithë shpirt vazhdim të mbarë në rrugën e nisur së bashku një vit e gjysëm më parë.

S’kam asnjë dyshim se në fund të këtij mandati, do të jemi të gjithë krenarë për rolin e Doganës Shqiptare në shërbim të Shqipërisë dhe të integrimit të saj të plotë në Bashkimin Evropian.

Përqafime dhe suksese,

Elisa Spiropali

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura