EKSKLUZIVE/ “Fajin e kam unë, djali dhe Fiqireti nuk…”- Zbardhet debati i fortë, Ramiz Alia akuzon Mehmet Shehun: Pse fejesa me Turditë na rrezikoi jetën të gjithëve!

Nov 25, 2021 | 20:36
SHPËRNDAJE

Enver Hoxha-Mehmet-Shehu1Gazeta Panorama.al publikon debatet e forta në mbledhjen e Byrosë Politike të 17 dhjetorit 1981, ku Enver Hoxha dhe anëtarët e tjerë të PKSH-së kritikuan rëndë, kryeministrin e kohës, Mehmet Shehun për fejesën e djalit të tij, Skënderin me Silva Turdiun.

VIJON NGA NUMRI I KALUAR (LEXO KETU)

Gjatë debateve, Ramiz Alia, një ndër kundërshtarët më të fortë të Mehmetit e akuzoi atë se fejesa me Turditë do të rrezikonte jetën e të gjithë Byrosë, duke e vendosur kështu në një stad tjetër akuzat.

Në unisong, pas tij janë ngritur të gjithë anëtarët e tjerë të Byrosë, të cilët kanë bërë akuza nga më të ashprat ndaj kryeministrit. Mehmet Shehu gjatë këtij debati është gjendur përballë dy zjarreve. Enveri, si ‘më i madhi’, nuk para ka folur për akuzat, por gjithmonë ka një fakt më shumë për të sulmuar Mehmetin.

Në numrin e sotëm do të zbardhen të gjitha batutat e reja të mbledhjes së 17 dhjetorit. Si Ramizi e akuzon ashpër se i ka rrezikuar jetën të gjithëve, pse Enveri nuk bindet nga justifikimet, kush janë akuzuesit më të fortë. Përfshirja e Fiqretit dhe djemve të tjerë në analizën e fajit. Pse Mehmeti e mbron bashkëshorten dhe përpiqet të marrë mbi supe të gjithë fajin.

Akuzat ndaj Mehmet Shehut në mbledhjen e Byrosë Politike më 17 dhjetor 1981

Shoku Mehmet Shehu: Pyetja tjetër. A e keni kuptuar ju se ky gabim e ka dëmtuar dhe e dëmton Partinë dhe do ta dëmtonte atë më shumë, në qoftë se do të vazhdonte? Sigurisht që e kam kuptuar dhe e kam kuptuar thellë bile. Kjo më nuk do të ndodhë.

Shoku Kadri Hazbiu: Po rrjedhimi i këtij kuptimi është qëndrimi që mbani ju këtu, shoku Mehmet. Ne kemi me ju një orë të tërë me tre pyetje. Në qoftë se e paske kuptuar, kështu siç thoni, dhe e drejtë është që kështu ta kuptoni se nga ky qëndrim është dëmtuar Partia, atëherë është i përshtatshëm qëndrimi që po mbani ju këtu? Këtu jemi në Byronë dhe duhet të flasim hapur, nuk mjaftojnë deklarimet, këtu duhet folur nga pozicione të partishme. Po ta marrim çështjen nga këndi që e kam dëmtuar Partinë, atëherë duhet të futesh edhe më thellë në analizën e fakteve.

Shoku Mehmet Shehu: Me atë gabim që u bë sigurisht, Partia është dëmtuar.

Shoku Foto Çami: Po ku qëndron, shoku Mehmet, e keqja e këtij gabimi, se nuk e thua as në autokritikë. Çfarë pasoja do të kishte kjo që bëre për Partinë?

Shoku Mehmet Shehu: E keqja e këtij gabimi, në qoftë se do të lejohej, por jam i bindur se Partia nuk do ta lejonte atë, unë jam një person dhe si i tillë si kushdo tjetër edhe mund të gaboj, atëherë prekej rëndë parimi i luftës së klasave, vija e Partisë në këtë çështje.

Shoku Hajredin Çeliku: Po pse me kaq sa ndodhi nuk është prekur dhe nuk është dëmtuar vija e Partisë?

Shoku Mehmet Shehu: Është dëmtuar.

Shoku Ramiz Alia: Prekja është prapë diçka e përgjithshme. Çfarë do të ndodhte, pa imagjinojeni pak, shoku Mehmet?

Shoku Mehmet Shehu: Është dëmtuar, por nuk është dëmtuar në atë shkallë siç do të dëmtohej, po të vazhdonte. Vazhdimi do të ishte gabim i rëndë dhe atëherë do të kishim…

Shoku Enver Hoxha: Atë duam të dimë ne, çfarë do të kishim?

Shoku Ramiz Alia: Çfarë atëherë do të kishim?

Shoku Mehmet Shehu: Do të kishim dy vija në luftën e klasave.

Shoku Ramiz Alia: Po kjo që konstaton, je i bindur se ka rëndësi shumë të madhe?

Shoku Mehmet Shehu: Po, po, për këtë jam i bindur, në qoftë se do të rezultonte…

Shoku Enver Hoxha: Çdo të rezultonte për Partinë? Çarje?

Shoku Mehmet Shehu: Po, çarje e Partisë

Shoku Ramiz Alia: Atëherë ku hyn këtu sentimentalizmi? Vëreni këtë në balancë, se kjo nuk hyn këtu, shoku Mehmet, nuk e shpjegon dot sentimentalizmi këtë.

Shoku Mehmet Shehu: Jo, unë flas për gabimin si arrita. Unë shpjegoj arsyetimet e asaj kohe që më prunë mua në këtë gabim të rëndë, se e kuptoj që gabimi është i rëndë.

Shoku Ramiz Alia: Në qoftë se sot ju e kuptoni kështu, që kjo që bëre, do ta çante Partinë, do të thotë se kjo do te krijonte një luftë në Parti, do të nxirrte dy vija, pra do të kishte një çarje komplete të Partisë, që nga poshtë deri lart, deri te ne.

Shoku Mehmet Shehu: Kështu do të ndodhte në qoftë se do të vazhdonte.

Shoku Ramiz Alia: Atëherë, në qoftë se është kështu, ju duhet ta shikoni këtë me seriozitetin më të madh, pse kjo është kapitale për Partinë, shoku Mehmet, për tërë jetën tonë, për tërë jetën e vendit tonë. Pa bëni një retrospektivë dhe kthehuni një çikë mbrapsht dhe shikoni: një gjë kaq kapitale, kaq e madhe për jetën e Partisë e të vendit, mund të shpjegohet me sentimentalizmin. Kjo nuk ju ndihmon juve, shoku Mehmet, në rast se ngulni këmbë.

Shoku Mehmet Shehu: Po nuk është vetëm sentimentalizmi shoku Ramiz, janë të gjitha ato të tjerat që thashë.

Shoku Enver Hoxha: Ti në një vend në autokritikë thua: “Më parë se ta bëja këtë fejesë, u shtanga”. Pse u shtange? Për ç’arsye?

Shoku Mehmet Shehu: Pikërisht nga kjo çështje u sh tanga, se kisha të bëja me një familje që ka njerëz të arratisur jashtë.

Shoku Enver Hoxha: Ç’do të thotë politikisht kjo? Ç’do të thotë më politikisht kjo?

Shoku Mehmet Shehu: Do të thotë që nuk puqet me vijën e Partisë.

Shoku Enver Hoxha: Ti u shtange se mendove që akti që po bëje, ishte në dëm të Partisë, u shtange pra pse po veproje kështu.

Shoku Mehmet Shehu: Në fillim u shtanga, pastaj u tërhoqa nga kjo shtangie.

Shoku Ramiz Alia: Pra po bashkoheshe me armikun e klasës.

Shoku Mehmet Shehu: U shtanga dhe pastaj u tërhoqa nga shtangia, rashë në oportunizëm.

Shoku Enver Hoxha: Të tëra pyetjet vijnë pastaj me radhë: Po pse u shtange? Po mendjemadhësia etj. Po ti u shtange pse ishe i bindur që kjo krushqi ishte e gabuar dhe ti nuk je njeri dokudo. Politikisht e kuptove fajin, prandaj u shtange, domethënë kuptove se ajo që po bëje ishte një gabim i rrezikshëm politik. Këtë duhet ta pohosh. Këtë e thua në autokritikë, po nuk e pohon haptazi. Këtu, te shmangia është çështja, se kjo tregon që ti ishe i bindur se ajo që po bëje ishte veprim i gabuar.

Shoku Mehmet Shehu: Dyshoja se mund të ishte i gabuar.

Shoku Ramiz Alia: Shoku Mehmet, po ju e thoni shprehimisht që këtë gjë nuk do t’ia lejonit asnjërit nga djemtë, as një shoku nuk do t’ia këshillonit, domethënë ishit të bindur që politikisht veprimi që bëtë ishte i gabuar, ideologjikisht i shtrembër, por, për vete, këtë ti e shkele!

Shoku Enver Hoxha: Me këtë logjikë ti vazhdoje, megjithëse politikisht ishte e gabuar, ti e shkele. Kur e kuptove që ishe duke gabuar, se po shkelje vijën, ti duhej të gjeje rrugën që ta ndreqje këtë që bëre, jo ta prishje. Në qoftë se s’ta priste mendja si ta ndreqje, atëherë duhet të vije të pyesje shokët.

Shoku Mehmet Shehu: Të paktën duhej të pyesja shokët, kështu është.

Shoku Enver Hoxha: Atëherë vjen pyetja: pse nuk pyete të paktën një shok? Çështja se nuk doje të shqetësoje Enverin nuk hahet, pse ti pyete një shok dhe ky ishte Feçorr Shehu.

Shoku Mehmet Shehu: M’u duk se ishte e drejtë një gjë e tillë, po edhe mendjemadhësia, imuniteti, janë të tëra këto elementë negativë që ndikuan tek unë, prandaj i them edhe ato.

Shoku Enver Hoxha: Jo vetëm t’i thuash, por edhe t’i kuptosh thellë dhe t’i zhvillosh ato më tej.

Shoku Pali Miska: Shtangia jote do të thotë se në atë çështje ti pe dy rrugë dhe efektivisht ashtu është, politikisht pe dy rrugë dhe u shtange, sepse duhej të vendosje kë do të zgjidhje, nga të shkoje, në rrugën që ka caktuar Partia, apo në rrugën që ishte në kundërshtim me normat dhe me vijën e Partisë? Ti këtu, siç thotë shoku Enver, nuk zgjodhe rrugën e Partisë. Një kjo. E dyta, mirë e more rrugën e gabuar, po duhet të kishe gjykuar një çikë më vonë e të thoshe: “More po ku po vete unë kështu? Ku po më shpie mushka?” Ti nuk e bëre as këtë e kjo do të thotë se ke qenë i bindur për rrugën që more, pse, siç thamë më përpara, je nisur nga mendimi: “unë e kam drejt dhe po vendosa, nuk ma diskuton njeri mendimin”.

Shoku Mehmet Shehu: Jo, unë mendova se e kisha drejt, po jo se vendosa unë dhe ky ishte një vendim i prerë.

Shoku Adil Çarçani: Po ajo u bë, shoku Mehmet, kurse efekti politik i saj u ndie në tërë Tiranën, dhe me siguri edhe në tërë Shqipërinë. Akti u bë, iku mbaroi. Puna ishte të pyesje përpara se të bëje aktin, shoku Mehmet.

Shoku Mehmet Shehu: Ajo u bë, po ama sa më foli shoku Enver, unë menjëherë veprova.

Shoku Pali Miska: Shoku Mehmet, për çështjet politike ne nuk duhet të arrijmë të mendojmë e jo më të veprojmë dhe të presim të na tërheqë vëmendjen shoku Enver, se nuk jemi në rregull. Njeriu në punë e sipër mund të bëjë një gabim dhe për këtë Partia na kritikon, po ky që bëre ti është gabim politik, ti vetë e thua atë.

Shoku Manush Myftiu: Shoku Mehmet, sikur të ishte fjala për një shok tjetër që ta bënte këtë gabim që bëtë ju, jam qind për qind i bindur se ti do të gjykoje ndryshe. Ju, pavarësisht se jeni shumë i vjetër si komunist, nuk ju lë sedra e sëmurë të gjykoni drejt si komunist. Nuk është e drejtë që të mbash këtë qëndrim në Byronë Politike. Ti nuk je nga ata që nuk jeni në gjendje nga ana intelektuale të gjykoni mbi këto veprime. Mundet të mos i thuash të tëra, por kryesoret duhet t’i thuash këtu. Më duket se sedra të mundon akoma shumë.

Shoku Mehmet Shehu: Për sentimentalizmin ndaj djalit unë them një gjë reale, siç e ndjeja atëherë, në atë kohë.

Shoku Simon Stefani: Më fal, shoku Enver. Shoku Kadri, një minutë. Qëndrimi juaj, shoku Mehmet, është njësoj si edhe qëndrimi i Fiqretit. Unë kam qenë në mbledhjen e organizatës-bazë të Partisë ku bënte pjesë ajo, edhe në të parën, kur bëri autokritikën, edhe në të dytën. Qëndrimi është tamam i njëllojtë, domethënë jeni një. Ju nuk doni t’i nxirrni rrënjët këtij gabimi të rëndë ideologjik, po mundoheni ta kaloni me fjalë të përgjithshme, anësore, jo thelbësore. Duke qenë në dijeni të qëndrimit të të dyve ju, se ju qëndroni në një linjë: “sentimentalizmi, familje e ngushtë, u shpejtuam, etj.”. Por shkaqet ideologjike nuk doni t’i zbërtheni edhe pse i kini mundësitë. Nuk doni ta thoni gjithashtu edhe atë që këtë gabime keni bërë me dije, me ndërgjegje, por i vini rrotull. Edhe shoqja jote, edhe ju, shoku Mehmet, nuk i bini kësaj pune drejt. Unë jam dakord me atë që tha shoku Manush, që juve nuk ju lë sedra.

Shoku Mehmet Shehu: Shoku Simon, unë nuk e gënjej Partinë, po në atë kohë kështu kam menduar, prandaj e them sinqerisht ashtu si e kam menduar. Tani e kuptoj që është gabim i rëndë. Them që është gabim i rëndë dhe që nuk duhet përsëritur.

Shoku Rita Marko: Pas kritikës që ju bëri shoku Enver ju korrigjuat gabimin. Unë pyes tani: Ishit të bindur për korrigjimin që bëtë, se kam mendimin që ju nuk keni qenë të bindur.

Shoku Mehmet Shehu: Cilën kritikë?

Shoku Rita Marko: Atë që të është bërë dhe që e korrigjuat fejesën dhe u bë ndarja e djalit me atë vajzë.

Shoku Mehmet Shehu: Isha i bindur për këtë.

Shoku Rita Marko: Analizojeni mirë këtë, se mendimi im është që ju nuk keni qenë të bindur, keni pranuar ta bënit këtë ndarje nga autoriteti i udhëheqjes së Partisë, po në vetvete nuk keni qenë shumë i bindur. Po të ishit, do ta analizonit më mirë, do të gjenit forca që do të mbytnit edhe sedrën që keni dhe të tëra të tjerat.

Shoku Mehmet Shehu: Jo, unë nuk jam dakord me këtë që thua ti. Unë kam qenë i bindur që ishte gabim dhe veprova menjëherë.

Pyetje tjetër që më bëhet: Pse e përjashtoni përgjegjësinë e Fiqretit e të djalit?

Shoku Mehmet Shehu: Unë nuk e përjashtoj përgjegjësinë e Fiqretit dhe të djalit, po them që fajin kryesor e kam vetë. Djali ka fajin e tij që nuk vajti të zgjidhte një vajzë, siç i kishim rekomanduar. Edhe unë, edhe Fiqreti i kishim rekomanduar të bënte zgjedhje të përshtatshme, kurse ai vuri syrin te kjo vajzë. Fiqreti ka përgjegjësinë e saj që duhej të kishte ngulur këmbë te unë, po u lëkund e më në fund ra në pozitat që i thashë unë. Prandaj në autokritikën time them që përgjegjësia, në radhë të parë, është imja, pastaj e Fiqretit, sigurisht është edhe e djalit, se edhe ky ka faj. Kështu mendoj unë, kjo mund të jetë gabim.

Shoku Pali Miska: Këtë pyetje e bëra unë, shoku Mehmet, por nuk jam i bindur se është kështu siç thatë ju. Përkundrazi. Po pse ta bësh ti këtë? Dua të them, pse ta marrësh në mbrojtje Fiqretin? Ju në autokritikë e thoni vetë se Fiqreti e djali nuk kanë faj.

Shoku Mehmet Shehu: Jo, unë nuk e marr në mbrojtje Fiqretin, po në autokritikë them se Fiqreti lëkundesh.

Shoku Pali Miska: Jo lëkundeshe, po ajo është nxitëse në këtë çështje.

Shoku Mehmet Shehu: Jo, nuk është nxitëse Fiqreti.

Shoku Pali Miska: Mirë, ju keni mendimin tuaj dhe mbajeni, por unë them se në këtë rast dhe në raste të tjera ajo ka qenë nxitëse. Gjykojeni, shoku Mehmet, këtë, merrini të lidhura këto punë, se kështu si po veproni, nuk e ndihmoni Partinë duke marrë në mbrojtje një komunist dhe një anëtar të Komitetit Qendror që gabon. Në autokritikë ju duhet t’i qëndronit edhe asaj.

Shoku Mehmet Shehu: Unë nuk e marr në mbrojtje atë, por marr përgjegjësinë time, që është kryesorja. Nuk them që Fiqreti ose djali nuk kanë përgjegjësi, por përgjegjësinë kryesore e kam unë.

Shoku Pali Miska: Nuk mjaftonte vetëm përgjegjësia jote. Këtu, në rastin konkret, ajo është anëtare e Komitetit Qendror, prandaj një fjalë duhet ta thoshte edhe për atë, të thoshte ç’faj ka Fiqreti.

Vijon…

*Ky artikull është ekskluzivisht për “Panorama.al’. Riprodhimi i tij nga media të tjera në mënyrë të pjesshme ose të plotë pa lejen e kompanisë dhe pavendosur hiperlinkun e artikullit origjinal do të ndiqet në rrugë ligjore.

LEXO EDHE:  

EKSKLUZIVE/ “Pse s’ngacmoi francezi vajzën time apo të Ramizit?!”-  Enveri sulmon Mehmetin: Nëna e nuses së djalit tënd s’ka moral të mirë! Shehu: S’më mbetet gjë, veç ta ndaj nga… (Pjesa 6)

Zbardhet debati në Byronë Politike/ Enveri – Mehmetit: Nusja e djalit tënd rri me një francez! Ai me mustaqe e ka ndjekur në shkollë me automobil! Përveç fërkuarit të faqeve të…(Pjesa 5)

EKSKLUZIVE/ “Nuk jam kalama, jam burrë!”- Zbardhet procesverbali, Enveri zbulon bisedën mes Shehut dhe Turdiut: Qazimi të kërkoi të prishësh fejesën! Ti i the; kur dashurohen fëmijët të tjera… (Pjesa 4)

 EKSKLUZIVE/ Zbardhet debati i fortë mes Ramiz Alisë, Kadri Hazbiut dhe Mehmet Shehut pas ‘skandalit’ me Turditë: Skënderi të kthehet nga Suedia, s’meriton të bëjë provime, të punojë në uzinë se është komunist! (Pjesa 3)

EKSKLUZIVE/ “O burra, merrni vajzat e kulakëve e ballistëve!”- Zbardhet përplasja e fortë mes Mehmet Shehut dhe Ramiz Alisës: E bëre me qëllim fejesën me Turditë! Hoxha: E kam këshilluar shokun…(Pjesa 2)

EKSKLUZIVE/ Fejesa e djalit të Mehmetit me vajzën e Qazim Turdiut/ Zbardhet debati në Byron Politike: Ti ve djalin para partisë?! Shehu: Skënderi kaloi traumë psikologjike! Enveri: Janë punë agjenturale…(PJESA 1)

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura