Duke pritur videon e hetimin e skandalit

Mar 4, 2015 | 11:50
SHPËRNDAJE

PREÇ ZOGAJ

   Për momentin, ndërsa njohja për ngjarjen e bujshme rrotullohet rreth akuzave dhe denoncimeve që ka bërë deputeti Tom Doshi, situatën politike e dominon regbia e palëve në fushën e akuzave. Tensioni është i lartë dhe gjasat janë se do të vijë duke u rritur. Bastet politike janë më të mëdha se herë të tjera. Cila është e vërteta? Ka porositur Ilir Meta vrasës me pagesë për të hequr qafe deputetët Tom Doshi dhe Mhill Fufi? Apo jemi përpara një fantazmagorie të ngritur mbi fakte të shkëputura? Intriga, më saktë një pjesë e saj, është mbledhur në videon prej tridhjetë e shtatë minutash që deputeti Tom Doshi thotë se e zotëron. Thuhet se personi i kontraktuar për vrasjen e dy deputetëve rrëfen aty me zë dhe me figurë nga kush e ka marrë porosinë, sa do të paguhej, si do të vepronte dhe pse u pendua në momentin e fundit. Shfaqja e videos do të ishte një provë shumë e rëndësishme për të formuar gjykimin e publikut. Rrëfime të tilla me killer të penduar që denoncojnë porositësit e vrasjeve, vështirë se mund të sajohen. Edhe po të inskenoheshin, është e pamundur që në lidhjen e gjithë elementeve të fabulës të mos krijoheshin të çara apo hiatuse, që demaskojnë në sytë e publikut inskenimin.
Shfaqja e videos është hapi i radhës në rrugën e zbardhjes se një krimi, që në rast konfirmimi do të rezultonte topskandali i tranzicionit. Hapi tjetër, ai që i vë vulën transparencës është hetimi penal. Të gjithë presim videon dhe drejtësinë për të thënë fjalën e fundit.
Por edhe me aq sa kemi dëgjuar dje dhe sot, pra ende pa parë videon, mund të themi se afera e denoncuar ka lënë rrugës disa pikëpyetje që pohojnë ekzistencën e saj ashtu siç e ka paraqitur zoti Doshi. Pikëpyetja e parë, kryesorja, është mungesa e një reagimi të fortë institucional dhe mosfillimi i hetimeve pesë muaj më parë, kur deputeti reklamoi pranë Kryeministrit Edi Rama dhe ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, zbulimin e tij të tmerrshëm se kishin dashur ta vrisnin me porosi të kryetarit të Kuvendit, Ilir Meta. Dje, asnjëri  prej këtyre zyrtarëve të lartë nuk ka mohuar faktin se është vënë në dijeni nga deputeti Doshi për atentatin që ky ka arritur ta çaktivizojë vetë apo me ndihmën e perëndisë. Por si është e mundur që e kanë lënë në heshtje? Çfarë duhet të ndodhte më shumë për të iniciuar menjëherë zbardhjen e denoncimit dhe marrjen e masave kundër autorëve eventualë të krimit makabër? Propagandojnë me të madhe marrjen e denoncimeve nga qytetarët, por nuk lëvizin as majën e gishtit kur deputeti i Parlamentit, shoku i tyre i afërt, ua përplas në tavolinë emrin e killerit të penduar dhe emrin e porositësit. Çfarë hipokrizie!
Dje, Prokurori i Përgjithshëm, zoti Llalla, njoftoi nisjen e hetimeve për zbardhjen e denoncimit të deputetit Tom Doshi. Lajm i mirë. Edhe pse do të kishim preferuar të mos e shihnim pikërisht dje zotin kryprokuror duke hyrë e duke dalë në zyrën e Kryeministrit në një takim me palën që rezulton e akuzuar nga autori i denoncimit. Ndërkaq, nuk mund të mos shtrojmë pyetjen: Pse nuk ka nisur ky hetim pesë muaj më parë? Kryeprokurori Llalla ia ka detyrim publikut një shpjegim. Zoti Rama është dëgjuar dhe cituar të ketë thënë në Grupin e tij Parlamentar se akuzat e Doshit janë hetuar dhe nuk ka dalë gjë. Zëdhënësit dhe mbështetësit e qeverisë në botën e mediave i bënë jehonë të veçantë këtij pohimi. Po sa i vërtetë është? Çfarë hetimesh ka nisur dje organi i akuzës, kur sipas Ramës çështja është hetuar dhe nuk ka dalë gjë? Kush ka hetuar? A ka kontradikta dhe kundërthënie në këto prononcime e qëndrime? Besoj se Prokuroria vetëm dje ka nisur të hetojë. Ka shumë mundësi që Rama të ketë gënjyer ose spekuluar, duke bërë atë që thoshte Rajmond Aron për liderit spastrues, të cilët fillojnë të ngrenë murin e gënjeshtrave edhe kundër shokëve më të afërt kur i përjashtojnë nga partia.
Një pikëpytetje tjetër, e madhe pa dyshim, është atentati me tritol kundër të penduarit që kishte marrë porosi të vriste deputetët. Në rrethanat e krijuara është shumë e vështirë për logjikën të pranojë se eliminimi i dëshmitarit kyç në prag të shpërthimit të skandalit është një rastësi pa lidhje me skandalin. Edhe në këtë pikë do të duhet të presim drejtësinë. Por nëse deri para së të mësonim për ketë atentat mafioz kishim përshtypjen se killeri i penduar ishte një mirazh, tani e dimë se ai ka një emër dhe mbiemër, se ka armiq, ndër ta edhe ata që i ka “tradhtuar” duke mos ua kryer porosinë për vrasjen e deputetëve. Logjika në këtë rast është e prirë të mbërthejë si shigjetë, edhe po të duam ta frenojmë, opsionin se dërguesit e tij janë edhe autorët e atentatit kundër tij. Duan të zhdukin çdo gjurmë dhe çdo dëshmi që do të mbështeste denoncimet e Doshit.  
Një pikëpyetje e tretë është shitja e përjashtimit të Doshit me dy marka krejt të ndryshme, një për opinionin publik vendës, një tjetër për partnerët ndërkombëtarë. Opinionit publik iu shit si një provë force e Kryeministrit kundër shantazhimit të qeverisë. Ndërkombëtarëve iu shit si çibani i parë i shkulur i dekriminalizimit, duke pasur parasysh informacionet andej-këndej për zotin Doshi si një person i dyshuar për pasurinë e madhe që ka. Me markën e dekriminalizmit për pak iluduan Ambasadën e SHBA-ve në Tiranë. Por besoj se e vërteta u mor vesh shumë shpejt. Dekriminalizimi as që është zënë me gojë në mbledhjen e Grupit socialist. Zoti Doshi është përjashtuar me përkulje, me temena. Përjashtimi i tij u bë për arsye që lidhen me luftën, rivalitetet, aleancat, ortakëritë dhe pazaret brendapërbrenda kupolës qeveritare Rama-Meta. Zoti Rama, njëlloj siç bëri me aleancën e tij të 1 prillit 2013 me zotin Meta, zgjodhi numrat e sigurt të pushtetit, që në sistemin e tij u mbivendosen miqësive, kontributeve, skrupujve. Mirë, le ta bëntë këtë. Në fund të fundit, njerëzit me arsye e dinë se në Shqipëri nuk ka Parti Socialiste dhe nuk ka të majtë në kuptimin që kanë në botën e lirë këto identitete. E majta jonë është një ide pushteti dhe aq. Toma do të dilte i tepërt sapo të vinte momenti. Mirëpo, ngrihet dikush dhe ua njofton partnerëve përjashtimin e tij si ndarje nga krimi. Në rrethanat kur ky deputet ka denoncuar me emra dhe mbiemra një plan kriminal për ta vrarë, “paketimi” i tij në paketën propagandistike të dekriminalizimit është një mashtrim dhe një ligësi ala shqiptare, që do t’u kthehet kundër atyre që e kanë bërë. Dekriminalizimi jo që nuk nisi, por e kundërta ndodhi me ngjarjet e pardjeshme e të djeshme: krimi i denoncuar bujshëm nga një deputet i shumicës u ngjit akoma më lart.  
Gënjeshtrat janë labirinthi më i ngatërruar, thotë Borhes. Në këtë labirinth gënjeshtrash i shohim tani duke u endur të akuzuarit e zotit Doshi. Kontradiktorë, çfarë thotë njëri nuk e thotë tjetri, ndoshta parapëlqejnë të jenë të akuzuar politikisht, me fjalë, por publikut i interesojnë faktet, i intereson e vërteta. Ndaj po pres me interes të madh videon, hetimin.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura