Dokumenti/ Qeveria e pranon: Shqiptarët ikin se s’ka punë dhe siguri

Oct 18, 2017 | 19:34
SHPËRNDAJE

Qeveria “Rama 2” ka hartuar Strategjinë Kombëtare të Diasporës dhe Emigracionit për vitin 2018-2024, dokument që do të zbatohet nga ministri për Diasporën, Pandeli Majko. Një ndër qëllimet kryesore të kësaj strategjie është krijimi i mundësisë së emigrantëve për të votuar në Shqipëri. Por, në draftin e prezantuar dje për herë të parë, qeveria ka renditur faktorët që ndikojnë te shqiptarët për t’u larguar nga vendi.

rama1

Edhe pse shumica e majtë pretendon se ka bërë gjatë katër viteve ndryshime rrënjësore, si në sigurinë publike, ekonomi dhe në forcimin e institucioneve, drafti i saj jep një pasqyrë krejt tjetër, sikur të ishte shkruar nga opozita. Në raport thuhet se shqiptarët po largohen nga vendi për arsye ekonomike, pasi ka mungesë të mundësive për punësim, si dhe kushte të vështira të jetesës.

“Njerëzit migrojnë kur në vendin e tyre mungojnë burimet dhe mundësitë për të përmbushur nevojat dhe aspiratat e tyre. Termi ‘për një jetë më të mirë’ përfshin disa faktorë, të cilët i detyrojnë shqiptarët të largohen nga vendi. Kjo është e reflektuar në mungesën e njëtrajtshmërisë nëpërmjet emigrantëve shqiptarë.

Faktorët kryesorë janë: faktori ekonomik: shqiptarët largohen kryesisht për arsye ekonomike, siç janë mungesa e mundësive të punësimit, kushtet e vështira të jetesës, veçanërisht në disa zona ku mungojnë kushtet elementare si energjia elektrike, uji dhe strehimi”, thuhet në draftin e qeverisë.

PASIGURIA

Në raportin që do të zbatojë Ministria e Diasporës thuhet se shqiptarët po largohen pasi në vendin tonë ka nivel të ulët të sigurisë publike. Por, ajo që të bën përshtypje është se janë larguar si emigrantë edhe qytetarët të cilët kanë qenë në kushte të mira ekonomike, dhe kjo vetëm për arsye të sigurisë.

“Shqipëria është përballur me flukse masive emigratore si pasojë e nivelit të ulët të sigurisë publike apo trazirave në vend. Një numër i madh i personave të kualifikuar, me kushtet të mira ekonomike, janë larguar nga vendi për një të ardhme më të sigurt për veten dhe familjen e tyre. Kjo dukuri ka ndodhur veçanërisht pas trazirave të vitit 1997, e cila u shoqërua me një valë tjetër largimi”, thekson raporti i Qeverisë.

INSTITUCIONET

Mungesa e besimit tek institucionet vendase, të cilat në raport cilësohen si të dobëta dhe që janë të paralizuara nga krimi i organizuar dhe korrupsioni, është një ndër faktorët që ndikon te shqiptarët që të ikin jashtë vendit. “Institucionet e dobëta çojnë në mungesën e besimit të qytetarëve për përmirësimin e situatës në vend, ku korrupsioni dhe krimi i organizuar paralizojnë funksionimin normal të institucioneve shtetërore.

Institucionet e dobëta dhe vështirësitë në zbatimin e ligjit gjithashtu ndikojnë në përpjekjet dhe perspektivat e emigrantëve për t’u kthyer dhe për t’u vendosur në vend, veçanërisht kur ata hasin vështirësi në ndërtimin e aktiviteteve private apo në marrëdhënie me administratën publike”, thekson strategjia e migracionit.

RIKTHIMI I “TRURIT”

Në strategjinë e qeverisë janë parashikuar dhe disa nga masat për të rikthyer të shkolluarit jashtë në Shqipëri. “Shqipëria do të përpiqet të arrijë marrëveshje me shtetet kryesore pritëse, si p.sh. Kanadaja dhe SHBA-të, mbi masat që synojnë nxitjen e kthimit vullnetar të emigrantëve. Emigrantëve të kualifikuar do t’u kërkohet të vijnë vullnetarisht në Shqipëri gjatë qëndrimeve të shkurtra për qëllime konsultimi, mësimdhënieje (p.sh. shkollat verore) apo trajnime.

Kësaj do t’i shërbejë dhe regjistrimi i të gjitha kapaciteteve intelektuale që ndodhen jashtë vendit. Përfaqësuesit e brezit të ri të talentuar do të tërhiqen drejt një karriere profesionale në vend, duke u ofruar atyre bursa për studime të mëtejshme jashtë, ose duke u krijuar mundësi të marrin pjesë në programe me shkëmbim eksperiencash me vendet e tjera, me detyrim për t’u rikthyer”, thuhet në strategjinë e Qeverisë.

FATION BINJAKU/PANORAMA

s s1 s2

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura