Dokumentet sekrete/ Si u zbulua e godit grupi “Bashkimi i çlirimit shqiptar anti-komunist”, i toger Koço Kondilit dhe Prel Sykut, nipit të “Tuç Makut”…

| 11:40
SHPËRNDAJE

pjimageDashnor Kaloçi/ Publikohet historia e panjohur e zbulimit dhe goditjes së të ashtuquajturit grupi “Bashkimi i çlirimit shqiptar anti-komunist”, i kryesuar nga toger Koço Kondili, me origjinë nga fshati Vidhkuq i Gjirokastrës. Në përbërje të tij ishin edhe Gjergj Simoni, Llesh Koleci, Prel Syku, Pjetër Toma, Ndue Shyti, dhe Ndrek Syku, nga Bregu i Matës, të cilët akuzoheshin se “kanë bërë pjesë në një grup armik, me funksione spiunazhi, të quajtur “Bashkimi i çlirimit shqiptar anti-komunist” të krijuar sipas udhëzimeve të UDB-së, titiste jugosllave, për interes të saj, dhe me detyra të drejtuara kundër pavarësisë së Republikës Popullore të Shqipërisë”.  Cilat ishin akuzat për secilin nga të akuzuarit e atij “grupi” çfarë qëndrimi mbajtën ata gjatë seancave gjyqësore dhe përse Kolegji i Gjykatës së Lartë i përbërë nga kryetari, Shuaip Panariti dhe anëtarët, Mustafa Qilimi dhe Loni Dimoshi dhanë dënimin kapital për toger, Koço Kondilin, i cili u ekzekutua sipas udhëzimeve të gjeneral-major, Mihallaq Ziçishtit…?!

“Nga studimi i materialeve të çështjes, rezulton plotësisht e provuar që të shtatë të pandehurit, Koço Kondili, Gjergj Simoni, Llesh Koleci, Prel Syku, Pjetër Toma, Ndue Shyti, dhe Ndrek Syku, kanë bërë pjesë në një grup armik, me funksione spiunazhi, të quajtur “Bashkimi i çlirimit shqiptar anti-komunist” të krijuar simbas udhëzimeve të UDB-së, titiste jugosllave, për interes të saj, dhe me detyra të drejtuara kundër pavarësisë së Republikës Popullore të Shqipërisë. Nga të pandehurit në udhëheqje ka qënë, Koço Kondili, Gjergj Simoni, dhe Ndue Shyti. Si përgjegjës, i të treve, rezulton që të ketë qënë Koço Kondili. Në grup, të tre të pandehurit e mësipërm, mbasi janë betuar që do t’i qëndrojnë besnik çështjes, dhe veprës, kanë filluar që të bisedojnë mbi formën organziative të rrjetit të tyre, dhe mbi detyrat konkrete që do të kryenin”. Kështu thuhet në mes të tjerash në një vendim gyqësor I përpiluar nga Kolegji I Gjykatës së Lartë të Republikës Popullore të Shqipërisë, që mban datën 2.II.1953, lidhur me gjykimin e një grupi prej shtatë të pandehurish, i akuzuar si organizata “Bashkimi i çlirimit shqiptar anti-komunist”, i kryesuar nga toger Koço Kondili, me origjinë nga fshati Vidhkuq i Gjirokastrës. Po çfarë ishte ky grup, kush ishin pjestarët e tjerë, për çfarë veprash akuzoheshin ata dhe cili ishte qëndrimi i tyre në gjyqin që u zhvillua në Tiranë në 9 janar të vitit 1953?

Lidhur me këtë, Memorie.al po publikon në dy numra radhazi një pjesë nga dosja gjyqsore që gjendet në Arkivin e Ministrisë së Punëve të Brendëshme në Tiranë, me vendimin e Kolegjit të Gjykatës së Lartë Ushtarake të kryesuar nga kryetari Shuaip Panariti, dhe anëtarëve, major Mustafa Qilimi dhe major Loni Dimoshi, të cilët në përfundim, e dënuan me vdekje, me pushkatim toger Koço Kondilin, ndërsa pjestarët e tjerë të këtij “grupi” që ishin nga Bregu i Matës në rrethin e Lezhës, me burgime të gjata.

REPUBLIKA POPULLORE E SHQIPËRISË                     V.F.L.P    

GJYKATA E LARTË

Kolegji Ushtarak

Nr. 22 Regj. Them.

Nr. 53 i vendimit

NË EMËR TË POPULLIT

Kolegji Ushtarak i Gjykatës së Lartë i përbërë prej Shuaip Panaritit, kryetar, major Mustafa Qilimi, dhe major Loni Dimoshi, antarë. Në mbledhjen e datës 2.2.1953, kanë dhënë këtë

VENDIM:

Për shqyrtim kryesisht, i kanë ardhur kësaj gjykate, aktet gjyqësore e të dënuarit me vdekje, KOÇO KONDILIT: përveç të dënuarve të tjerë, Gjergj Simoni, Llesh Koleci, Prel Syku, Pjetër Toma, Ndue Shyti, dhe Ndrek Syku, me vendimin nr 4. Datë 9.1.1953. të Gjykatës Ushtarake të Tiranës, dhe nga shqyrtimi i akteve, rezultojnë me këtë përmbajtje:

  1.  Koço Kondili, i biri i Thanasit, vjeç 35, nga katundi Vithkuq i rrethit të Gjirokastrës, me tre klasë unike, nënpunës, i martuar me një fëmijë, fshatar i varfër, i dënuar me 10 vjet burg në kohën e okupacionit, i arrestuar në datën 22.2.1952.
  2.  Gjergj Simoni, i biri i Gjergjit, vjeç 45, nga katundi Kryezi i Rrëshenit, dhe banues në katundin Ishull të Lezhës, ish përgjegjës i Librarisë Popullore në Lezhë, i martuar, me 5 fëmijë, fshatar i mesëm, i pa dënuar, pa parti, i arrestuar në datën 31.5.1952.
  3.  Llesh Koleci, i biri i Ndues, vjeç 26, banues në katundin Rrilë të Lezhës, me arsim fillor, bujk, fshatar i mesëm, i amrtuar, me dy fëmijë, i pa dënuar, i përjashtuar nga Partia, i arrestuar në datën 31.5.1952.
  4.  Ndue Shyti, i biri i Lekës, vjeç 39, banues në katundin Rrilë të Lezhës, analfabet, bujk, i martuar, me 5 fëmijë, fshatar i varfër, i pa dënuar, pa parti, i arrestuar 31.5.1952.
  5. Ndrek Syku, i biri i Markut, vjeç 33, lindur dhe banues në katundin Grykë të Lumit të Lezhës, me tre klasë fillore, shofer, i martuar, me një fëmijë, fshatar i mesëm, i pa dënuar, pa parti, i arrestuar në datën 1.9.1952.
  6.  Prel Syku, i biri i Kolës, vjeç 21, nga katundi Breg i Lumit, të Lezhës, me 5 klasë fillore, ushtar pranë Repartit Ushtarak Nr. 7710. Hyrë në rradhët e Ushtrisë Popullore, në nëndor 1951, beqar, fshatar i pasur, i pa dënuar, pa parti, i arrestuar në datën 24.5.1952.
  7.  Pjetër Kola, i biri i Tomit, vjeç 24, banues në katundin Tale të Lezhës, me tre klasë fillore, bujk, i martuar, me tre fëmijë, fshatar i mesëm, i pa dënuar, pa parti, arrestuar në datën 20.2.1952, nën akuzën se:

Që nga viti 1950, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë organizuar një grup kundër-rrevolucionar, të udhëhequr nga i pandehuri Koço Kondili, me emrin “Organizata Anti-komuniste” me qëllim, për të rrëzuar me dhunë, pushtetin popullor, kanë bërë agjitacion e propagandë kundër pushtetit, kanë dhënë informata me karakter politik, ekonomik, dhe kanë ndihmuar banda të armatosura kundër pushtetit, vepra të parashikuara në nenet 3, Nr.7, e 8, i Ligjit nr. 372, Datë 12.12.1946. dhe neni 72, e 225 i K.P.

Gjykata Ushtarake e Tiranës, në përfundim të gjykimit të zhvilluar, të pandehurit, i ka deklaruar fajtorë, për fajet e më sipërme, dhe në bazë të neneve 75, 64, e 72, të K.P. dhe nenit 10, të Ligjit Nr. 372, i ka ndërshkuar si vijon:

  •  Koço Kondilin, me vdekje, humbjen e të drejtës elektorale për jetë, dhe konfiskimit e pasurisë së luajtshme e të paluajtshme.
  • Gjergj Simonin, me 20 vjet burgim, humbjen e të drejtës elektorale për 5 vjet kohë, dhe konfiskimit e pasurisë së luajtshme e të paluajtshme.
  •  Llesh Kolecin, me 15 vjet burgim, humbjen e të drejtës elektorale për 3 vjet kohë, dhe konfiskimit e pasurisë së luajtshme e të paluajtshme.
  • Ndue Shytin, me 20 vjet burgim, humbjen e të drejtës elektorale për 5 vjet kohë, dhe konfiskimit e pasurisë së luajtshme e të paluajtshme.
  • Ndrek Sykun, me 5 vjet burgim.
  • Pjetër Tomën, me 10 vjet burgim, humbjen e të drejtës elektorale për 2 vjet kohë, dhe konfiskimit e pasurisë së luajtshme e të paluajtshme.
  •  Prelë Sykun, me 20 vjet burgim, humbjen e të drejtës elektorale për 15 vjet kohë, dhe konfiskimit e pasurisë së luajtshme e të paluajtshme.

Të pandehurit e mësipërm, me kërkesat e tyre ankimore, e stakojnë, vendimin e sipërm dhe parashtrojnë këto shkaqe:

I – KOCO KONDILI: a) Nuk rezultoj që të ketë qënë organziatori dhe kryetari i organizatës anti-komuniste, b) Nuk ekziston asnji provë direkte që i pandehuri Koço Kondili, të ketë pasur marrdhënie me agjenturat e spiunazhit të huaj, c) Nuk rezultoi që Koço Kondili të ketë ushtruar ndonjë aktivitet të gjerë kundra Pushtetit Popullor,ç) Në caktimin e dënimit, duhet marrë parasysh edhe personaliteti i të pandehurit Koço Kondili.

II  – GJERGJ SIMONI: a) Nuk është e vëretë që të kem bërë pjesë, e që të kem njoftë grupin “Anti-komunist”, b) Nuk kam bërë agjitacion e propagandë kundër Pushtetit Popullor, c) Për bijtë e Hasan Dostit, unë nuk kam mendue me i arratisë, ç) Diversantit Fran Kol Gjoka, i kam shkrue pak fjalë në një letër, me qëllim që ta njihja na afër e tia çoja Sigurimit, d) jam shtresë e varfër, dhe jo shtresë e mesme siç ka përcaktue gjykata.

III – LLESH KOLECI: a) Fletushka me përmbajtje fashiste, nuk më ka dhanë askush me i shpërnda, dhe nuk kam as më të voglën dijeni për gjana të tilla, b) Me Pjetër Kolecin, nuk kemi bisedue asnjiherë për sabotim ekonomik, c) Pjetër Koleci, çdo gjë kundra meje e ka shpifje, ç) Çdo gjë lindi, kur ky u përjashtue nga Partia, dhe në fundi armiku gjeti momentin me më gënjye.

IV – NDUE SHYTI: a) Faji i tradhëtisë ndaj Atdheut, shpërbën çdo krim tjetër që mund të kryej pjestari i një organizate, prandja duhet të jepet vetëm nji dënim i vetëm, e jo dy, b) Gjykata nuk ka marrë në konsiderim në shkallën e duhur, shkaqet lehtësuese, c) Nuk është e vërtetë që të kem nis njerëz në Jugosllavi, ç) Kam marrë angazhim për agjitacion e propagandë, e për me rekrutue njerëz, por qëkur u pendova, nuk kam bërë asnji aktivitet, d) mbasi jam i varfër, të rishikohet çështja e konfiskimit.

V-NDREK SYKAJ: a) Vepra që kam kryer, ka qënë më e pakta që mund të bëhej, për të më konsideruar pjesëmarrës sit ë arrestuarit e tjerë, b) Kam dhënë një gjysëm premtimi, dhe jam ritakuar vetëm një herë, disa ditë më vonë, c) Kam bërë gjithshka që ishte e mundur për tu larguar nga veprimtaria kriminale, përveç denoncimit, ç) Kam një të kaluar shumë të mirë.

Kolegji Ushtarak i Gjykatës së Lartë

Pasi dëgjoi referatin e major Mustafa Qilimit, në zhvillimin e gjyqit, me gradë të I-rë, dhe mbi të gjitha aktet që kanë lidhje me çështjen. Pasi mori njoftimin e Prokurorit të Përgjithshëm Nr. 46 Datë 27.1.1953. në të cilën, kërkohet ligjërimi i vendimit të atakuar. Pasid dëgjoi, bisedoi, dhe analizoi, gjërësisht çështjen.

Në formë: Rekurset janë paraqitur, brënda afatit. Çështja, shqyrtohet kryesisht edhe për të pandehurit Prel Syku e Pjetër Toma, megjithëse nuk kanë paraqitur rekurs, meqë kanë lidhje.

Në themel: Nga studimi i materialeve të çështjes, rezulton plotësisht e provuar që të shtatë të pandehurit, Koço Kondili, Gjergj Simoni, Llesh Koleci, Prel Syku, Pjetër Toma, Ndue Shyti, dhe Ndrek Syku, kanë bërë pjesë në një grup armik, me funksione spiunazhi, të quajtur “Bashkimi i çlirimit shqiptar anti-komunist” të krijuar simbas udhëzimeve të UDB-së, titiste jugosllave, për interes të saj, dhe me detyra të drejtuara kundër pavarësisë së Republikës Popullore të Shqipërisë. Nga të pandehurit në udhëheqje ka qënë, Koço Kondili, Gjergj Simoni, dhe Ndue Shyti. Si përgjegjës, i të treve, rezulton që të ketë qënë Koço Kondili. Në grup, të tre të pandehurit e mësipërm, mbasi janë betuar që do t’i qëndrojnë besnik çështjes, dhe veprës, kanë filluar që të bisedojnë mbi formën organziative të rrjetit të tyre, dhe mbi detyrat konkrete që do të kryenin. Me qëllim që të vështirësohej zbulimi, dhe të sigurohej sekreti, kanë vendosur, që me elementët që do të rekrutonin, secili antar i grupit, të mbante lidhje personale vertikale. Do të shtoheshin rradhët gjithnjë me elementë armiq të klasës kulake, ose të pakënaqur nga pushteti popullor. Elementët që do të rekrutoheshin në fillim, do të dorëzonin fotografitë personale të tyre, së bashku me nënshkrimin. Gjithashtu prapa fotografisë së tyre, ata, do të pranonin që të nënshkruanin se pranonin që të bëheshin antarë të grupit anti-komunist. Si akvitivet, grupi do të zhvillonte agjitacionin e propagandën si dhe, do të kryente sabotime në ekonominë socialiste. Do të grumbullonin informata me karakter politik dhe ekonomik për njerëzit e A.P. me pushtet në Parti e Sigurim, të cilat do tua jepnin padrones së tyre, UDB-së jugosllave. Si pasojë e këtyre vendimeve, të pjesës udhëheqëse të grupit, janë rekrutuar të 4 të pandehurit e tjerë, dhe të tjerët që sot ndodhen të arratisur si armiq, e diversantë, në shërbim të UDB-së, të cilët mbajnë me njëri-tjetrin lidhje vertikale. Nga të gjithë, përveç të pandehurit Ndrek Syku, është zhvilluar agjitacion e propagandë kundër popullit e shtetit, me anë të trakteve dhe gazetave, të sjellura në vëndin tonë, me anë të diversantësh nga trockizmi titist, janë krijuar lidhje dhe takime me të arratisur, janë grumbulluar informata me karakter, politik, ekonomik, dhe shoqëror, dhe këto i janë çuar UDB-së jugosllave.

I pandehuri Koço Kondili, ishte figura kryesore e grupit. Me gjithë konspiracionin e madh, gati të gjithë të pandehurit, dijnë se në krye qëndron i pandehuri Koço si element i predispozuar për punë armiqësore, dhe krijon rrethin e tij me element armiq dhe kulakë, të prekur nga reformat tona. Si Gjergj Simonin, Kol Preçin, Ndrek Kakariqin, dhe Gjok Nikollin, etj. Me këta, ai lidhi ngushtë punënë armiqësore dhe në jetën e tij, ai shpesh shkon si i ftuar në gostira nëpër shtëpitë e tyre. Por njëkohësisht ai, kryen edhe funksionet e punës së tij agjenturore. Bisedimet me këta dhe me të tjerë kundra Pushtetit Popullor. Nga njerëzit e rrethit të tij, nji pjesë ndodhet në burg, nji pjesë ndodhet në arrati si armiq dhe kriminelë, si dhe në shërbim të armiqve titistë jugosllavë të UDB-së.

Më vonë në vazhdim të punës së tij agjenturore, ka krijuar gjithë grupin që do të udhëhiqte punën me Gjergj Simonin dhe Ndue Shytin të cilët, pasi i ka betuar për besnikëri, i ka aktivizuar. Ka marrë kontakt me të arratisurin Gjok Nikolla nga i cili, ka marrë trakte për dhe udhëzime konkrete për aktivizimin e grupit. Ndërmjet elementëve të tjerë po armiq, ka marrë, lidhje dhe me diversantë që qarkullojnë në rrethin e Lezhës të dërguar nga UDB-ja. Veprimet e tij paraqesin, rrezikshmëri të theksuar. Në fakt ata, kanë dëmtuar rëndë interest e shtetit. Duke marrë parasysh edhe pozitën e të pandehurit në shoqëri si dhe gradën e tij, ata si tradhëtarë të popullit dhe atdheut, meritojnë dënimin më të pamëshirshëm.

I pandehuri me krimet e konsumuara, ka shkelur betimin ushtarak, dhe nga nji element i shëndoshë dhe i gatshëm për mbrojtjen e atdheut deri në gjakun e tij, është shndërruar në nji armik dhe tradhëtar, dhe nji vegël në duart e armiqve, më të tërbuar të kampit të paqes e të atdheut të tij, në duart e klikës titiste, duke punuar atje me ndërgjegje të plotë prej armiku. Shkaqet e rekursit të tij, nuk merren parasysh pasi nuk mbështeten në të drejtë. Veprimtaria e tij del e provuar në pohimet e tij direkte dhe indirekte. Në atribuimet e të tjerëve dhe veçanërisht të Ndue Shytit, me gjithë rrethanat e tjera të çështjes.

I pandehuri Gjerjg Simoni, ka qënë antar i grupit, ka rekrutuar me punë armiqësore Ndue Lekën (Shytin), të cilin e ka prezantuar me Koçon dhe e ka pranuar në grup. Ka zhvilluar aktivitet propagandistik kundër shtetit e popullit. Ka zhvilluar takime me diversantë si Frrok Kol Gjoka nga i cili, ka marrë nji letër, me anë të s cilës njoftohej se UDB-ja e kishte caktuar si komandant batalioni. U ka dhënë diversantëve, informata me karakter politik, ekonomik, dhe shoqëror. Në vazhdë të aktivitetit të tij, sin ë marrëveshje me të tretë, ndihmon që të nxjerri njerëz jashtë shtetit, të arratisur dhe diversantë, sidomos të dy djemtë e Hasan Dostit. Veprat e tij si më sipër, paraqesin rrezikshmëri, si dhe personaliteti i tij gjithashtu. Shkaqet e rekursit të tij nuk merren parasysh, mbasi nuk janë të drejta. Fajsia e tij del e provuar plotësisht. Pretendimi sesi bisedimet me diversantin Frrok Kol Gjoka, i ka bërë me qëllim që ta çojë në derë, organeve të Sigurimit të Shtetit, bien në kundërshtim em të gjitha materialet e çështjes. Aktiviteti i tij armqësor, është i madh, i shumëanshëm, dhe jo i një rasti të vetëm.

I pandehuri Llesh Koleci, është organizuar nga i pandehuri Ndue Leka, ndërsa vetë ai ka organziuar të pandehurin Prel Kol Sykun, të cilin, edhe e ka udhëzuar sesi të punojë. Ka propaganduar kundra fermave dhe kooperativave në fshat, dhe kundër planit të grumbullimit. Ka mbledhur, informata me karakter politik, ekonomik, dhe shoqëror, dhe ja ka dorëzuar Ndue Lekës. Pretendimi se Pjetër Koleci shpif, nuk është i drejtë, përkundrazi nxjerr në shesh se i pandehuri është konseguent në rrugën e tij armqësore. Deponimet e të pandehurit Prel, janë në pajtim dhe me armiqësi në të gjitha rrethanat e çështjes prandaj, nuk kanë pse të merren sit ë dyshimta dhe shpifje.

I pandehuri Ndue Shyti (Leka), ka bërë pjesë në grupin e Koço Kondilit e Gjergj Simonit. Është treguar aktiv në punë, dhe ka organizuar Llesh Ndue Kolecin, dhe e ka udhëzuar këtë të punojë për rekrutimin e të tjerëve. Ka mbledhur lista dhe karakteristika për A.P. të rrethit të Lezhës. Ka mbledhur informata për familjet e të internuarve dhe të arratisurve, ka zhvilluar aktivitet propagandistik kundra shtetit, ka shpërndarë dhe material propagandistik. Pretendimet në rekurs nuk merren parasysh pasi nuk mbështeten në të drejtë. Përsa i përket pretendimit se krimi i tradhëtisë, shpërbën çdo krim tjetër, edhe ky nuk është i drejtë për rastin konkret. Krimi i agjitacionit dhe propagandës nuk shpërbëhet nga krimi i tradhëtisë. Tradhëtia drejtohet kundër pavarësisë së atdheut, sigurisë së saj të jashtme, dhe fuqisë së saj ushtarake, ndërsa agjitacioni dhe propaganda, është një krim që drejtohet kundër pushtetit popullor për ta minuar ose dobësuar atë. Kështu që vendimi i gjykatës së faktit, është i drejtë. Vendimi i Kolegjit Ushtarak të Gjykatës së Lartë në buletinin nr 5, nuk bën fjalë për agjitacionin dhe propagandën, por për dhënien e informatave në lidhje me bashkëpunimin.

I pandehuri Ndrek Syku: Ka pranuar që të bëjë pjes ënë grupin armik, me gjithëse nuk ka treguar ndonji aktivitet armiqësor. Kështu si figurë krimi, kemi vetëm atë të pranimit për bërjen pjesë në një organizatë kundër-rrevolucionare. Në caktimin e masës së dënimit, gjykata e faktit, ka parasysh gjithë rrethanat lehtësuese të të pandehurit, dhe ka aplikuar dënimin konform rrezikshmërisë së tij. Edhe pretendimet e tij për zbutje dënimi, nuk është i drejtë. I pandehuri ka pranuar që të bëjë pjesë në grupin agjenturor, duke i mësuar që përpara qëllimet e tij, por nuk ka treguar asnjilloj aktiviteti. Sidoqoftë figura e krimit të pranimit për të qënë pjesë, qëndron. Nga këto rrethana, konkludohet se Gjykata e Faktit, ka përcaktuar drejt veprimet kriminale të të pandehurve. Individualizmi i dënimeve gjithashtu konsiderohet i drejtë. I pandehuri Koço Kondili, që është kryesori në grup, është më aktivi dhe i vendosuri për punën armiqësore, meriton dënimin e pamëshirshëm kapital. Krimet e të pandehurve parashikohen dhe ndërshkohen: Ai i formës së bashkëpunimit nga neni 75 i K.P., ai i tradhëtisë ndaj atdheut që parashikohet nga neni 64 i K.P., por, meqënëse gjatë kohës së kryerjes së krimit, kanë qënë dispozita të tjera të cilat, janë më të favorshme për të pandehurin. Në bazë të nenit 62 të K.P. aplikon, si dispozitë dënimi nenin 4 paragrafi 1 dhe nenin 10 të ligjit nr 372 dt 12.12.1946, ai i agjitacionit dhe propagandës, parashikohet dhe ndëshkohet nga neni 72 K.P. Për këto arsye, Kolegji Ushtarak i Gjykatës së Lartë, duke parë dhe nenin 19 urdhërues të Ministrit të Drejtësisë mbi disa gërma proçeduriale, vendosi: Ligjërimin e vendimit Nr. 4 të dt 9.1.1953. të Gjykatës Ushtarake Tiranë që përmban dënimet e të pandehurve si vijon:

  1.  E deklaron fajtor të pandehurin KOÇO KONDILI, për krimin e tradhëtisë ndaj atdheut, të parashikuar nga neni 64 i K.P. dhe në bazë të nenit 4 të paragrafit të I-rë, dhe të nenit të 10 të ligjit Nr. 372, dt 12.12.1946., e dënon me VDEKJE me pushkatim, e deklaron fajtor për krimin e agjitacionit dhe propagandës, dhe në bazë të nenit 72 të K.P. e dënon me 10 vjet burg.

Përfundimisht në bazë të nenit 48 të K.P. që bën bashkimin e krimeve, dhe e dënon me VDEKJE, PUSHKATIM, humbjen e të drejtave elektorale përjetë, dhe konfiskimin e pasurisë së luajtshme dhe të paluajtshme. Në bazë të nenit 34 të K.P. dhe nenit 27 pika (b) të K.P. heqjen e gradës dhe të dekoratave./Memorie.al

20200303_225509 20200303_225527 gjyqi-i-maliqit-trupi-gj IMG-20200303-WA0001 IMG-20200303-WA0002 IMG-20200303-WA0003 IMG-20200303-WA0004 IMG-20200303-WA0005 IMG-20200303-WA0006 IMG-20200303-WA0008 IMG-20200303-WA0010 IMG-20200303-WA0012-1 Kulla-e-Sykut

Te lidhura

Subscribe

      
             

Për t’u bërë pjesë e grupit të "Panorama" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI PANORAMA ONLINE: https://facebook.com/groups/panoramaonline/

S'KA KOMENTE

Comments are closed.