Do shpëtonte mallin, ja tregtari i mbytur në vendin e ‘mallkuar’ në Laç

Oct 11, 2016 | 16:38
SHPËRNDAJE

Viktima e përmbytjeve në Laç është një tregtar që kishte aktivitetin e tij në tregun e qytetit. Ai është Kol Menga, 48-vjeçar, i cili u gjet pa jetë në kanal, i mbytur.

Viktima Kol Mengri
Viktima Kol Menga

 

Burime për “Panorama” bëjnë me dije se tregtari u nis mbrëmë vonë të shpëtonte mallin e tij në dyqanin në treg, i cili ishte përfshirë nga uji pas reshjeve të shumta.

Ai shiste rroba në treg dhe në ankth për mallin po tentonte ta shpëtonte, por uji e ka marrë me vete, duke e cuar në kanal, ku edhe u gjet i mbytur.

“Me datë 10.10.2016, rreth orës 23:40, si pasojë e reshjeve të dendura të shiut, në vendin e quajtur “Kodra e Bushit” në Laç, në një kanal ka gjetur vdekjen shtetasi Kol Menga, rreth 48 vjeç, banues në Laç – Kurbin”- njofton policia.

Sipas saj, nga kryerja e veprimeve hetimore rezulton se ngjarja ka ndodhur në mënyrë aksidentale si pasojë e mbytjes në ujë.

Kujtojmë se vendi ku u mbyt tregtari ka përpirë edhe të tjerë njerëz. Pikërisht në këtë vend, pak kohë më parë mbeti i mbytur një mësues se bashku me vajzën e tij.

Në këtë situatë të krijuar nga reshjet e dendura të shiut, në Laç, janë angazhuar forcat policore të Komisariatit të Policisë Kurbin në bashkëpunim me grupe të FNSH-së Shkodër me qëllim ndihmën në evakuimin e banorëve si dhe në çdo rast tjetër në nevojë.

Banorët i ka përfshirë paniku, pasi disa familje janë detyruar të lënë banesat për shkak se uji u ka depërtuar deri brenda.

Nga të dhënat e para rezultojnë se paku 50 banesa të përmbytura, ndërkohë që situata vijon të përkeqësohet.

Situata dhe masat pas përmbytjeve në zonën e Kurbinit, Dibrës e Mirditës

kurbin permbytje

Rreshjet intensive të rëna kryesisht në orët e pasdites së djeshme kanë shkaktuar përmbytje në zonën e Kurbinit. Një shtetas ka humbur jetën aksidentalisht, si dhe ka patur dëme në banesa, bagëti dhe prodhime bujqësore.

Në ndihmë të banorëve të prekur nga reshjet kanë shkuar strukturat e Emergjecave Civile, forca zjarrfikësve, policore, ushtrake dhe të njësive vendore.

Në operacionin në zonën e Laçit janë angazhuar 152 punonjës, 30 mjete dhe 10 motobarka:

• 12 punonjës të strukturave të Emergjencave

• 20 forca të FNSH, Shkodër

• 30 forca zjarrfikëse të Laçit, Lezhës, Mirditës

• 60 forca ushtarake

• 30 forca të Policisë lokale.

Bashkia Kurbin. Si pasojë e rritjes së prurjeve të përroit, pati dalje të ujërave nga shtrati. Dje rreth orës 19:00 pati stuhi me intesitet shumë të lartë duke u krijuar gjendje kritike për banorët e qytetit, kryesisht në lagjen nr.4, tek Konviktet dhe përgjatë unazës së qytetit.

Për shkak të reshjeve intensive dhe daljes së ujrave të përroit shtetasi Kol Mënga, 48 vjeç ka humbur jetën duke u përfshirë nga rryma e fuqishme e ujit.

Forcat e MZSH-së, në bashkëpunim me forcat e ndërmarrjeve të Bashkisë Kurbin, u gjendën të parat në vendngjarje dhe dhanë ndihmën për evakuimin e banorëve të zonës, si dhe largimin e ujrave nga banesat.

lac permbytje

U ngrit Komisioni i Emergjencave Civile të Bashkisë dhe u organizua puna për përballimin e emergjencës së krijuar.

Për pasojë janë përmbytur 30 banesa në zonën e stadiumit, 20 banesa të lagjen “Demokracia”, si dhe disa banesa në lagjen Sanxhak.

Në oborret e banesave poshtë kanalit të ujrave të larta ka pasur prezencë uji, kurse në tokat bujqësore ka dëme të kulturave bujqësore të stinës.

Në Shullaz dhe në Malbardhë, në Njësinë Administrative Milot, situata ka qënë më e vështirë sepse dalja e ujrave të përroit ka sjellë përmbytjen e rreth 50 banesave.

Në afërsi të autostradës me ndihmën e forcave të policisë janë evakuar 6 familje, më të rrezikuarat.

Në fshatin Delbënisht janë dëmtuar segmente të rrugës kryesore, duke ndërprerë lëvizjen e mjeteve.

Edhe në këtë Njësi Administrative forcat e ushtrisë dhe të policisë janë angazhuar intensivisht për të ndihmuar komunitetin dhe largimin e ujërave nga banesat.

Në të gjithë qarkun e Lezhës hidrovoret po punojnë me kapacitet të plotë dhe nuk ka patur ndërprerje të energjisë elektrike.

Bashkia Mirditë. Në fshatin Lurth, për shkak të reshjeve intensive ka patur dëmtime të banesave, në bagëti dhe në prodhime bujqësore. Janë evakuuar 2 familje, por niveli i ujrave më pas ka rënë.

Qarku Dibër. Në Njësinë administrative Komsi, bashkia Mat, për shkak të reshjeve intensive ka ndodhur një rrëshqitje dheu duke dëmtuar një banesë.

Gjithashtu, në këtë njësi për shkak të daljes së ujrave të përroit nga shtrati ka patur edhe në zonën përreth Uzinës rrezikim të banesave. Bashkia Mat ka avakuuar vetëm 1 familje.

Drejtori i Përgjithshëm i Emergjencave Civile Shemsi Prençi gjatë gjithë natës dhe sot ka monitoruar situatën e krijuar duke koordinuar veprimet e forcave operacionale.

Situata ditën e sotme është drejt përmirësimit për shkak të ndërprerjes së reshjeve intensive dhe masave të marra.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura