Djali i Sul Bushatit propozon dhëndrin e Lenka Çukos për ambasador

Feb 9, 2015 | 12:08
SHPËRNDAJE

Ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, propozon dhëndrin e ishanëtares së Byrosë Politike të PPSH, Leka Çuko për ambasador në Shtetin e Izraelit.

Ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati. Majtas, ish-anëtarja e Byrosë së PPSH,
Lenka Çuko

“Panorama” shkruan sot se propozimi për Bardhyl Canin ka mbërritur në Presidencë dhe në Kuvend nga Kryeministri Rama, ndërsa ende nuk ka një qëndrim nga kreu i shtetit për këtë kandidaturë. Nuk dihet nëse ministri i Jashtëm Bushati, (djali i kreut te komitetit ekzekutit te Shkodres ne kohen e komunizmit), në këtë përzgjedhje është ndikuar më shumë nga prejardhja politike e Canit, apo nga aftësitë e tij diplomatike.

Cani është dhëndri i ish-anëtares së Byrosë Politike, Lenka Çuko, e cila gjatë viteve të fundit në udhëheqjen komuniste është marrë me çështjet e kuadrit ose burimeve njerëzore (siç njihet sot) të administratës shtetërore.

Por gjithashtu, Bardhyl Cani është djali i Nimet Canit, kandidat i Komitetit Qendror të Partisë së Punës. Mësohet se Bardhyl Cani punon në Ambasadën izraelite në Tiranë, ndërsa është propozuar për të përfaqësuar interesat e shtetit shqiptar në Izrael.

Cani do të zëvendësojë Bujar Skëndon, i cili u lirua nga detyra e ambasadorit të jashtëzakonshëm dhe fuqiplotë të Republikës së Shqipërisë në Shtetin e Izraelit më 10 shkurt 2014. Cani ka disa vite që punon në Ministrinë e Jashtme, ndërsa ky është emërimi i parë në një përfaqësi diplomatike.

Ai ka qenë këshilltar i jashtëm i ish-ministrit të Jashtëm Paskal Milo në vitet 1997-2001. Ka pasur disa lëvizje në diplomacinë shqiptare muajt e fundit, background-i i të cilave lidhet ngushtë me ish-nomenklaturën e lartë të shtetit komunist para viteve ’90, ndërsa nuk është shmangur ende debati për kthimin në Shqipëri dhe lirimin e disa ambasadorëve në detyrë, si ai në OSBE, Spiro Koçi, apo ambasadori ynë në Romë, Neritan Ceka.

KANDIDATËT
Ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, ka propozuar këshilltaren e tij, Ravesa Lleshi, për ambasadore të Shqipërisë në Misionin e OSBE-së në Vjenë.

Ravesa është e bija e Ismail Lleshit, ish-ministrit socialist të Mbrojtjes, nip i Haxhi Lleshit. Një tjetër emër që bie në sy në propozimet e fundit të ministrit Bushati është edhe ai i Fatos Rekës, i cili propozohet për ambasador i Republikës së Shqipërisë në Maqedoni.

Reka është djali i Iljaz Rekës, ish-kryetar i Komitetit Ekzekutiv të rrethit të Durrësit gjatë kohës sistemit komunist. Kreu i shtetit është shprehur se nuk do të dekretojë emrat e rinj për ambasadorë, sepse mes tij dhe Kryeministrit Rama ka munguar komunikimi dhe konsultimi i nevojshëm.

Ndërkaq, Bardhyl Cani dhe Fatos Reka do të jenë sot në Komisionin parlamentar për Politikën e Jashtme, në një seancë dëgjimore para deputetëve të këtij komisioni. Qeveria, në një projektligj të paraqitur në Kuvend, synon të marrë më shumë kompetenca në duart e saj sa i takon emërimit të ambasadorëve, duke ngushtuar peshën e Presidentit dhe Kuvendit.

Projektligji i ri heq kufirin e 20% të ambasadorëve që mund të vijnë nga politika. Tani nuk ka më kufi, e gjithë trupa e ambasadorëve mund të vijë nga politika. Me ligjin e ri për shërbimin e jashtëm, i cili është për diskutim në Kuvend, Presidentit të Republikës i caktohen 30 ditë për të dekretuar kandidatët për ambasadorë, ndërkohë që me ligjin aktual nuk ka një afat të përcaktuar.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura