Disidenca në letërsinë shqipe nga Trebeshina te Kadare

| 14:50
SHPËRNDAJE

George Steiner ka thënë se kryeveprat letrare lindin nga shtypjet që bëhen nga regjimet e egra si komunizmi. Philip Roth, duke ironizuar Steiner-in, shprehet: “Diktatura nuk krijon kryevepra, ajo nxit sulme në zemër, pezmatim të lëkurës, astme, krijon alkoolistë, depresion, dështim, si dhe sëmundje mendore”.

Ismail Kadare

Aristoteli do ta kërkonte të vërtetën mes këtyre dy skajeve, pasi që, natyrisht, do të ishte më normale të besohej që meritore për krijimin e kryeveprave nuk ishte diktatura shtypëse, por talenti që nuk mund të shtypej.

KOMUNIZMI
Një ndër sistemet politike më të tmerrshme konsiderohet komunizmi, i cili nëpërmjet revolucionit rrafshoi gjithçka për të vendosur barazinë mes njerëzve. Por, si çdo utopi, edhe komunizmi për idealistët ishte zhgënjyes në mënyrë tragjike. Nisi në teori me Marksin, kaloi në praktikë me Leninin, kulmoi me Stalinin, por nuk përfundoi me të. Edhe pse jo në të gjitha kontinentet, vala e revolucionit të vitit 1989 në Europë e shembi sistemin komunist.

Në letërsi, komunizmi solli atë që sot njihet si metodë e realizmit socialist, e cila për artin dhe letërsinë ishte vdekjeprurëse. Në të gjitha vendet komuniste, ajo u shpall metodë obligative, kurse në Jugosllavi në vitet ’50 u la si metodë alternative. Sigurisht, jo të gjithë u pajtuan me sistemin politik komunist dhe me metodën letrare socrealiste. Ata që s’u pajtuan, njihen si disidentë. Si term, disidenti është përdorur që në shekullin XVI në kontekst religjioz, kurse kuptimin e sotëm e ka marrë në vitet ’40 të shekullit njëzet, kur u konsolidua sistemi totalitar komunist. Disa nga disidentët më të njohur janë: Boris Pasternak, Aleksandër Sollzhenicin, Josif Brodski, Danillo Kish, Vaclav Havel, Herta Myller etj., të cilët në forma të ndryshme e kundërshtuan komunizmin, të vetëdijshëm për pasojat që mund të kishte disidenca e tyre.

Shkrimtari Kasem Trebeshina

Në Rusi, forma e vetme e qarkullimit të letërsisë disidente ishte “samizdati” (vetëpublikimi), që nuk kalonte nëpër redakturë e censurë. Këtë praktikë të qarkullimit të librit më së miri e ka shprehur Vladimir Bukovski, i cili ka thënë për librin e vetëpublikuar: “Vetë e krijoj, vetë e botoj, vetë e censuroj, vetë e publikoj, vetë e shpërndaj dhe vetë e vuaj burgun”. Për të qenë disident nuk ka mjaftuar talenti, është nevojitur patjetër edhe guximi. Tirania është parë nga disidentët si një formë e testimit të ndërgjegjes së tyre. Disidentët edhe kur e kanë ditur që disidenca nuk është doemos vlerë letrare, gjithmonë e kanë kuptuar atë si vlerë morale e intelektuale.

DISIDENCA E VONUAR SHQIPTARE
Letërsia shqipe e ka njohur komunizmin, por jo edhe disidencën. Në Kosovë nuk mund të kërkohej disidencë letrare, sepse socrealizmi nuk ishte i detyrueshëm, ani se kishte edhe shkrimtarë si Hivzi Sulejmani që ishin socrealistë vullnetarë. Ndërsa, në Shqipëri, ku komunizmi dhe socrealizmi po e shkatërronin jetën sociale dhe shpirtërore, të qenët disident ishte heroizëm. Por, a kishte hero të tillë letërsia shqipe?

Debatet mbi disidencën letrare në Shqipëri zakonisht ndalen te dy emra: Kasëm Trebeshina dhe Bilal Xhaferri, emrat e të cilëve kryqëzohen vazhdimisht me një të tretë që quhet Ismail Kadare, i cili nga disa shihet si përfaqësues i socrealizmit, nga disa të tjerë si disident, epitet të cilin ai vetë e ka refuzuar. Pretendenti numër një për disident është Kasëm Trebeshina, jo për shkak të veprës, por për shkak të letrës “Promemorie”, drejtuar Enver Hoxhës, ku cakton diagnoza dhe jep prognoza shumë të sakta për letërsinë shqipe të periudhës së komunizmit.

Kjo letër trajton, siç e thotë autori i saj, dy probleme: problemin në shfaqjen e tij ideologjike dhe problemin në shfaqjen e tij politike. Te problemi i parë kundërshtohet sintagma “realizëm socialist”: “Të gjithë këtu në Lidhje, në harmoni edhe me ata përfaqë- sues tuaj, që sollën këtu porosinë tuaj, këndojnë në mënyrë të përsëritur një himn për një realizëm të quajtur ‘socialist’. Pa qenë nevoja të jesh shumë i zgjuar, këtu arrin në përfundimin e pashmangshëm se, ose ekziston një ‘realizëm’ ose, që prej momentit që ai ka nevojë t’i vihet një bisht, ai pushon së ekzistuari.

Realizmi ose është realizëm, ose nuk është fare i tillë! Që këtej del se kjo rrymë letrare, që në fillim të saj, niset shtrembër dhe kuptohet se çfarë gjëje e përbindshme do të dalë më tej”. Pastaj, pas sintagmës, kalon te karakteri regresiv i metodës së realizmit socialist: “Le të shikojmë konkretisht ç’përmbajnë veprat letrare të realizmit socialist, qoftë edhe ato më të mirat. Një inxhinier i mirë, një inxhinier i keq dhe një i gabuar që ndreqet!… Një fshatar i mirë, një i keq dhe një që ndreqet!… e kështu me radhë. Një i mirë, një i keq dhe një që ndreqet!… Komunistët janë gjithmonë heronj të situatave, ata vijnë në faqet vetëm për të na recituar monologë me përmbajtje heroike!”

Ndërsa, në pjesën e dytë letra ruan kritikën përgjithësuese dhe profetizuese: “njerëzit do të humbasin besimin te shteti dhe te udhëheqja, do të mbyllen në veten e tyre dhe, që të bëhet i mundshëm sundimi mbi ta, do të lindë nevoja për të krijuar një shtet të ashpër policor… ju do të detyroheni të vrisni njëri-tjetrin dhe populli do të mbytet në gjak”. Kjo “Promemorie”, që në fund mban datën 5 tetor 1953, është letër tipike disidente. Pra, ajo shfaq një projekt disident jo vetëm kundër metodës letrare, por edhe kundër sistemit politik. Gjithçka në “Promemorie” është trajtuar drejt, por ajo ka vetëm një të metë: nuk është e vërtetë. E publikuar për herë të parë pas rënies së komunizmit, ajo është parë si letër e dyshimtë, si letër e shkruar me të vetmin qëllim për të eliminuar konformistin Kadare nga kandidatura e “Nobelit” dhe për ta grabitur atë çmim “disidenti” Trebeshina, vepra e të cilit shënon “progres” drejt viteve ’30 të shekullit të njëzetë.

Edhe Bilal Xhaferri është kandidat për disident, por kandidaturën e tij nuk e ka caktuar vetë, por ia kanë shpallur studiuesit, të cilët me studimet e tyre rreth çështjes Kadare-Xhaferri vazhdimisht janë munduar të zgjojnë mëshirë për “viktimën” Xhaferri dhe urrejtje për “xhelatin” Kadare, pasi që romani “Dasma” i Kadaresë u bë shkaktar për internimin e Xhaferrit, i cili, sipas diskursit dëshiror të këtyre kritikëve, ishte: disident, univers, shkrimtar postmodern etj., pavarësisht se ai kishte shkruar poezi për komunizmin, pavarësisht se ishte “univers” që mund të futej brenda një vëllimi dhe pavarësisht se talenti i tij në prozë shkonte deri te realizmi, kurse në poezi nuk shkon përtej romantizmit.

Që në fillim duhet pasur parasysh që kjo nuk ishte përplasje titanësh, por përplasje në një titan, pasi Kadare nuk u mor me atë që u përplas në të dhe që u dëmtua jo pak. Derisa në poezi, Kadare herë i afrohej socrealizmit e herë i largohej, në prozë kishte marrë edhe kritika serioze për shkak se kishte “harruar” të përmendte Partinë Komuniste dhe liderin e saj në romanin “Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur” (1963) dhe kishte botuar në revistën “Nëntori” një novelë të ashtuquajtur dekadente me titullin “Përbindëshi” (1965), që nuk u lejua të botohej si libër. Ndërsa Bilal Xhaferri nuk kishte shfaqur asnjëherë elemente dekadente, aq më pak disidente. Ai kishte botuar vetëm një libër me tregime dhe një libër me poezi, ku gjendeshin edhe poezi prokomuniste.

Pra, për nga niveli artistik, këta dy shkrimtarë nuk mund të mateshin. Megjithatë, në vitin 1967 vendosën të garojnë në konkursin letrar për 500- vjetorin e vdekjes së Skënderbeut. Bilal Xhaferri shkroi romanin “Krastakraus”, kurse Kadare “Kështjellën”. Fitoi “Kështjella”, natyrisht. Mirë- po, kur ende dy romanet e konkursit ndodheshin në dorëshkrim, në vitin 1968 Kadare botoi romanin “Dasma”, të cilin “rivali i konkursit” ia kritikoi ashpër, jo pse ishte roman me tezë, sepse përgatitja profesionale e Bilal Xhaferrit ishte shumë modeste që ta nuhaste një gjë të tillë (ai kishte kryer vetëm shkollën shtatëvjeçare natën), por sepse, sipas tij, “Dasma” ishte roman që “ul femrën shqiptare”, ishte “roman revizionist”, prandaj “i dështuar”. Këto epitete që Xhaferri i nxirrte me mllef, disa studiues të veprës së tij i marrin si disidencë të pastër.

Por, të sulmoje tjetrin për revizionizëm në kohën e komunizmit, do të thoshte të mundoheshe t’i hyje në qejf Partisë, pasi me fjalën “revizionist” etiketoheshin tradhtarët e doktrinës komuniste. Pra, Bilal Xhaferri e mbronte komunizmin nga revizionisti Kadare dhe për këtë sot shpallet disident. Ky është kulmi i paradoksit. Pas kritikës që i bëri Xhaferri Kadaresë, e pë- soi sulmuesi, jo i sulmuari. Pse? Sepse akuza ishte thjesht shprehje e një mllefi (të nxitur mbase nga një inat personal pas humbjes në konkurs), kurse mënyra e artikulimit të mllefit ishte shqetësuese për debatet e hapura në Lidhjen e Shkrimtarëve dhe cerberët e Partisë nuk do të lejonin që këtë turbullirë ta sillte një njeri “me njolla në biografi”, sado komunist i flaktë të ishte ai, sado i kuq të ishte ai, sado i fiksuar pas të kuqes (“Lirishta e kuqe”, “Purpuranti”). Ndryshe, një pyetje mund ta sqarojë gjithë “disidencën” e Bilal Xhaferrit: pasi iku nga Shqipëria dhe u vendos në Amerikë, pse nuk veproi si disident?

Ai jetoi atje deri një vit pas vdekjes së Enver Hoxhës dhe nuk shkrepi asnjë fishekzjarr disident për ta njoftuar botën mbi atë që po ndodhte në Shqipërinë komuniste. Ai pati fatin të dilte nga ferri dhe nuk ngriti zërin për të dëshmuar për krimet. Po të përdornim logjikën e një shkrimtari frëng, kjo heshtje e tij do të mjaftonte për ta cilësuar “bashkëfajtor” për tmerrin në Shqipëri. Të dy kandidatët për postin e disidentit janë etiketuar si disidentë jo për veprën, por për një letër kinse të shkruar në vitet ’50, përkatësisht për një “debat” të bërë në vitet ’60, ku “disidenti” mbronte komunizmin nga konformisti revizionist. Ndryshe nga dy “disidentët”, Ismail Kadare, edhe pse nuk e ka pranuar asnjëherë rolin e disidentit, edhe pse e ka thënë disa herë që në Shqipëri ishte e pamundshme disidenca, nga Arshi Pipa është cilësuar si disident (me “Gjeneralin e Ushtrisë së Vdekur” dhe “Kronikë në gur”) që shkon drejt konformizmit (me “Dimrin e vetmisë së madhe”).

Por, kur dihet që Kadare shkroi romane edhe dy dekada pas rënies së komunizmit, në krijimtarinë totale të tij disidenca nuk do të mund të ishte virtyt shpëtimtar, as konformizmi – ves shkatërrimtar. Sidoqoftë, kur flasim për letërsinë shqipe të periudhës së komunizmit, flasim për dështimin moral të kësaj letërsie. Letërsia shqipe bëhet antikomuniste pasi vdes diktatori dhe pasi bie komunizmi. Është lehtë ta godasësh një kufomë, por asnjë ligj në botë nuk e miraton një akt të tillë. Prandaj, letërsia shqipe sot, pos disa akteve qesharake, ka edhe diçka morbide brenda.

Për t’u liruar nga morbiditeti dhe donkishotizmi, duhet ta kuptojmë që nuk mund të krijojmë “disidentë” vetëm pse duam ta kemi një të tillë. Letërsia shqipe nuk e ka njohur disidencën dhe ne duhet ta kuptojmë si të tillë, pa pasur nevojë të shpikim disidentë në demokraci.

Ag APOLLONI 

Titulli origjinal: Disidenca e Don Kishotit

Te lidhura


Subscribe

      
             

Për t’u bërë pjesë e grupit të "Panorama" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI PANORAMA ONLINE: https://facebook.com/groups/panoramaonline/

 

2 KOMENTET

Comments are closed.