Dasma e Fatos Nanos, dalin foto të reja. Çfarë thotë fotografi personal

Aug 30, 2015 | 8:10
SHPËRNDAJE

Dalin fotografitë nga dasma e ish-kryeministrit Fatos Nano me bashkëshorten e tij Xhoana, pas divorcit nga martesa e parë me Rexhina Nanon.

Ka qenë ish-fotografi zyrtar i Protokollit të Shtetit, Meksi Xhufka, tashmë në pension, i cili ka treguar nga arkivat e tij dy foto nga darka e martesës, në datën 8-9 nëntor 2002, që u zhvillua në Golem të Durrësit. Ai i ka publikuar ato në Facebook-un e tij personal dhe, tejet nostalgjik, i shoqëron fotografitë me disa detaje nga dasma.
nano-xhoana-agim-isaku22
“Dëshiroj të pasqyroj një kujtim të paharruar me zonjën e dashur dhe të thjeshtë, bashkëshorten e Kryeministrit tim, Fatos Nano.

Ja rrëfimi mbi martesën e tij…
Nano më thërret në zyrën e tij, duke më thënë: Meks, do të të aktivizoj në martesën time, me një kusht: harxhimet ekonomike në blerje filmash dhe bërjen e albumit me fotot e dasmës do t’i shlyej unë. Nano në moment thirri bodigardin, i dha një shumë të hollash nga xhepi i tij, duke e porositur që shkoni me Meksin dhe blini ato që i duhen për të fotografuar dasmen time. Me bodigardin shkuam të dyqani ‘Photo-Kumi’, atje blemë filmat, bateri, aty bëmë dhe stampimin e fotove në vendosje albumi. Nano bëri takime kokteji me popullin mbarë, me trupën diplomatike, bëri meshën e bashkimit në kishën të Rruga e Kavajës, në Durrës bëri darkën e martesës, me të ftuar shokë dhe miq.
Xhoana, pavarësisht se u lodh shumë nga aktiviteti i dasmës, por vazhdimisht fytyra e saj rrinte gjithmonë e dashur dhe e qeshur. Pasi mbaroi darka në Durrës, Xhoana na thotë: Hajdeni të bëjmë një kujtim me grupin e artit. Ja edhe fotoja me nusen e re, zonjën e thjeshtë, Xhoana Nano”, shkruan Meksi Xhufka, teksa publikon fotografinë, ku është së bashku me Xhoana Nanon.
xhoana-nano-dasme666
Ajo ka veshur një fustan të gjatë ngjyrë pjepri, ndërsa qafën e ka të zbukuruar me një gjerdan të artë, i zbukuruar me gurë të çmuar. Siç mësohet nga Xhufka, Xhoana ka veshur fustan të bardhë vetëm për ceremoninë kishtare, ndërsa në darkën private në Durrës ka mbajtur më së shumti fustanin e zi.

Duke e publikuar pikërisht fotografinë e Xhoanës me këtë fustan të zi, ishfotografi i Protokollit të Shtetit tregon një tjetër histori të shkurtër nga ajo kohë. Sipas tij, pavarësisht dasmës, Fatos Nano ishte i impenjuar për punët qeveritare, edhe pse këto ia ka marrë përsipër tjetërkush.

“Pavarësisht se po i afrohej dita e ceremonisë së martesës, ky (Fatos Nano) mendjen e kishte tek inagurimet e reja të fabrikave, pasi ato do të punësonin shumë të rinj e të reja. ‘Të avancohen punimet, të bëhet inagurimi’, -u thoshte ai grupit të projektuesve.

Shefi i kabinetit, Agim Isaku, i thotë Nanos: ‘Shef, këto punë do të bëhen në kohën e caktuar. Kur do pushosh, po afron ceremonia e dasmës’. Nano në atë moment i përgjigjet Agimit: ‘Të bëhet siç e ke planifikuar ti’. Kështu u bë. Paradite shkuam në ceremoninë e meshës. Aty Nano i vendosi Xhoanës kurorën e artë në kokë. Çifti Nano-Xhoana u celebruan në vendin e shenjtë. Aty, Nano puthi në ballë Xhoanën. Në këtë foto jemi në darkën e martesës në Durrës. Dhe atë natë, në tavolinë, Nano bisedonte më pak për dasmën, vëmendjen e kishte tek ecuria e punëve drejtuese si Kryeministër i Shqipërisë. Unë sa bëra foton, u largova për në tavolinat e të ftuarve të tjerë”, kujton Meksi Xhufka, tejet nostalgjik, jo vetëm për këtë dasmë, por edhe për Nanon në përgjithësi si Kryeministër.

MARTESA, 13 VITE MË PARË

Fatos Nano 60 vjeç dhe bashkëshortja, Xhoana, 39 vjeçe, u kurorëzuan 13 vjet më parë, më 9 nëntor 2002. Nano ishte divorcuar nga ish-bashkëshortja e tij, Rexhina, në 2001-shin, pas një martese që zgjati 27 vjet dhe fryt i saj qenë dy fëmijë, që tashmë edhe ata kanë familjet e tyre. Kryeministri, atëherë 50 vjeç, u martua sërish, me një ceremoni në Kishën Ortodokse të Tiranës me Xhoanën, që ishte 29 vjeçe. Festimet nisën të shtunën e 8 nëntorit 2002, me një mbrëmje në një PUB në periferi të kryeqytetit, ku ishin të ftuar 300 dasmorë, mes të cilëve 140 deputetë, njerëz të biznesit, mediave dhe artit. Pas lidhjes në martesë në prani edhe të kryepeshkopit Janullatos, ish-kryeministri dhe bashkëshortja u drejtuan për në Golem, në një kompleks turistik të Malit të Robit. Aty ishin të pranishëm familjarët e dy bashkëshortëve dhe miq shumë të afërt të çiftit, rreth 50. Martesa e tyre dhe divorci i ish-kryeministrit ishin një ngjarje që lanë shenjë në sjelljen politike të vendit. Duke sfiduar një mentalitet të sëmurë, ish-kryeministri Nano deklaroi publikisht lidhjen e tij me gruan shumë vite më të re në moshë, divorcin dhe nisjen e një jete të re. Në një intervistë televizive, pak kohë para ceremonisë së martesës, Xhoana Nano ka deklaruar se me Fatos Nanon do të bënte më shumë se një fëmijë dhe se mosha nuk përbënte asnjë problem mes tyre.

ELISABETA ILNICA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura