Arbëreshi që ruajti shqipen në Itali

Mar 27, 2015 | 12:06
SHPËRNDAJE

MATTEO MANDALA

   Në 60-vjetorin e albanologut dhe promovimin e librit “Studime”

“Atij i detyrohet themelimi i Seksionit të Albanologjisë në Universitetin e Kalabrisë”

Gjatë viteve ’70 të shekullit të shkuar, pas një periudhe të gjatë amullie që zuri fill me mbarimin e Luftës së Dytë Botërore, albanologjia italiane hyri në një fazë të re zhvillimi që vijon edhe sot e kësaj dite.
Gjatë dhjetëvjeçarit që pasoi kongreset dhe seminaret e organizuara periodikisht nga katedrat universitare të Kalabrisë dhe të Palermos, jo vetëm që e shpëtuan albanologjinë italiane nga rreziku i mbylljes në kullën e fildishtë të akademisë, por i siguruan asaj rezultate shkencore të pamohueshme.  Gjatë asaj periudhe intensive u shfaqën në skenë disa breza studiuesish, ndër të cilët më të rinjtë ia detyrojnë pikërisht asaj faze tensionesh ideale formimin e tyre shkencor dhe akademik. Mes personaliteteve të shumta që do të ruanin rol gjithmonë e më të rëndësishëm, spikat figura e Francesco Altimarit, të riut nga Shën Mitri që ishte diplomuar në të vetmin lice italian që kishte një katedër gjuhe dhe letërsie shqipe e që asokohe studionte në kursin e gjuhëve dhe letërsive të huaja të universitetit të sapongritur të Kalabrisë (Unical). Emri i tij shfaqet për të parën herë në vitin 1974 si autor i dy poezive dygjuhëshe dhe i një recensioni botuar në faqet e “Zjarrit”, revistës së shquar themeluar nga i ndjeri papas Giuseppe Faracco, promovues i palodhur i jetës kulturore arbëreshe, i cili mblodhi rreth redaksisë së asaj reviste intelektualët më të shquar të kohës, si papas Francesco Solano, Luca Perrone, Innocenzo Mazziotti, Domenico Cassiano, të lartpërmendurit Ernesto Koliqi, Martin Camaj, Namik Ressuli, shumë profesorë të Universitetit të Kalabrisë, si edhe autorët më në zë të letërsisë arbëreshe, mes të cilëve dua të kujtoj poetët Vincenzo Belmonte dhe Giuseppe Schirò-Di Maggio[…]

Francesco Altimari
Bashkëpunimi i gjatë me revistën “Zjarri”, që do të vazhdojë deri në mbylljen e revistës gjatë gjysmës së parë të viteve ’90, tërhoqi vëmendjen e studiuesve italianë dhe sidomos atyre shqiptarë, mes të cilëve kujtoj të ndjerin Eqrem Çabej, që pati një letërkëmbim të pasur me Altimarin. Revista “Zjarri”, duke mirëpritur bashkëpunimin dhe kontributet e studiuesve shqiptarë, i dha fill një periudhe shpresash të mëdha në marrëdhëniet e ardhme me Shqipërinë përmes shkëmbimeve kulturore shqiptaro-arbëreshe. Nga ana e saj, katedra albanologjike e Universitetit të Kalabrisë e drejtuar me largpamësi nga prof. Francesco Solano i dha një shtysë të mëtejme forcimit marrëdhënieve ndëruniversitare. Në vitin 1977, për herë të parë studentët arbëreshë shkuan në Shqipëri për të ndjekur kurset e gjuhës dhe të kulturës shqiptare, organizuar nga Universiteti i Tiranës. Kjo klimë e re bashkëpunimi me Shqipërinë e izoluar të kohës ishte e frytshme qoftë për intelektualët dhe studiuesit shqiptarë, të cilët qysh nga gjysma e parë e viteve ’70 mundën të vizitonin komunitetet arbëreshe të Italisë, qoftë edhe për studentët dhe studiuesit arbëreshë, të cilëve iu dha mundësia të njihnin realitetin gjuhësor dhe kulturor të atdheut të të parëve. Ndërkohë u hapën dyert e gjysmës tjetër të botës shqiptare në Ballkan, Kosovës. Në vitin 1974, Fakulteti Filozofik i Universitetit të Prishtinës, duke nisur organizimin e Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, u dha mundësi shumë studiuesve europianë si edhe një numri të madh arbëreshësh të merrnin pjesë aktivisht në takimet e përvitshme shkencore dhe kulturore që i kapërcenin pengesat ideologjike të luftës së ftohtë. […]
Në vitin 1980, prof. Solano e thirri si bashkëpunëtor në rolin e lektorit. Pas një burse studimi DAAD (Deutscher Akademischer Austauschdienst) pranë universitetit të Mannheim-it dhe atij të Mynihut “Ludwig Maximilians”, Altimari do të ngjitë me shpejtësi shkallët e karrierës akademike, fillimisht si kërkues shkencor (1987-1988), pastaj si profesor i asociuar (1989-1991), e së fundi, nga viti 1991 si profesor ordinar i Gjuhës dhe i  Letërsisë shqipe. Prej atij viti ka qenë disa herë drejtor departamenti, kryetar i kursit të diplomës dhe zëvendësrektor i Universitetit të Kalabrisë, duke u shquar edhe si drejtues dhe organizator i shkëlqyer.
Pasi zëvendësoi në vitin 1991 prof. Solanon, Altimari e udhëhoqi katedrën e albanologjisë drejt një faze rritjeje të jashtëzakonshme, duke e shndërruar atë në një realitet shkencor tejet vital dhe produktiv falë një sëre nismash që meritojnë të kujtohen shkurt. Atij i detyrohet themelimi i Seksionit të Albanologjisë të Universitetit të Kalabrisë, që përbën boshtin e nismave shkencore dhe kulturore si edhe një pikë referimi për albanologjinë kombëtare dhe ndërkombëtare. Karizmës dhe autoritetit të tij i detyrohet edhe shtrirja graduale e albanologjisë në universitete të tjera italiane, si edhe rritja e numrit të katedrave të gjuhës dhe letërsisë shqipe. Ky rezultat u arrit edhe falë ngritjes pranë universitetit të Kalabrisë të kursit të doktoratës në Albanologji, i vetmi i ngritur deri më sot në Itali, që në bashkëpunim të ngushtë me Institutin e Gjuhës dhe të Letërsisë Shqipe të Universitetit të Palermos, nga viti 1991 deri në vitin 1999 garantoi specializimin shkencor të shumë studiuesve të rinj, pjesa më e madhe e të cilëve sot punon në universitete të ndryshme italiane. Ajo përvojë u vijua me kursin e doktoratës ndërkombëtare në Filologji dhe Gjuhësi shqipe, miratuar dhe financuar nga Ministria e Universiteteve dhe Kërkimit Shkencor në kuadrin e programit të ndërkombëtarizimit të sistemit universitar (1998-2000). Në këtë kurs të ri doktorate që u ngrit me nismën e Altimarit në vitin 2001 dhe përfundoi në vitin 2005, morën pjesë universitetet e Kalabrisë, Firences, Palermos, Leçes, Tiranës, Shkodrës dhe Prishtinës. Pa lënë mënjanë marrëveshjen për shkëmbimin e lektorëve me Universitetin e Tiranës që u krijoi mundësinë shumë studiuesve të rinj shqiptarë të zhvillonin një lloj stazhi pranë Universitetit të Kalabrisë, duhet përmendur edhe themelimi i fondacionit universitar “Francesco Solano”, botues i revistës albanologjike “Res Albanica”, që drejtohet nga Altimari.
Për sa i përket didaktikës, Altimari ka meritën që ka përshpejtuar procesin e modernizimit dhe të rinovimit të disiplinave që tradicionalisht përbënin thelbin e mësimdhënies albanologjike. Falë kompetencës së tij të veçantë, disiplina si Të folmet e arbëreshëve të Italisë, Filologjia shqipe, Filologjia dhe Gjuhësia ballkanike, Gjuhësia shqipe, përveç lëndës klasike Gjuha dhe Letërsia shqipe, u përtërinë dhe u përditësuan.
“Revolucioni teknologjik” ka qenë një nga arritjet kryesore të Altimarit, përmes futjes në përdorim të mjeteve informatike që favorizuan zhvillimin e disa hipotezave ambicioze të kërkimit, rezultatet e të cilave janë tashmë në dispozicion të studiuesve të sotëm. Modernizimi teknologjik e zuri fillin aty nga fundi i viteve ’80, por qysh në gjysmën e parë të dhjetëvjeçarit pasues u shfaqën rezultatet e para në disa lëmenj të albanologjisë. Në vitin 1990 mori udhë projekti BETA (Biblioteka Elektronike me Tekste Arbëreshe/Shqiptare), i hartuar nga Departamenti i Gjuhësisë në Universitetin e Kalabrisë, që synonte mbledhjen dhe trajtimin informatik të teksteve letrare arbëreshe. […]
Rivlerësimi i analizës tekstore dhe implementimi i saj me ndihmën e mjeteve informatike shërbyen si shtysë edhe për projekte të tjera kërkimi që lindën si zhvillim i natyrshëm i projektit BETA. Mes këtyre përmendim së pari Arkivin Leksikografik Arbëresh (Archivio Lessicografico Arbëresh – ALEA), promovuar dhe bashkërenduar nga Altimari. Është fjala për një projekt leksikografie elektronike që parashikon krijimin e një banke të dhënash informatike mbi pasurinë leksikore arbëreshe që shtrihet përtej traditës së shkruar letrare. […] Kjo strategji komplekse bazuar krejtësisht në një operacion global dhe sistematik mbledhjeje, katalogimi dhe studimi të visareve arbëreshe synon t’u rikthejë komuniteteve arbëreshe pasurinë gjuhësore që ato kanë ruajtur me fanatizëm për shekuj me radhë. Arritjes së këtij objektivi Altimari i ka kushtuar shumë studime paraprake gjuhësore, sociolinguistike dhe didaktike, qoftë duke ndjekur me vëmendje prodhimin e materialeve didaktike dhe divulgative që synojnë rivitalizimin e dialekteve, qoftë duke organizuar kurse të Arbërishtes. Mësimi dhe përdorimi i shqipes standarde përbën pikën më të lartë të strategjisë didaktiko-shkencore të Altimarit, qëllimi i të cilit nuk është vetëm të kapërcehet gjendja aktuale e diglosisë së arbëreshëve të cilët me shkrim përdorin vetëm italishten, por edhe t’i pajisë folësit e arbërishtes me një gjuhë “çati” që të mund t’i vërë fre qoftë heteroglosisë së sotme, qoftë qëndrimeve ekstreme të disa operatorëve. Në modelin didaktik të Altimarit parashikohet një kalim nga oraliteti te shkrimi që e ndan në tri faza kompetencën gjuhësore të arbëreshëve: atë të mësuar në nivelin gojor; atë që karakterizon varietetet arbëreshe dhe, së fundi, atë që përkufizon shqipen e përbashkët, ose thënë ndryshe atë varietet “që bazohet kryesisht në modelin drejtshkrimor, fonologjik dhe morfologjik të shqipes standarde, por me njëfarë fleksibiliteti normativ”.
Këto nisma të ndërmarra nga Altimari i detyrohen në radhë të parë formimit të tij shkencor, që është ngjizur në truallin e traditës së gjuhësisë shqipe. Duke ndjekur hullinë e mësimeve të albanologëve Francesco Solano dhe Antonino Guzzetta, si edhe duke bashkëpunuar me gjuhëtarë si Giovan Battista Pellegrini, Riccardo Ambrosini, Giancarlo Bolognesi, Leonardo M. Savoia, John Trumper, Giuseppe Restelli dhe shumë studiues të tjerë italianë që kanë dhënë ndihmesa të shquara në fushën e shqipes, Altimari ia ka dalë ta përfshijë Gjuhësinë shqipe mes disiplinave që gëzojnë prestigj dhe respekt në Itali, duke e mbajtur të gjallë interesin shkencor që e kishte zënë fillin me studimet e mëparshme të gjuhëtarëve Francesco Ribezzo, Carlo Tagliavini, Vittore Pisani. […]Kuadrin e figurës së albanologut e plotësojnë kontributet që Altimari ka dhënë në lëmin e kritikës letrare dhe në atë të historisë kulturore. Këto punime, duke zbatuar metodologji të reja kërkimi, kanë nxjerrë në pah aspekte të panjohura më parë nga kritika letrare albanologjike. Analiza strukturore e disa prej miteve kryesore të letërsisë së kultivuar arbëreshe, – fjala vjen, miti i Skënderbeut, ose miti “pellazgjik” – nxori në pah rolin që kanë lozur arbëreshët, veçanërisht folklori dhe tradita gojore në procesin e krijimit të identitetit kombëtar gjatë lëvizjes së Rilindjes, nga fillimet deri te Pavarësia e Shqipërisë. Analiza e këtyre miteve ka rrokur hetimin e rrënjëve të lashta ballkanike dhe fetare, ndikimin e kozmogonive arkaike, deri te ripërpunimet e sofistikuara të kohëve tona. I tillë është, fjala vjen, rasti baladës së famshme të “Kostandinit dhe Doruntinës” që Altimari e ka trajtuar në parathënien e botimit të fundit të romanit të Kadaresë “Kush e solli Doruntinën”, nga njëra anë duke u shkëputur prej rrezikut të trajtimeve historistike e nga ana tjetër duke ndjekur një shteg mirëfilli antropologjik.[…]
Mirësia, mirësjellja, bujaria, besnikëria dhe gatishmëria janë tiparet që e shquajnë atë dhe që më bëjnë të them edhe në emrin e miqve të tjerë të përbashkët, se Altimari, përveçse intelektual i shquar, është edhe miku i dashur që të gjithë do të donin të kishin. Për komunitetin arbëresh dhe për albanologjinë ai ka qenë dhe do të vazhdojë të jetë në të ardhmen një pikë referimi e pazëvendësueshme. Tani le t’ua lëmë pasardhësve nderin t’i japin Francesco Altimarit përkufizimin “njeri-territor”. Neve, bashkëkohësve të tij, na mbetet nderi dhe privilegji ta falënderojmë për punën e kryer deri më sot dhe për atë që do të kryejë në dhjetëvjeçarët e ardhshëm. Ndaj edhe urimi më i mirë për të sot është: Edhe 100!
*Universiteti i Palermos, Itali
(Botuar me shkurtime)

© Panorama.al

Te lidhura


Subscribe

      
             

Për t’u bërë pjesë e grupit të "Panorama" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI PANORAMA ONLINE: https://facebook.com/groups/panoramaonline/