Aleanca me arkitektët aplikojnë pranë “Europa Nostras” për të shpëtuar Teatrin. Specialistja: Nëse fitojmë…

Aug 2, 2019 | 12:01
SHPËRNDAJE

ANILA DEDAJ/ Plot një vit pas mbështetjes së hapur ndaj kauzës së Teatrit Kombëtar nga një prej organizatave më prestigjioze të mbrojtjes së trashëgimisë kulturore europiane, arkitektët dhe Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit i drejtohen përsëri “Europa Nostras”.

europa-nostra

Kësaj here, për shpëtimin e objektit historik specialistët i janë përgjigjur dje thirrjes publike së kësaj organizate, duke nominuar Teatrin Kombëtar si një prej “7 siteve më të rrezikuara”. Për të përmbushur një prej kushteve të aplikimit, ku lipsej firma e një institucioni shtetëror mbështetës, specialistët gjetën përgjigje pozitive te Presidenti Meta.

Arkitektja Dorina Musai shpjegon për “Panoramën” se iu drejtuan “Europa Nostras”, si një prej zërave më rëndësi për sa i përket ruajtjes së vlerave të trashëgimisë, e cila ka vlerësuar nga afër Teatrin duke arritur në konkluzionin se: “Kjo godinë, pronë publike, ka vlera të spikatura europiane që tejkalojnë çdo përfitim afatshkurtër, që mund të vijë nga shkatërrimi i saj”. ‘Europa Nostra’ çdo dy vjet hap këto thirrje. Ne aplikuam, nisur edhe nga përkrahja që ata treguan vitin e kaluar, duke i kërkuar Kryeministrit të mos veprojë mbi Teatrin, pasi e konsideronin si një objekt që mbart vlera. Nuk gjetëm mbështetjen e asnjë institucioni më poshtë dhe iu drejtuam Presidentit të Republikës. Kjo, edhe sepse ai ka qenë Kryeministër në momentin që u shpall zona historike. Përpos kësaj, kreu i shtetit është mbrojtës i Kushtetutës, e cila mbron trashëgiminë kulturore shqiptare. Shpalosëm kërkesën dhe ai u përgjigj me një letër mbështetëse”, u shpreh arkitektja.

teatri

Në rast se Teatri Kombëtar arrin të përfshihet ndër shtatë objektet, sipas Musait, përpos mbrojtjes së godinës “Europa Nostra” mund të avancojë edhe duke investuar, për të marrë përsipër koston e restaurimit. “Kemi besim, Teatri ka marrë vëmendjen e kësaj organizate”, thotë arkitektja. Ndonëse “Europa Nostra” ka dërguar edhe më herët një grup pune për të vlerësuar Teatrin Kombëtar, pritet që për këtë aplikim të bëhet një rivlerësim. Ndërsa në fillim të shtatorit mund të kemi një konfirmim zyrtar.

ALEANCA: TEATRI I PËRMBUSH KRITERET

I kontaktuar nga “Panorama”, kuratori dhe menaxheri i artit, Andi Tepelena, gjithashtu pjesë e Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit, tregon se mundësitë janë të mëdha që Teatri të përzgjidhet si një nga monumentet e kulturës europiane të rrezikuara. “Nëse e fitojmë aplikimin, pra Teatri nominohet dhe e realizon vetë ‘Europa Nostra’ projektin e restaurimit dhe mbulimin e kostos financiare, Teatri në këtë pikë i përmbush plotësisht kriteret që të nominohet”. Ndërkaq, Tepelena thekson rëndësinë e kësaj organizate të atashuar pranë Këshillit të Europës, që konsiderohet si “UNESCO”i BE-së.

KONTRIBUTI NË SHQIPËRI

Siç e konfirmoi gjatë letrës dërguar Kryeministrit Rama një vit më parë, “Europa Nostra” ka shfaqur gjatë këtyre viteve një interes të veçantë për trashëgiminë kulturore të Shqipërisë. Gjatë viteve 2013 dhe 2018, ajo ka ndjekur respektivisht punimet në amfiteatrin romak të Durrësit dhe kishat post-bizantine në Voskopojë e Vithkuq, të cilat arritën të përfshiheshin në listën e “Shtatë objekteve më të rrezikuara” të trashëgimisë në Europë. Siç ka konfirmuar edhe vetë, kjo organizatë aktualisht është duke ndjekur nga afër zhvillimet në qendrat historike të Beratit dhe Gjirokastrës, të listuara si trashëgimi botërore nga UNESCO.

“EUROPA NOSTRA”, SI ZËRI I TRASHËGIMISË NË EUROPË

“Europa Nostra” është një Federatë Europiane që trajton trashëgiminë kulturore, duke përfaqësuar organizatat e përfshira në ruajtjen e vlerave natyrore dhe kulturore të Europës. Është konsideruar si zëri i trashëgimisë në Bashkimin Europian, Këshillin e Europës dhe UNESCO. Gëzon një status konsultues me UNESCO-n dhe njihet si partner i OJQ-ve. President i “Europa Nostras” është tenori me famë botërore, Placido Domingo.

“‘Rilindje’ diktatoriale, si e Enverit”

neritan-licaj

Për Neritan Liçajn, pesha e diktaturës ndihet më shumë kur i yti të shtyp më shumë se një i huaj. Në thelb për të “Rilindja” e Ramës funksionon me të njëjtat koncepte si sistemi totalitar, duke pasur si bazë propagandën. Prej agores së Teatrit, aktori foli për imazhin që “Rilindja” kërkon të përçojë te populli përmes lajmeve të zbukuruara, si një forcë që i mëshon inteligjencës dhe mendësisë së hapur. “Mirëpo, kjo ’Rilindje’ diktatoriale është po aq perverse sa ajo e diktatorit Hoxha dhe çdo shqiptar duhet të reflektojë rreth kësaj. Pas 30 vitesh nuk mund të lejojmë kurrë që të kthehemi në ‘45-ën. Tani është ‘ora e mbrame’! Kjo neodiktaturë është bërë më e egër, pasi është në grahmat e fundit. Është një moment shumë i rrezikshëm për familjet tona, prandaj duhet që çdo shqiptar të shprehet. Nuk është koha për të pritur më, nuk mund t’i lejojmë që të bëjnë çfarë të duan me jetët tona. Shqiptari ka dinjitet dhe ne do ta tregojmë siç e kemi treguar deri tani”, u shpreh aktori. Gjatë protestës fjalën e mori edhe regjisori Kastriot Çipi, i cili vuri në dukje se drejtori i TK-së, për mediat pranoi publikisht se përgjegjëse për heqjen e germave të Teatrit është Bashkia e Tiranës.

Të denoncuar, por luftarakë, artistët i kthejnë nurin Teatrit

Thonë se pushtetarëve të prekur nga sindroma e Kaligulës do t’u përgjigjen dhëmbë për dhëmbë. Artistë, arkitektë, gazetarë e qytetarë të thjeshtë janë mbledhur ditën e parë të gushtit në agoren e Teatrit Kombëtar. Disa prej tyre e kanë gdhirë aty, të vetëdijshëm se tanimë kanë edhe një kallëzim penal mbi supe. Nuk janë të trembur, pas dhunës së 24 korrikut nuk kanë më dyshime se qeveria do t’i përdorë të gjitha mjetet. Gjatë kësaj jave, që kur Teatri u mor në mbrojtje nga qytetarët, duket se shumëçka ka ndryshuar. S’e kanë pasur të lehtë. Pas ndërprerjes së ujit më herët, ditën e përplasjes, me qytetarët brenda, Policia shkëputi edhe energjinë. E megjithatë, ashtu siç drejtori i Teatrit, Hervin Çuli, thotë, “Teatri s’drejtohet më as nga ai dhe as nga Ministria e Kulturës”, materialet që sipas tij janë të një rëndësie të madhe, nuk i gjejmë më njësoj. Nëse një javë më parë rekuizitën e gjetëm në kaos, me shumicën e orendive lënë përtokë ose hedhur vend e pa vend, gjatë këtyre ditëve qytetarët kanë pastruar Teatrin, duke e bërë të aksesueshëm për publikun. Gjatë paradites së djeshme, në sallën “Kadri Roshi”, artistja e njohur Justina Aliaj ishte duke bërë provat. Me emocionet e rikthimit në atë që konsideron si “tempullin” e kulturës shqiptare, tregon se po përgatitet për shfaqjen e së dielës. Edhe ajo, si arkitekti Maks Velo, beson se riaktivizimi i shfaqjeve dhe mobilizimi i madh i artistëve dhe qytetarëve do ta shpëtojnë Teatrin.

PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura