“30 vjet më pas, sa e njohim komunizmin?”- Nis të premten aktiviteti njëjavor “Ditët e kujtesës”

Feb 16, 2021 | 20:12
SHPËRNDAJE

Edicioni i VI i “Ditëve të kujtesës”, një aktivitet i  përvitshëm i Institutit për Demokraci, Media e Kulturë (IDMC) në partneritet me Fondacionin Konrad Adenauer (KAS) nis të premten më 19 shkurt.

rrezimi-i-bustit3

Këtë vit bëhen 3 dekada që nga rrëzimi i statujës së diktatorit Enver Hoxha në sheshin “Skënderbej”, më 20 shkurt 1991, ngjarja e cila shërbeu si akti simbolik që shënoi rënien e regjimit totalitar në vend, 30 vite më pas, shërben si pikë fillese, për të kuptuar se çfarë ka ndryshuar në shoqërinë shqiptare që prej asaj date?

Ndër vite, pyetjet që janë shtruar, janë disa: a ra diktatura gjysmëshekullore komuniste përmes një “revolucioni popullor nga poshtë”? Cilat ishin sfidat e drejtësisë tranzitore për dënimin e krimeve të komunizmit? Cilat janë politikat e kujtesës që u aplikuan në këto dekada dhe si e ndikojnë ato qasjen e shoqërisë shqiptare ndaj kësaj periudhe të errët historike?

Sa e njohim ne komunizmin dhe sa dijeni kemi për ato që ndodhen gjatë dekadave të pushtetit autoritar? Sa të vetëdijshëm jemi për pasojat e asaj periudhe dhe sa ka ndikuar qasja ndaj të shkuarës ndaj qasjes që kemi kundrejt të përditshmes sonë? Çfarë u bë me dënimin e politikave dhe emrave të përfshirë në krime?

Kultura e pandëshkueshmërisë, që nisi po tri dekada më parë, a është riprodhuar në të përditshmërinë tonë kundrejt dukurive të demokracisë?

“Ditët e Kujtesës” e çelin siparin e aktiviteteve, me forumin online: “30 VJET MË PAS, SA E NJOHIM KOMUNIZMIN?”.

Folësi kryesor i këtij edicioni do të jetë historiani i mirënjohur, Prof. Dr. Oliver Schmitt (Austri), i cili do të referojë në ceremoninë e hapjes më 19 Shkurt 2021, me temën “Komunizmi në Shqipëri- perspektiva krahasuese”.

Të pranishëm në aktivitetin e IDMC-së do të jenë,  presidenti i Republikës,  z.Ilir Meta, kreu i prezencës së OSBE-së në Shqipëri,  z.Vincenzo del Monaco, drejtori i Fondacionit “Konrad Adenauer”, Tobias Rutterhof, historiania  shqiptare, znj.Valentina Duka, historiani shqiptar në SHBA z.Elidor Mëhilli, historiani zvicerian,  z.Daniel Ursprung. Fjala e mireseardhjes mbahet nga drejtoresha e IDMC, Jonila Godole.

Përgjatë javës së kujtesës, IDMC dhe KAS, në bashkëpunim me ISKK, Ambasadën Austriake në Shqipëri, kujto.al, Shoqatat e ish- të përndjekurve politikë dhe aktorë të tjerë të fushës do të sjellin aktivitete të përditshme me qëllim forcimin e dialogut mbi të shkuarën dhe njohjen më të mirë të regjimit komunist, si: forume diskutimi, prezantim ekspozitash, vizita studimore në Vendet e Kujtesës, shfaqje filmash e dokumentarësh, prezantim publikimesh.

 

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura