Dhoma Vendore e Avokatisë Vlorë ka reaguar me tone të forta kundër vendimit të fundit për zhvendosjen e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës nga Vlora në Tiranë, duke e cilësuar atë si të papranueshëm, të njëanshëm dhe thellësisht të dëmshëm për qytetin, profesionistët e drejtësisë dhe qytetarët e qarkut.
Në reagimin e saj zyrtar, Dhoma e Avokatisë thekson se ky vendim nuk është një rast i izoluar, por pjesë e një politike të vazhdueshme të zbrazjes institucionale të Vlorës. Sipas saj, kjo prirje ka kulmuar me largimin e mëparshëm të Gjykatës Administrative dhe Gjykatës së Apelit, duke e kthyer Vlorën në një periferi institucionale pa peshë në sistemin e drejtësisë shqiptare.
Sipas Dhomës së Avokatisë, largimi i institucioneve shtetërore nga Vlora sjell pasoja të rënda, si cenimi i aksesit në drejtësi dhe në shërbimet publike për mijëra qytetarë, goditja e drejtpërdrejtë e profesionit të avokatit dhe e funksionimit normal të sistemit të drejtësisë, si edhe krijimi i një diskriminimi të hapur territorial, që favorizon centralizimin ekstrem në Tiranë në dëm të qyteteve historike dhe strategjike të vendit.
Dhoma Vendore e Avokatisë Vlorë kërkon rishikimin dhe anulimin e menjëhershëm të vendimit për zhvendosjen e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, ndërprerjen e politikës së largimit të institucioneve nga qyteti, si dhe rikthimin e funksioneve gjyqësore dhe administrative të domosdoshme për një qytet të këtij dimensioni dhe rëndësie.
Në përfundim, Dhoma e Avokatisë paralajmëron se, nëse kjo prirje vijon, rezervon të drejtën të ndërmarrë çdo veprim institucional dhe ligjor, në bashkëpunim me aktorë të tjerë vendorë dhe kombëtarë, për të mbrojtur interesin publik dhe dinjitetin e qytetit të Vlorës.
REAGIM I DHOMËS VENDORE TË AVOKATISË VLORË
Dhoma e Avokatisë Vlorë shpreh indinjatën dhe kundërshtimin e saj të fortë ndaj vendimit të fundit për zhvendosjen e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës nga qyteti i Vlorës drejt Tiranës, një vendim i papranueshëm, i njëanshëm dhe thellësisht i dëmshëm për qytetin, profesionistët e drejtësisë dhe qytetarët e këtij qarku.
Ky veprim nuk është një rast i izoluar, por vazhdim i një politike sistematike të zbrazjes institucionale të Vlorës, e cila ka arritur kulmin me largimin e Gjykatës Administrative dhe Gjykatës së Apelit, duke e shndërruar qytetin në një periferi institucionale pa peshë në hartën e drejtësisë shqiptare.
Largimi i institucioneve shtetërore nga Vlora përbën:
- Cenim të rëndë të aksesit në drejtësi dhe shërbime publike për mijëra qytetarë;
- Goditje direkte ndaj profesionit të avokatit, funksionimit të sistemit të drejtësisë dhe sigurisë juridike;
- Diskriminim territorial të hapur, që favorizon centralizimin ekstrem në Tiranë dhe braktis qytetet historike e strategjike të vendit.
Vlora, një qytet me peshë historike, juridike dhe kombëtare, nuk mund dhe nuk duhet të trajtohet si një qytet i dorës së dytë. Vendime të tilla, të marra pa konsultim me komunitetin juridik dhe pa asnjë analizë reale të pasojave, përbëjnë shkelje të parimeve të shtetit të së drejtës dhe decentralizimit administrativ.
Dhoma Vendore e Avokatisë Vlorë kërkon:
- Rishikimin e menjëhershëm dhe anulimin e vendimit për zhvendosjen e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës;
- Ndërprerjen e politikës së largimit të institucioneve nga Vlora;
- Rikthimin e funksioneve gjyqësore dhe administrative, të domosdoshme për një qytet të këtij dimensioni dhe rëndësie.
Nëse kjo prirje vazhdon, Dhoma Vendore e Avokatisë Vlorë rezervon të drejtën të ndërmarrë çdo veprim institucional dhe ligjor, në bashkëpunim me aktorë të tjerë vendorë dhe kombëtarë, për të mbrojtur interesin publik dhe dinjitetin e qytetit të Vlorës.
Vlora nuk do të heshtë dhe nuk do të pranojë të zhvishet nga institucionet e saj.
DHOMA VENDORE E AVOKATISË VLORË
© Panorama.al












