Kryeministri hungarez, Viktor Orban, tha të premten se do të përpiqet të sigurojë një përjashtim për Hungarinë nga sanksionet e reja të SHBA-së ndaj naftës ruse, gjatë vizitës së tij në Uashington javën e ardhshme.
“Duhet të përdorim tubacionet, përndryshe nuk do të kemi energji. Duhet t’i bëjmë amerikanët të kuptojnë vështirësitë e kësaj situate, nëse duam përjashtime nga sanksionet amerikane ndaj energjisë ruse”, tha ai.
Orban foli pas vendimit të administratës së presidentit amerikan Donald Trump javën e kaluar për të vendosur sanksione ndaj kompanive ruse të naftës, të cilat prekin edhe blerës të huaj si Hungaria.
Teksa shumica e vendeve të Bashkimit Evropian kanë ulur ndjeshëm ose kanë ndalur importet e karburanteve ruse pas pushtimit të plotë të Ukrainës nga Moska në shkurt 2022, Hungaria dhe Sllovakia vazhdojnë të marrin naftë përmes tubacioneve.
© Panorama.al












