Një ngjarje e rëndë ka ndodhur sot në kryeqytet, ku një person mbeti i vdekur pas plagosjes së rëndë me thikë.
Ngjarja u shënua në rrugën “Kongresi i Lushnjës” në Tiranë, ku ka pasur një konflikt dhe më pas një përleshje mes dy grupeve të të rinjve.
Njëri u plagos rëndë me thikë dhe më pas ndërroi jetë. Viktima është identifikuar si Egli Pashollari, 31 vjeç.
Konflikti paraprakisht mësohet se ka ndodhur për motive banale, afër një lokali.
Sipas dinamikës së hetuar deri tani të krimit, pas konfliktit fillestar, tre personat kanë ndjekur Pashollarin. Ata e kanë sulmuar sapo ai ka dalë nga makina e tij.
Një prej tyre e ka goditur me thikë në pjesën e kurrizit. Ndihma Pashollarit i është dhënë pranë një lokali aty pranë. I riu fatkeqësisht ka humbur jetën gjatë rrugës për në spital, për shkak të plagës në kurriz dhe hemorragjisë.
Policia ndodhet në vendngjarje dhe po kryen hetime. Hetuesit kanë aktualisht emrin e një prej autorëve të dyshuar, që është shpallur në kërkim. Në konflikt janë përfshirë 3 persona, mes tyre edhe një vajzë.
Pamjet e kamerave të sigurisë dhe dëshmitë pritet të zbardhin më shumë detaje.
© Panorama.al













