Pas dy ditësh bisedimesh trepalëshe me ndërmjetësimin e Shteteve të Bashkuara, Ukraina dhe Rusia kanë rënë dakord të vazhdojnë negociatat për paqe në javët në vijim.
“Delegacionet ranë dakord të informojnë kryeqytetet përkatëse dhe të vijojnë bisedimet trepalëshe në javët e ardhshme”, thuhet në deklaratën e bërë publike nga kryenegociatori i Ukrainës, Rustem Umerov.
Në deklaratë, Ukraina falënderon Emiratet e Bashkuara Arabe për organizimin e takimit, si si dhe presidentin amerikan Donald Trump për, siç thuhet, “udhëheqjen e tij në avancimin e përpjekjeve për përfundimin e luftës”.
Ndërkohë, presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, njoftoi se raundi i ardhshëm i bisedimeve për zgjidhjen e luftës me Rusinë, e cila këtë muaj shënon katër vjet që nga nisja, ka gjasa të zhvillohet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Çfarë mund të themi është se po planifikohen takime të reja në të ardhmen e afërt. Me shumë gjasa në Amerikë”, deklaroi Zelensky gjatë fjalimit të tij të mbrëmjes.
© Panorama.al












