Seanca e sotme parlamentare është shoqëruar me debate mes mazhorancës dhe opozitës në lidhje me deklaratat e ambasadës amerikane se “Shqipëria është e kërcënuar nga Irani”.
Kryetari i Grupit Parlamentar te PS, Taulant Balla teksa iu përgjigj opozitës, pati edhe një moment tensioni me deputeti Fatmir Mediu, të cilit i tha se duhet të japë hesap para drejtësisë, pasi ka vrarë 26 persona në Gërdec.
“Jep hesap para drejtësisë, mos më hajde këtu fare! Ti shko jep hesap para drejtësisë ke vrarë 26 veta. Na bën si përfaqësues i amerikanëve ka 20 vjet. Mjaft na bërë sikur je përfaqësues i kongresit”, iu drejtua Balla, Mediut.
Ndërsa ne nje reagim per Panorama Online, Fatmir Mediu u shpreh se: “Taulant Balla nuk mund të sillet si kryetar i kuvendit President dhe kryeministër. Nuk ka asnjë tagër për çështje të sigurisë kombëtare. Kjo sjellje në parlament është e papërgjegjshme.
Sa për drejtësinë kam 18 vjet që merrem me drejtësinë që kontrollon Balla dhe partia e tij, këtu kam qenë dhe jam kam dhënë dorëheqjen dhe kam dorëzuar imunitetin në përballje me akuzat politike dhe qesharake, një çështje të gjykuar dhe parashkruar. Kjo tregon se mbas këtij procesi është Taulant Balla dhe partia e tij. Taulant Balla ti përgjigjet akuzave ndaj tij të cilat janë pa fund”- thekson Fatmir Mediu.
Balla tha se opozita po e kthen këtë deklaratë në çështje politike, ndërsa shtoi se nuk ka asnjë shqetësim real nga institucionet.
Më herët Fatmir Mediu kërkoi që të mblidhet Këshilli i Sigurisë Kombëtare në lidhje me rrezikun e mundshëm që Shqipëria mund të ketë nga Irani, ashtu siç deklaroi ambasada amerikane.
© Panorama.al











