Shkarkimi i Ballukut, Korreshi: Lëvizje e Ramës për të zbutur faktorin ndërkombëtar! Largimi i Pirro Vëngut nga ministria e Mbrojtjes? Është ‘kandidat’ i fortë për heqje imuniteti

Feb 27, 2026 | 18:35

Deputeti i Partisë Demokratike, Saimir Korreshi komentoi shkarkimin e Belinda Ballukut nga posti i zëvendës kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, e cila është marrë zyrtarisht nën akuzë nga Prokuroria e Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (SPAK).

korreshi

Në një intervistë për News 24, deputeti demokrat u shpreh se lëvizja e kryeministrit Edi Rama për shkarkimin e Ballukut, në një kohë kur vetë ka deklaruar se ia ka refuzuar tre herë dorëheqjen, vjen si pasojë e rritjes së presionit ndërkombëtar.

Lëvizjet e tjera në qeveri ai i ironizoi teksa tha se Balluku ka pasur një “ofertë 1 me 3”, duke iu referuar largimit të Elisa Spiropalit nga ministria e Jashtme, si dhe emërimit të Enea Karakaçit në krye të ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Ermal Nufit si ministër i Mbrojtjes. Për dy të fundit, ai tha se ata janë njerëz të Ballukut.

“Intensitet i thirrjes ndërkombëtare, sidomos BE, dhe ambasadës së SHBA. E bëri këtë paralëvizje para se të dorëzojë raportin në Kuvend. Sa i përket Ballukut, ka gjetur një skemë të mesme. Ka thënë 1 me 3 është oferta. Dorëheqja e Spiropalit. Pjesa tjetër e ofertës, ishte njëri i OSHEE-së, kështu që është në zari i saj. Enea Karakaçi ka qenë i deleguar i saj një nga të shumtët që ka pasur Belinda në fshatrat e Fierit, kurse tjetrin e ka pasur drejtor kabineti”, theksoi Korreshi.

Një koment bëri edhe për largimin e Pirro Vëngut nga ministria e Mbrojtjes, teksa tha se ai është një “kandidat” për t’iu hequr imuniteti për shkak të akuzave në lidhje me Portin e Durrësit

“Ministrin e Mbrojtjes e hoqi se duke qenë se edhe ai është pak te pjesa greke, dhe probleme që kanë me portin e Durrësit. Pra është kandidat i fortë për heqje imuniteti. Për këtë e mënjanoj.”, shtoi ai.

Ai theksoi se mund edhe të ngujohen në parlament nëse socialistët bëjnë “numra” dhe nuk i hiqet imuniteti i deputetes Ballukut.

 “Nuk përjashtoj faktin se mund të kemi ngujim apo grevë urie për heqjen e imunitetit të Ballukut brenda sallës së Parlamentit. Kjo është diskutuar prej kohësh dhe është vija e kuqe. Këshilli i Imuniteteve ka për qëllim të shohë nëse kemi të bëjmë me gjyq politik apo jo për heqjen e imunitetit të deputetes. Edhe vetë avokati i Ballukut ka thënë se nuk është gjyq politik, por se masat janë të tepërta”, u shpreh Korreshi.

© Panorama.al

Te lidhura