Një nga çiftet më të dashura dhe më të famshme të Holliwood-it, Tom Holland dhe Zendaya, po përballen me një periudhë sfidash në jetën e tyre personale, pa krizë në marrëdhënie, por me një ndalesë të përkohshme në planet e dasmës.

Burime të afërta konfirmojnë se angazhimet profesionale dhe sfidat personale, përfshirë rrugëtimin e Holland drejt çlirimit nga alkooli, po e shtyjnë afatin për një celebrim të shumëpritur.
Aktori 29-vjeçar, i njohur për rolin e tij si Spider-Man në universin Marvel, është aktualisht i përqendruar në projektin e tij më të ri, një markë birre pa alkool, që përfaqëson përkushtimin e tij ndaj një jetese të shëndetshme dhe të ekuilibruar. Zendaya, nga ana tjetër, është e zhytur në projekte filmike, përfaqësime markash dhe angazhime të shumta kreative. Të dy janë kaq të zënë, saqë sipas burimeve:
“Edhe kur janë në të njëjtin qytet, njëri prej tyre zakonisht punon me orë të çmendura.”
Edhe pse dashuria e tyre mbetet e fortë, organizimi i një martese është kthyer në një sfidë logjistike. Zendaya ka një vizion të qartë për një dasmë tradicionale me praninë e familjes dhe një festë të denjë për momentin, ndërsa Holland do të dëshironte një arratisje më intime. Por për të dy, koha është tani armiku i përbashkët.
© Panoramaplus.al
